Qeverisja transparente është një qeverisje e mirë
Tetor 9, 2019
Menaxhimi i aseteve – Arti i ekuilibrimit të performancës, riskut dhe kostos
Tetor 9, 2019

Përditësimi i Planit të Veprimit të Decentralizimit

Projekti PLGP po mbështet Ministrinë e Brendshme për të përditësuar dhe zgjeruar Planin e Veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizim dhe Qeverisje Vendore (SNDQV) 2015-2020, të hartuar dhe miratuar në vitin 2015 me mbështetjen e Projektit. Për katër vite me radhë, strategjia ka shërbyer si udhërrëfyes për avancimin e decentralizimit dhe forcimin e qeverisjes vendore. Ndonëse pjesa më e madhe e veprimeve politike të përcaktuara në strategji janë zbatuar, ka ende sfida që duhen trajtuar duke qenë se konteksti i politikave dhe ai institucional kanë ndryshuar gjatë këtyre katër viteve. Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme i kërkoi mbështetje Projektit të USAID-it për përditësimin e Planit të veprimit dhe shtyrjen e afatit të tij deri në vitin 2022.

Procesi i përditësimit të Planit të Veprimit të SNDQV-së nisi në fillim të muajit mars 2019 nën kujdesin dhe udhëheqjen e Ministrisë së Brendshme. Gjatë periudhës mars-qershor 2019, u bënë disa takime të rëndësishme me ministritë e linjës dhe aktorët kryesorë, përfshirë këtu edhe dy shoqatat e bashkive që veprojnë në Shqipëri. Këto takime orientuan përditësimin e planit të veprimit për më shumë efikasitet në përputhje me prioritetet sektoriale dhe u morën parasysh së bashku me proceset e hartimit dhe përditësimit të strategjive të sektorëve të tjerë përkatës.

Në përgjithësi, të gjithë aktorët kryesorë e kuptojnë më mirë ecurinë e decentralizimi dhe hapat që duhet të ndërmerreshin për të forcuar 61 bashkitë e vendit. Megjithatë, ka çështje ende të pazgjidhura dhe sfida të mëdha që na dalin përpara. Projekti i USAID-it e kupton se ndërkohë që janë rritur burimet në dispozicion të qeverisjes vendore në tre vitet e fundit, sfidat në kuadrin financiar janë ende kokëforte. Plani i përditësuar i veprimit përcakton një sërë veprimesh specifike që, nëse ndërmerren, duhet përmirësojnë si bazat financiare ashtu edhe performancën e njësive të vetëqeverisjes vendore, së dyti, plani i përditësuar parashikon shumë politika për ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e mjedisit mundësues për bashkitë në realizimin e funksioneve të reja që u janë ngarkuar. Është me rëndësi të kuptohet se decentralizimi i shërbimeve publike dhe transferimi i mëpasshëm i përgjegjësive të reja te njësitë e vetëqeverisjes vendore tejkalojnë çdo gjë që u parashikua në strategjinë e vitit 2015. Kjo transfertë apo decentralizim ka krijuar një sërë problemesh që duhen trajtuar tashmë: financimi i pamjaftueshëm është problem i vazhdueshëm për pjesën më të madhe të funksioneve të reja që bën që shumë bashki t’i konsiderojnë këto funksione të reja si mandate të pafinancuara; përgjegjësitë për investime, përcaktimi i standardeve dhe monitorimi i performancës janë të paqarta ose ndërthuren me udhëzime të mëparshme; dhe ndarja e kompetencave administrative duhet të përcaktohet në kuadrin ligjor, i cili ka mangësi në përkufizimin e qartë të tyre.

Projekt Plani i përditësuar dhe i zgjeruar i Veprimit iu dërgua Ministrisë së Brendshme në muajin korrik dhe pritet që ky draft të shpërndahet dhe të konsultohet me njësitë e vetëqeverisjes vendore në muajt në vazhdim para se të miratohet përfundimisht nga qeveria qendrore.

Comments are closed.