Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në Shqipëri (PLGP) ka punuar në nivel politikash kombëtare si dhe në nivel vendor që nga viti 2012 për të promovuar pranimin e parimeve të qeverisjes së decentralizuar dhe për të përhapur dhe institucionalizuar metoda e teknika praktike dhe efektive për administrimin në nivel vendor. PLGP punon me dymbëdhjetë bashki “partnere”, të cilat janë: Tirana, Fieri, Lushnja, Berati, Kuçova, Patosi, Vlora, Saranda, Elbasani, Korça, Vora dhe Kamza. Në shtator 2017, PLGP u zgjerua për të vijuar punën në forcimin sukseseve të decentralizimit dhe për të ndihmuar bashkitë që të ofrojnë shërbime më të mira vendore e të krijojnë mundësi për zhvillimin ekonomik si dhe të përfshihen më shumë në trajtimin e faktorëve që mund të çojnë në ekstremizmin e dhunshëm. Gjatë dy viteve të ardhshme projekti do të punojë në katër fusha kryesore:

 

Komponenti 1: Më Shumë Parashikueshmëri, Transparencë dhe Potencial të Ardhurash për Financat Vendore

PLGP do të mbështetet në arritjet e deritanishme për të forcuar kuadrin ligjor të decentralizimit në Shqipëri dhe për të rritur burimet e qeverisjes vendore, ndërkohë që do të forcohen kapacitetet për zbatimin e këtij kuadri nga bashkitë. Do të vazhdohet puna me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE) për të avancuar me reformat e decentralizimit fiskal, me qëllim rritjen e të ardhurave të NJQV-ve, qëndrueshmërinë e transfertave ndërqeveritare dhe lehtësimin e aksesit tek financimet alternative dhe huamarrja vendore. PLGP do të mbështesë MFE-në në hartimin e akteve nënligjore dhe zbatimin e Ligjit për Financat e Vetëqeverisjes Vendore në lidhje me politikat e taksave vendore, ndarjen e taksave dhe menaxhimin financiar publik të përgjegjshëm. Po ashtu, Projekti do të vazhdojë të mbështesë Këshillin Konsultativ Qeveri Qendrore-Qeveri Vendore me qëllim përmirësimin e politikave, legjislacionit, proceseve, dialogut dhe konsultimet ndër-qeveritare për decentralizimin. Forcimi i kapaciteteve të NJQV-ve dhe përhapja e praktikave më të mira ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një prioritet kyç për Projektin. PLGP do të vazhdojë të mbështesë bashkitë partnere në përdorimin e mjeteve të teknologjisë së informacionit për të rritur ardhurat nga burimet e veta me anë të përmirësimit të mbledhjes dhe administrimit të taksave, me theks të veçantë tek taksa e pasurisë, hartimin e planeve të veprimi për këtë taksë, përdorimit të teknikave GIS për regjistrin e taksapaguesve, ndërgjegjësimin për pagimin e taksave dhe krijimin e mundësive për PPP me qëllim përmirësimin e shërbimeve vendore. PLGP do të vazhdojë bashkëpunimin me MFE-në për të forcuar menaxhimin dhe kontrollin financiar dhe auditin e brendshëm në nivel vendor, që janë mjete të domosdoshme për përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike, performancës, transparencës dhe llogaridhënies.

 

Komponenti 2: Përmirësimi i Ofrimit të Shërbimeve Vendore

PLGP do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike dhe trajnime në vendin e punës për stafin e 12 bashkive dhe njësive të tyre administrative për përmirësimin e punës në mbledhjen e taksave; hartimin e metodave alternative për rritjen e të ardhurave të veta; menaxhimin më të mirë të aseteve nën juridiksionin e bashkive dhe rritjen e parashikueshmërisë, saktësisë dhe transparencës së proceseve buxhetore të qeverisjes vendore. Asistencë e mëtejshme teknike do të ofrohet sipas kërkesës dhe do të projektohet për ngritjen e kapaciteteve të bashkive për t’u shërbyer më mirë qytetarëve duke përdorur metoda të bazuara në metodologjinë e Planit të Përmirësimit të Cilësisë së Shërbimit (QSIP) të Tetra Tech-it, që është një fushatë e përqendruar për përmirësimin e shërbimeve të një institucioni me synim krijimin e një “kulture shërbimi” në të. PLGP do të vazhdojë të ndihmojë bashkitë e zgjedhura në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për funksionet e bashkive, të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen e qeverisë vendore. PLGP do të përqendrohet në sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të Komisioneve Këshillimore Qytetare Vendore (KKQV), një mekanizëm efikas për forcimin e angazhimit qytetar dhe një praktikë mjaft e mirë për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në nivel vendor. PLGP, nëpërmjet nënkontraktorit Valu Add, do të vazhdojë asistencën për bashkitë partnere dhe shoqëritë e tyre ujësjellës-kanalizime (UK) për zbatimin e planeve 5-vjeçare të biznesit të përgatitura me ndihmën e Projektit. PLGP do të ofrojë trajnim në vendin e punës dhe asistencë teknike për bashkitë për përmirësimin e shërbimit ujësjellës-kanalizime në zonat e reja urbane të bashkive të zgjeruara si dhe do të punojë me to dhe shoqëritë UK për zbatimin e programeve të investimeve kapitale dhe ristrukturimin e personelit organizativ për të siguruar që vëmendja të jetë e orientuar në zgjerimin e shërbimit dhe përmirësimin e cilësisë së tij në zonat më rurale të bashkive. PLGP do të vazhdojë bashkëpunimin e tij unik me Korpusin e Paqes/Shqipëri për të punuar së bashku për ndërtimin e komuniteteve më të forta duke angazhuar Vullnetarët e Korpusit të Paqes të caktuar në bashkitë partnere për të mbështetur përpjekjet e Projektit PLGP për ngritjen e kapaciteteve të NJQV-ve dhe KKQV-ve.

 

Komponenti 3: Forcimi i angazhimit civil për të parandaluar/luftuar ekstremizmin e dhunshëm

PLGP do të forcojë efektet pozitive të komponentëve të tjerë të projektit me fokus të veçantë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe qëndrueshmërisë ndaj motiveve të radikalizimit në Shqipëri. PLGP do të fokusohet në nxitjen e pjesëmarrjes qytetare dhe fuqizimin e shoqërisë civile për të mundësuar qëndrueshmërinë e komuniteteve dhe mbështetjen e Koordinatorit Kombëtar të Qeverisë Shqiptare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm (PED) në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për PED. PLGP do të mbështesë përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit për ekstremizmin e dhunshëm duke hartuar dhe ofruar trajnime për ndërgjegjësimin e drejtuesve dhe zyrtarëve vendorë mbi PED duke u fokusuar në rolin e bashkive në këtë drejtim. PLGP synon të arrijë një bashkëpunim efektiv mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore dhe shoqërisë civile përmes forumeve mbi PED në bashkitë partnere. Projekti do të synojë të angazhojë rininë në çështjet vendore dhe të ndihmojë takimet dhe aktivitetet e tyre të rregullta përmes kanalizimit të burimeve për komunitetet e margjinalizuara, angazhimin e të rinjve të këtyre komuniteteve dhe rritjen e aksesit të tyre në qeverisjen dhe shërbimet vendore. PLGP do të vazhdojë të përdorë punën me KKQV-të për të angazhuar të rinjtë me qëllim që ata të luajnë një rol aktiv në bashkitë e tyre, për të bërë të mundur që zërat e tyre merren seriozisht. Projekti do të ndihmojë edhe shoqërinë civile për të krijuar një frymë komuniteti dhe shërbimi publik duke ofruar mbështetje me bazë materiale dhe aktiviteteve që synojnë përmbushjen e objektivave të organizatave vendore. Për grupet që ofrojnë shërbime në komunitet që dobësojnë “faktorët nxitës” drejt radikalizimit, PLGP do të ofrojë mbështetje me bazë materiale për aktivitete të veçanta të tyre. PLGP do të synojë shërbimet që krijojnë ndryshime të qëndrueshme në jetën e të rinjve përmes këshillimit dhe praktikave, përmes angazhimit qytetar (sidomos të grave dhe vajzave), sipërmarrjes dhe aftësimit për punë dhe mbështetjes psiko-sociale. PLGP do të luftojë “faktorin tërheqës” të mesazheve ekstremiste përmes një fushate komunikimi për të bërë të mundur ndikime pozitive dhe role për t’u marrë shembull. Në fushatat e komunikimit do të jepen mesazhe angazhimi, përfshirjeje dhe shërbimi në komuniteti duke synuar të rinjtë, përmes mediave sociale dhe burimeve tradicionale të komunikimit.

 

Komponenti 4: Nxitja e planifikimit dhe zbatimit të zhvillimit ekonomik në bashkitë partnere

Duke u bazuar në punën e mëparshme të planifikimit urban, PLGP, përmes nënkontraktorit Co-PLAN, do të mbështesë bashkitë në punën e tyre për administrimin e rritjes dhe zhvillimit në përputhje me instrumentet e planifikimit strategjik. Duke u bazuar në “Manualin Teknik të Planifikimit” të përgatitur nga PLGP, do të ofrohet trajnim intensiv për zbatimin e procesit të planifikimit për të frymëzuar rritjen ekonomike. Nga zyrtarët vendorë dhe kombëtarë shpesh kërkohet mbështetje e vazhdueshme për zbatimin e planeve të përgjithshme vendore (PPV) të miratuara, kuadri i të cilave për investimet dhe përdorimin e tokës do të mundësojë zhvillimin ekonomik. PLGP do të mbështesë zhvillimin ekonomik vendor duke aplikuar Instrumentet Financiare për Zhvillimin e Tokës (IFZHT) në kuadër të Planeve të Detajuara Vendore (PDV). PLGP do të ofrojë trajnim dhe asistencë për bashkitë në përgatitjen e PDV-ve dhe IFZHT, të cilat përbëjnë një hap të rëndësishëm në krijimin e partneriteteve të zhvillimit dhe që do t’u ofrojë bashkive mundësitë për financime private dhe publike përmes projekteve të financueshme. Bashkërendimi i ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit Territorial (AKPT) do të sigurojë që qeveria kombëtare të përmbushë mandatin e saj për t’u mundësuar bashkive të planifikojnë dhe të zhvillohen. Po ashtu, me përmirësimin e mjedisit ligjor, PLGP do të ofrojë asistencë teknike që bashkitë të rrisin njohuritë dhe aftësitë specifike të nevojshme për hartimin e projekt propozimeve bindëse, në të cilat më pas do të mund të angazhohen institucionet financiare, si bankat tregtare ose projekte të donatorëve të huaj, duke rritur angazhimin e sektorit publik. Përveç kësaj, PLGP do të ndihmojë bashkitë partnere për t’u angazhuar me sektorin privat me përfitim të ndërsjellë për të nxitur konkurrencën dhe krijimin e vendeve të punës. PLGP parashikon të punojë me bashkitë partnere për të identifikuar bizneset e duhura, shoqatat dhe individët e sektorit privat që luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e potencialit të zhvillimit ekonomik vendor.