Fuqizimi i të rinjve përmes programeve të vetëmbrojtjes
28 Prill, 2020
Bashkitë dhe siguria e qytetarëve
28 Prill, 2020

Kryetari i Bashkisë Bulqizë angazhohet për të punuar drejt barazisë gjinore në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Nga Monika Kocaqi dhe Dolly Wittberger

Barazia e grave dhe burrave është një e drejtë themelore. Është detyrë e qeverive vendore dhe rajonale ta zbatojnë këtë të drejtë në të gjitha fushat e përgjegjësive të tyre, përfshirë detyrimin e tyre për të eliminuar të gjitha format e diskriminimit (të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë).

Barazia e grave dhe burrave duhet të përfshijë edhe vullnetin për të ndërmarrë veprime për tre aspekte plotësuese të arritjes së saj: eliminimin e pabarazive të drejtpërdrejta, zhdukjen e pabarazive indirekte, dhe ndërtimin e një mjedisi politik, ligjor dhe shoqëror që mbështet zhvillimin proaktiv të një demokracie egalitare.

Kur trajtojmë barazinë mes grave dhe burrave, duhet të marrim parasysh format e shumta të diskriminimit dhe disavantazhit. Këtu përfshihen karakteristikat e identitetit siç janë gjinia (të lindurit femër ose mashkull), raca, mosha, ngjyra e lëkurës, origjina etnike dhe shoqërore, veçoritë gjenetike, gjuha, feja ose besimi, përkatësia politike, anëtarësimi si pakicë kombëtare, pronësia, aftësia fizike, orientimi seksual dhe statusi social-ekonomik.

Ndër këto karakteristika, pabarazia në statusin shoqëror mes grave dhe burrave mbetet më e përhapura. Autoritetet vendore duhet të përpiqen të eliminojnë stereotipet dhe pengesat mbi të cilat bazohen këto pabarazi në statusin dhe gjendjen e grave dhe prej të cilave vjen vlerësimi i pabarabartë i rolit të grave dhe burrave në aspektin politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor.

Në hartimin e politikave, metodave dhe instrumenteve që ndikojnë në jetën e përditshme të popullatës në vend duhet të merret në konsideratë edhe perspektiva gjinore. Për këtë qëllim, përvojat e grave në jetën vendore, përfshirë kushtet e tyre të jetesës dhe të punës, duhet të analizohen dhe të paraqiten për shqyrtim në të ardhmen.

Me pak fjalë, sa më sipër përbën edhe bazën dhe parimet themelore të Kartës Evropiane për Barazi të Burrave dhe Grave në Jetën Vendore. Kjo kartë është instrumenti orientues për integrimin barazinë gjinore në qeverisjen vendore në të gjithë Evropën. Karta ka 30 nene dhe është nënshkruar zyrtarisht nga 1791 autoritete vendore dhe rajonale në 36 vende të Evropës deri tani, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, më 4 Mars 2020, përmes mbështetjes së dhënë nga Projekti PLGP, Bashkia partnere Bulqizë u bashkua me listën e autoriteteve vendore që zotohen të ecin përpara me barazinë gjinore duke nënshkruar Kartën Evropiane për Barazi të Grave dhe Burrave në Jetën Vendore.

Vendimi i Kryetarit të Bashkisë për nënshkrimin e Kartës Evropiane për Barazi u parapri nga një seancë informuese gjithëpërfshirëse e organizuar nga Projekti PLGP në bashkëpunim me bashkinë në shkurt 2020. E lidhur me frymën e Kartës, seanca mori një qasje ndërsektoriale duke ulur në një tryezë stafin e bashkisë dhe institucionet kryesore për këtë bashkëpunim që merren me ofrimin e shërbimeve dhe me qeverisjen vendore.

Pjesëmarrësit e seancës informuese e mbështetën njëzëri vendimin e kryetarit. Ceremonia e nënshkrimit u organizua në prani të 21 pjesëmarrësve, përfshirë Kryetarin dhe Nënkryetarin e Bashkisë dhe përfaqësues të sektorëve dhe drejtorive të ndryshme vendore. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Drejtori i Projekti USAID/PLGP, Z. Kevin McLaughlin, dhe konsulenti për çështjet gjinore dhe qeverisjes nivel vendor.

Kryetari i bashkisë Alla e hapi fjalën e tij duke përmendur se teksa flitet shumë për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, ekziston një kontrast i madh me zbatimin aktual nëpërmjet veprimeve dhe masave konkrete. Ai përmendi që mentaliteti tradicional ruan ende një ndikim të fortë te konceptet, modelet dhe mënyrat e të bërit të gjërave sot dhe pranoi se ai dhe stafi i tij duhet të punojnë më shumë për të ndryshuar këtë realitet.

Ai deklaroi se “Nënshkrimi i kësaj Karte Evropiane për Barazi duhet të shihet si vetëm pikënisja për ndërmarrjen e hapave në një drejtim të ri dhe për të punuar më shumë për ta bërë barazinë gjinore realitet në Bulqizë.

Në përshëndetjen e tij, Z. McLaughlin tha, “Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore e konsideron shumë të rëndësishëm mbështetjen për këtë ngjarje. Duke nënshkruar Kartën, Kryetari i Bashkisë, z. Alla, dhe ekipi i tij ndërmarrin një angazhim të madh zyrtar dhe publik për të zbatuar parimin e barazisë gjinore mes burrave dhe grave në këtë bashki. Ky angazhim nuk mund të përmbushet pa mbështetjen e fuqishme dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve vendore, Këshillit Bashkiak, si dhe të partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të bashkisë.”

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Z. Gëzim Xhafa, konfirmoi angazhim e tij personal dhe mbështetjen e plotë për zbatimin e kësaj karte. Kjo ka rëndësi të madhe, sepse duke nënshkruan kartën Bashkia angazhohet zyrtarisht të hartojë planin përkatës vendor të veprimit për barazinë gjinore, që do të kërkojë edhe miratimin në Këshillin Bashkiak.

Ky i fundit luan rol të rëndësishëm në mbështetjen e projekteve të veçanta që lidhen me barazinë gjinore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së grave dhe në përçimin e frymës së kartës evropiane tek zgjedhësit e tyre meshkuj e femra.

Drejtori i Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor tha, “Kjo Kartë nuk është thjesht për barazinë mes grave dhe burrave, por është për të gjitha gratë, burrat, vajzat dhe djemtë e komunitetit tonë dhe për të trajtuar të gjitha nevojat e tyre. Për sa i përket institucionit tim, ka shumë për të bërë, prandaj ne mbështesim plotësisht nismën e Kryetarit të Bashkisë duke e konsideruar këtë kartë si tonën, për sa i përket përfitimeve, detyrave dhe përgjegjësive.

Me nënshkrimin e Kartës, Bashkia Bulqizë iu bashkia shtatë bashkive të tjera në Shqipëri që kanë nënshkruar Kartën, përfshirë këtu bashkitë Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Shkodër, Tiranë, Durrës, dhe Përmet. Si veprim për të vazhduar më tej me këtë nismë, Projekti PLGP mundësoi procesin e komunikimit mes Këshillit të Bashkive dhe Rajoneve të Evropës me qendër në Bruksel dhe Bashkisë Bulqizë.

Certifikatat e nënshkrimit të kartës iu paraqitën Observatorit të këtij Këshilli dhe Bashkia Bulqizë shumë shpejt do të evidentohet si firmëtare evropiane e kartës në hartën online interaktive të Observatorit. Projekti PLGP do të vazhdojë t’i japë mbështetje Bashkisë Bulqizë për hartimin e planit vendor të veprimit për barazinë gjinore duke vazhduar më tej me hapa konkretë drejt përmbushjes së premtimeve dhe angazhimeve publike për barazinë gjinore.

Comments are closed.