Bordi Rinor i Bulqizës, mekanizëm për gjallërimin e jetës komunitare në Bulqizë
Mars 12, 2019
Gazeta Nr. 11 e Projektit të USAID-it
Mars 13, 2019

Nga Erald Lamja dhe Diamanta Vito – 

Në verën e kaluar, Bashkia e Elbasanit filloi me ndërhyrjet në sistemet e kanaleve ujitëse dhe kulluese në të gjithë territorin e saj. Makineritë e rënda punuan për çdo ditë duke pastruar pothuajse të gjitha kanalet e rënduara dhe duke hapur kanale të reja atje ku ishte e nevojshme.

Ndërkohe që mjetet e Bashkisë Elbasan punonin në hapjen e kanaleve të reja kulluese, banorët e fshatit Vidhas qëndronin pothuajse indiferentë larg punimeve dhe zhurmës së mjeteve të rënda.

“Kjo zonë ka qenë gjithmonë nën ujë për çdo dimër që unë mbaj mend,” na thotë Miri Caka, një djalë i ri rreth të tridhjetave, i cili së bashku me babanë e tij të moshuar, shpërndajnë pleh organik mbi parcelën e tyre të vogël.

“Im at e bleu këtë tokë prej 6 dynymësh rreth 25 vite më parë dhe që prej asaj kohe ne e shfrytëzojmë vetëm gjysmën e vitit, pasi gjatë gjithë dimrit kjo zonë përmbytet,” vazhdoi ai. “Gjatë dimrit me shirat e rrëmbyeshëm unë emigroj jashtë vendit dhe mundohem të kursej që në pranverë të rikthehem për të punuar tokën tonë e për të mbajtur dy lopë të cilat na sigurojnë të ardhura për jetesë.”

“Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që këtu të ketë pasur kanale kulluese,” na thotë babai i Mirit, Kadriu, një burrë punëtor e fjalëpakët, “Nëse kjo punë që bashkia po bën ka vazhdimësi, mendoj se më në fund kjo zonë do prodhojë gjatë gjithë vitit.”

Këto përmirësime shërbimi u bënë të mundura falë partneritetit me Projektin e USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP), nëpërmjet zbatimit të programit të përmirësimit të cilësisë së shërbimit (QSIP).

Procesi nisi me intervista dhe pyetësorë për qytetarët dhe stafin e bashkisë mbi perceptimin që ata kishin mbi shërbimet e ofruara nga bashkia e tyre. Nga rezultatet u evidentua se ujitja dhe kullimi ishin në gjendje të mjerueshme rezultuan dhe kishin nevojë urgjente për përmirësim në shumicën e bashkive, duke nxitur kështu ndërmarrjen e veprimeve nga ana e bashkive Elbasan, Fier, Patos, dhe Kuçovë për hartimin e planeve me afate kohore konkrete dhe përgjegjësi për ndreqjen e situatës.

Bashkia e Elbasanit ishte e para që miratoi në Këshillin Bashkiak dhe filloi zbatimin e këtij plani veprimi.
Pas Reformës Administrative-Territoriale, të miratuar në maj të vitit 2014, Bashkisë së vjetër të Elbasanit i janë bashkuar edhe 12 njësi të tjera administrative dhe 116 fshatra. Sipërfaqja e Bashkisë së Elbasanit është aktualisht 873 km², përfshirë këtu edhe sipërfaqen bujqësore prej 37,496 ha. Në sektorin e bujqësisë është punësuar afërsisht 28 % e popullsisë.

Gjetjet e QSIP

Analiza e situatës tregoi së si një shërbim i ri si ujitja ashtu edhe kullimi nuk kishin një strukturë të dedikuar dhe burimet njerëzore ishin të pamjaftueshme për të zbatuar këtë funksion të ri të transferuar nga ligji i vetëqeverisjes vendore i vitit 2014.

Struktura përgjegjëse, e cila midis të tjerave mbulonte dhe këtë shërbim, akoma nuk kishte kontrata me fermerët, nuk ekzistonte një regjistër i sipërfaqeve të ujitje-kullimit dhe nuk kishte inventar fizik dhe kontabël të aseteve për këtë shërbim. Nga ana tjetër, faturimi dhe arkëtimi i faturave dhe taksa bujqësore nuk mblidheshin.

Sipërfaqja që realisht mund të ujitet në Bashkinë e re Elbasan është rreth 7,553 ha. Gjatësia totale e kanaleve ujitëse është 556.5 km. Kanalet kulluese kanë një gjatësi prej 1983 km dhe i shërbejnë një sipërfaqeje prej 3345 ha tokë bujqësore. Megjithatë, në vitin 2016 aksesi për ujitje ra në 1,760 ha dhe në vitin 2017 gjendja e këtij shërbimi u përkeqësua edhe më tej duke rënë në 1,164 ha.

Me zbatimin e planit të veprimit vetëm gjatë pjesës së mbetur për vitin 2018 në sezonin ujitjes sipërfaqja ujitëse u dyfishua në 2,493 ha, duke i ofruar këtë shërbim 9,900 fermerëve. Po ashtu, u ndërhy dhe në pastrimin e 180 km kanale ekzistuese vaditëse dhe kulluese dhe hapjen e 70 km kanale të reja kulluese, ndërhyrje që fermerët e zonës nuk e kishin parë për më se 30 vjet.

Në përputhje me planin e veprimit, Bashkia Elbasan do të vazhdojë ndërhyrjet për vënien në funksionim të të gjithë skemave ujitëse që nuk funksionojnë, duke mundësuar në këtë mënyrë shtimin e orëve të shërbimit me ujë për fermerët bazuar në kërkesat e tyre para fillimit të sezonit të ujitjes. Ndërkohë do të vazhdohen përpjekjet që së bashku me institucionet qendrore të punohet për pastrimin dhe rehabilitimin e rezervuarëve dhe digave që kanë qëllim shërbimin e ujitjes e kullimit si dhe mbrojtjen nga përmbytja.

 

Zbatimi i Reformës Territoriale vazhdon të mbetet një sfidë për njësitë e qeverisjes vendore, e sidomos ofrimi cilësor i shërbimeve tek qytetarët. Bashkitë e reja aktualisht menaxhojnë dhe ofrojnë shërbime në territore disa herë më të mëdha, e kushtëzuar kjo dhe nga largësia gjeografike e disa njësive administrative, në të cilat infrastruktura rrugore mungon. Si pasojë, bashkitë po hasin sfida të tjera në përpjekjet e tyre për të ofruar shërbime cilësore dhe në kohë, veçanërisht për sa i përket menaxhimit të funksioneve të reja, si arsimi dhe infrastruktura e arsimit parashkollor dhe parauniversitar, pyjet dhe kullotat, infrastruktura e qendrave shëndetësore, mirëmbajtja e rrugëve rurale, infrastruktura dytësore e ujitjes dhe kullimit, dhe shërbimet sociale, zjarrfikësi dhe shërbimi i shpëtimit.

 

Foto nga Erald Lamja

 

Comments are closed.