Mbështetje për reduktimin e ujit pa të ardhura në Shqipëri
Mars 12, 2019
Bashkia mban premtimet
Mars 12, 2019

Nga Valu Add Management Services dhe Erald Lamja – 

Sektori i ujësjellësit në Shqipëri po përballet me një moment të rëndësishëm. Qeverisë shqiptare në përputhje me Programin e OKB-së për ujin e ka përcaktuar përmirësimin e shërbimeve ujësjellës-kanalizime (UK) si një nga 5 shtyllat dhe prioritetet kryesore të mandatit të saj. Shoqëritë UK nuk veprojnë në përputhje të plotë me parimet e kontrollit të kostove, përmirësimin e vazhdueshëm të efikasitetit dhe rikuperimit të plotë të kostove, duke shkaktuar kështu një rreth vicioz të mungesës së financimit për shërbimet, investime të pamjaftueshme dhe degradimin e infrastrukturës, veçanërisht për menaxhimin e ujërave të zeza. Në Shqipëri janë aktualisht 58 shoqëri UK të strukturuara si shoqëri me kapital të përbashkët në pronësi të bashkive.

Shoqëria UK e Korçës është shoqëria që funksionon më mirë në vend duke siguruar furnizim me ujë 24 orë për rreth 99% të sipërfaqes së bashkisë. Ajo ka nivelin më të ulët të ujit pa të ardhura dhe administron një rrjet të plotë të kanaleve të ujërave të zeza shoqëruar kjo edhe me një impiant për trajtimin e këtyre ujërave. Në fakt, kjo shoqëri renditet ndër më të mirat në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore e ndihmoi UK Korçë në vitin 2013 për hartimin e një plani 5-vjeçar biznesi dhe plani veprimi për përmirësimin e performancës, që u zbatuan me korrektësi nga UK dhe që monitorohen rregullisht nga drejtuesit e kësaj shoqërie.

Në 27-28 shtator të vitit të kaluar ekspertët UK të Projektit PLGP organizuan një vizitë studimore me përfaqësues nga stafi i pesë shoqërive të tjera UK (Tiranë, Lushnje, Fier, Vlorë, dhe Patos) në shoqërinë UK Korçë me qëllim ndarjen e njohurive dhe përvojave të suksesshme si dhe praktikave më të mira të punës.

Në këtë vizitë studimore u pa nga afër zbatimi i praktikave të mira teknike dhe tregtare me fokus të veçantë në:
• Menaxhimin dhe monitorimin e prodhimit të ujit të pijshëm;
• Menaxhimin e matjes (procesi i leximit të matësve, qendra e kontrollit);
• Menaxhimin e shërbimeve për klientin;
• Operimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza;

Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore po ndihmon edhe bashkitë model për hartimin e vlerësimeve të gjithanshme të shërbimeve ujësjellës-kanalizime në zonat e zgjeruara të bashkive, për të përfshirë:
• Mbledhjen e të gjithë dokumentacionit të disponueshëm për infrastrukturën për sistemet komunale që do të transferohen;
• Identifikimin e kërkesës për ujë dhe karakteristikat e ujit pa të ardhura në zonat e zgjeruara;
• Analizën e numrit aktual të stafit në zonat e zgjeruara që duhet të mbahen nga shoqëria mëmë UK;
• Përcaktimin e objektivave të reja strategjike për të cilat do të hartohen plane veprimi për përmirësimin e performancës.

“UK Korça është shembulli më i mirë që tregon se jo vetëm investimet por edhe administrimi i mirë kanë shumë rëndësi për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve,” tha Ersi Veliu, Drejtore Teknike e UK Lushnje.

“Sipas asaj që pashë në këtë vizitë studimore në Korçë, procedurat e kujdesit për klientin janë të një prioriteti të lartë në këtë moment për UK Tirana. Pas kësaj vizite dyditore mblodha stafin e Drejtorisë së Kujdesit për Klientin dhe i udhëzova të hartojnë një manual procedurash dhe procesesh. Zyrat e kujdesit për klientin janë fytyra e UK Tiranë me qytetarët dhe për këtë qëllim kemi nevojë të sigurohemi që klientët marrin shërbim cilësor.” – Evis Gjebrea, Zv.Drejtor e Përgjithshme e UK Tiranë.

 

Foto nga Erald Lamja

 

Comments are closed.