Më shumë të ardhura, më shumë investime në Bashkinë Vorë
12/03/2019
Dialogu dhe konsultimi mes niveleve të ndryshme të qeverisjes çon në politika më të mira
12/03/2019

Nga Elton Stafa dhe Erald Lamja – 

“Aksesi i barabartë në arsimin cilësor hap rrugën për rritjen e mëtejshme ekonomike, përmirësimin e rezultateve në kujdesin shëndetësor, qeverisjen e qëndrueshme demokratike dhe shoqëri më të forta dhe paqësore,” thotë Strategjia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Arsimin Bazë Ndërkombëtar.

Gjatë viteve 2017-2018, Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore punoi në partneritet me MFE, Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASR) dhe vendimmarrës e ekspertë vendorë për të siguruar që decentralizimi i plotë i arsimit parashkollor në nivel vendor të shoqërohet me një sistem të qëndrueshëm financiar në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe aksesit në arsimin parashkollor.

Në sajë të këtyre përpjekjeve të përbashkëta, financimi për edukatoret e kopshteve do të rritet në vitin 2019 me 9.1%, krahasuar me 2018, ndërsa fondet do t’u kalojnë NJQV-ve, bazuar kryesisht në numrin e fëmijëve, siç përcaktohet në legjislacionin shqiptar dhe siç rekomandohet edhe nga praktikat më të mira ndërkombëtare. Këto dy ndryshime do të bëjnë të mundur marrjen në punë të të paktën 438 edukatoreve (10% më shumë nga numri aktual) që do të caktohen në ato bashki që kanë nevojë më urgjente për të përmirësuar raportin edukatore-fëmijë. Kështu do të bëhet e mundur ulja e numrit mesatar nga 18 fëmijë për grup në 15 dhe nga e larta prej 26 fëmijë për një edukatore në 18 në disa raste ekstreme si në bashkitë Tiranë, Kamzë, Durrës, etj., duke krijuar kështu kushte dhe shërbime më të mira për mësimdhënien në kopshte.

Arsimi parashkollor është një nga funksionet më të kushtueshme, dhe ndofta më i rëndësishmi për të ardhmen e Shqipërisë, që iu transferuan bashkive në vitin 2016. Për tre vite me radhë, ky funksion u financuar nga grantet specifike të përcaktuara për këtë qëllim për secilën bashki, shuma që përcaktoheshin nga MFE dhe MASR në bazë të kostove historike. Periudha tranzitore për këtë grant përfundoi në 2018 dhe në janar 2019 grantet specifike për arsimin parashkollor do të shndërrohen në grante të përgjithshme dhe do të përdoren nga bashkitë sipas nevojave të tyre. Përveç kalimit të granteve të kushtëzuara në grante të pakushtëzuara, politikanët në nivel vendor e qendror kanë bërë përpjekje për të përmirësuar metodën e ndarjes së fondeve të arsimit parashkollor.

Historikisht, fondet ndaheshin sipas numrit të raportuar të edukatoreve të punësuara në çdo bashki, ndërkohë që kuadri ligjor në fuqi kërkon që financimi për arsimin parashkollor të bëhet kryesisht në bazë të numrit të fëmijëve. Nga analiza e kryer nga Projekti PLGP del se sistemi aktual nuk pasqyron saktësisht ndryshimet demografike dhe sociale në 27 vitet e fundit në Shqipëri dhe se kjo, shoqëruar edhe me zbatimin në mënyrë të pabarabartë të vendimeve për numrin e fëmijëve në grupet e kopshteve, kanë çuar në dallime dhe pabarazi të theksuar në cilësinë e arsimit parashkollor në Shqipëri.

Për të trajtuar këto pabarazi dhe për të siguruar një sistem më të qëndrueshëm financimi, Projekti PLGP bashkëpunoi me MFE dhe MASR për të konceptuar një sistem të ri për ndarjen e fondeve për arsimin parashkollor. Duke filluar nga viti 2019, sistemi do të bazohet kryesisht në numrin e fëmijëve në kopshte (60% në numrin e fëmijëve dhe 40% në numrin e edukatoreve). Një gjë e tillë do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimit duke pasqyruar kështu më mirë ndryshimet demografike dhe duke zbutur pabarazitë mes bashkive, ndërkohë që ndihmon në përmirësimin edhe të aksesit në arsimin parashkollor. Kështu, kjo reformë ndikon pozitivisht tek 70% e nxënësve të arsimit parashkollor në mbi 50% të bashkive në vend.

“Këto nuk janë statistika, por një mundësi e vërtetë për të përmirësuar situatën në ato bashki që kanë nevojë urgjente për mësues të arsimit parashkollor dhe për të ofruar një shërbim më cilësor për fëmijët e qytetarëve tanë”, tha Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

 

Foto nga Erald Lamja

 

Comments are closed.