Nga shpresa në qëllime
Tetor 9, 2019
Dialogu dhe konsultimet ndërqeveritare sjellin politika më të mira
Tetor 9, 2019

Nga Peter Clavelle

Qeveritë (qendrore e vendore) dhe qytetarë në vendet e të gjitha fazave të zhvillimit po kuptojnë rëndësinë parësore të zhvillimit të qëndrueshëm. Ndonëse ekzistojnë një sërë përkufizimesh për zhvillimin e qëndrueshëm, më i njohuri është “të sigurojë që zhvillimi përmbush nevojat e të tashmes pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm të plotësojnë nevojat e tyre.”[1]

Kjo rritje njohurish për zhvillimin e qëndrueshëm po shoqërohet me lëvizjen globale drejt decentralizimit. Ky i fundit përkufizohet shpesh si kalimi i pushtetit dhe burimeve nga qeveria qendrore tek njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJQV). Decentralizimi vjen me premtimin e përmirësimit të demokracisë vendore, të cilësisë së shërbimeve publike dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor. Rritja e angazhimit ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe prirja drejt decentralizimit po sjellin si rezultat një ripërkufizim të zhvillimit ekonomik dhe rolit të NJQV-ve në thithjen e investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës. NJQV-ve po u jepet kompetenca ekskluzive dhe ato po pranojnë përgjegjësi të reja për zhvillimin ekonomik. Në sajë të decentralizimit, pjesa më e madhe e përgjegjësisë për zhvillimin ekonomik ka kaluar tashmë te niveli vendor i qeverisjes. Zhvillimi ekonomik vendor (ZHEV) pasqyron këtë realitet të ri dhe përfaqëson procesin e NJQV-ve për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe cilësisë së jetës në përgjithësi.

Zhvillimi ekonomik vendor nuk ndodh vetvetiu. Ai kërkon vizion dhe strategji, udhëheqje politike dhe ngritje të kapaciteteve vendore. Ky zhvillim kërkon që i gjithë komuniteti, përfshirë edhe shtresat e margjinalizuara, të jenë të përfaqësuara në procesin e zhvillimit ekonomik vendor. ai kërkon që bashkitë të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të angazhuar sektorin privat me synim nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Bashkitë në Shqipëri kanë një pozicion të veçantë për t’u angazhuar në zhvillimin ekonomik vendor. Ligji i korrikut 2014 për reformën territoriale e pakësoi numrin e NJQV-ve nga 374 në 61, duke u ofruar kështu një mundësi të paparë për forcimin e qeverisjes vendore. Në dhjetor 2015 u miratua një ligj i ri organik (Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”), i cili i besoi bashkive të reja autoritetin dhe përgjegjësinë për t’u shërbyer më mirë qytetarëve. Ligji përcakton qartë se bashkitë kanë të drejtën dhe përgjegjësinë e kryerjes së veprimtarive ekonomike. Po ashtu ligji thotë se funksionet e veta të bashkive në fushën e zhvillimit ekonomik vendor janë: hartimi i planeve strategjike të zhvillimit e të programeve për zhvillimin ekonomik vendor; mbështetja për zhvillimin e biznesit të vogël; dhënia e granteve financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël; dhe organizimi i shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor.

Roli i kryetarit të bashkisë në zhvillimin ekonomik vendor nuk mund të ekzagjerohet. Udhëheqja e tij/saj lidhet me pranimin e faktit se krijimi i vendeve të punës dhe aktivitetet e tjera të zhvillimit ekonomik vendor do të përfitonin shumë nga angazhimi më i madh i bashkisë me sektorin privat. Për këtë nevojitet ngritja e kapaciteteve vendore dhe përmirësimi i mjedisit miqësor për biznesin. Udhëheqja e tij/saj kërkohet për të vendosur lidhjen mes planifikimit të territorit dhe zhvillimit të tokës me zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Kjo udhëheqje nevojitet për të garantuar demokracia vendore është baza e planifikimit dhe zhvillimit dhe për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë popullatës që ka qenë përgjithësisht e përjashtuar nga vendimmarrja politike dhe ekonomike.

Çdo bashki në Shqipëri ka të veçantat e saj. Ka dallime në sfidat ekonomike, pasuritë dhe kapacitetin e vetë bashkive. Gjithsesi, praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përvoja në Shqipëri tregojnë se ato kanë një tematikë të përbashkët dhe hapat të njëjta që duhen për të mundësuar ekonomi më të forta vendore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Ja 10 gjërat që mund të bëjnë kryetarët e bashkive për të udhëhequr përpjekjet në zhvillimin ekonomik vendor:

  • Zbatimi i planeve të përgjithshme të territorit – Kryetarët kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për të zbatuar PPV-të. Rol kyç kanë ndërgjegjësimi dhe arritja e konsensusit për vizionin dhe objektivat e përcaktuara në PPV. Kryetarët duhet të sigurohen që planet e detajuara vendore (PDV) që kërkohen me ligj për zhvillimet kryesore të përgatiten dhe miratohen para nisjes së procedurave të zhvillimi apo dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkitë. PDV-të sigurojnë platformën për negociatat e zhvillimit të tokës mes aktorëve të interesit (bashkia, zhvilluesit, pronarët, qytetarët). Nën udhëheqjen e tyre, ekipi me ekspertë nga fusha të ndryshme (urbanistika, ekonomia, politika, komunikimi) duhet të bashkëpunojnë me aktorët e sektorit privat për të studiuar realizueshmërinë teknike dhe ekonomike, për të llogaritur kostot dhe përfitimet sipas skenarëve të ndryshëm dhe për të zgjedhur alternativën më të mirë.
  • Përgatitja e strategjive të zhvillimit ekonomik –Pjesa më e madhe e bashkive në Shqipëri nuk kanë strategji të veçantë për zhvillimin ekonomik. Nën drejtimin e kryetarit, mund të realizohet një proces konsultimi për të identifikuar dhe prioritizuar projekte ZHEV sipas strategjisë së zhvillimit të bashkisë të PPV-së. Këto projekte, më shumë sesa projekte për infrastrukturën publike, duhet të jenë projekte që nxisin investime, angazhojnë sektorin privat dhe krijojnë vende të reja pune. Duhet të identifikohen edhe burimet e mundshme të financimit për secilin projekt prioritar.
  • Aplikimi i instrumenteve financiare për zhvillimin e tokës – Po pranohet gjithnjë e më shumë se nëse duam që decentralizimi të ketë sukses, duhet të ofrohet dhe mirëmbahet infrastruktura dhe dikush duhet të paguajë për të. Është e kuptueshme dhe e drejtë që zhvilluesit që përfitojnë nga zhvillimi privat të kontribuojnë në koston e infrastrukturës së nevojshme për të mbështetur atë zhvillim. Kryetarët e bashkive duhet të jenë në krye të përpjekjeve për zbatimin e instrumenteve financiare që përcaktohen në Ligjin për Planifikimin e Territorit. Përdorimi i këtyre instrumenteve (si intensiteti i ndërtimit me kushte, financimi nga rritja e të ardhurave nga taksa, zonat e përmirësimit të zhvillimit, tarifat e përmirësimit dhe zonat e vlerësimit të veçantë) do të rrisin përpjekjet për arritjen e decentralizimit fiskal dhe qëndrueshmërisë financiare. (Shih kumtesën “Instrumente financiare për zhvillimin e tokës” përgatitur nga USAID/PLGP)
  • Ngritja e kapaciteteve vendore për zhvillimin ekonomik vendor – Kryetari i bashkisë ka rol kyç në ngritjen e kapaciteteve vendore që janë të nevojshme për krijimin me sukses të një klime të favorshme për biznesin dhe zbatimin e aktiviteteve ZHEV. Bashkitë duhet të shoqërojnë përgjegjësitë e reja për ZHEV me rritjen e aftësive, kapaciteteve dhe financimeve. Nën drejtimin e kryetarit të bashkisë duhet të ngrihet një drejtori e zhvillimit ekonomik me detyrë rekomandimin dhe zbatimin e një strategjie për zhvillimin ekonomik. Disa nga përgjegjësitë e kësaj drejtorie janë: puna për nxitjen e investimeve, thithjen dhe inkurajimin e zhvillimit të ndërmarrjeve aktuale dhe të reja; hartimi, bashkërendimi, zbatimi dhe administrimi i strategjive dhe projekteve të zhvillimit ekonomik për bashkinë; hartimi i rekomandimeve për kryetarin dhe këshillin bashkiak dhe aplikimi në emër të bashkisë për fonde dhe grante; administrimi dhe menaxhimi i programeve të financuara nga fonde të tilla në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi; bashkërendimi dhe mundësimi i pjesëmarrjes së qytetarëve, organizatave vendore dhe aktorëve të sektorit privat në zhvillimin ekonomik. Drejtori i kësaj drejtorie duhet të emërohet nga kryetari i bashkisë sipas aftësive profesionale dhe të jetë përgjegjës për administrimin, drejtimin dhe kontrollin e drejtorisë së zhvillimit ekonomik në bazë të vendimeve dhe ligjeve në fuqi. Ngritja e kapaciteteve për ZHEV kërkon vlerësimin e kuadrit aktual institucional dhe të aftëve që ka stafi për nxitjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të punës.
  • Nxitja e angazhimit të sektorit privat – Krijimi i vendeve të punës dhe aktivitetet ZHEV kërkojnë angazhimin e bashkisë me sektorin privat. Historikisht nuk ka pasur asnjë strukturë për institucionalizimin e konsultimeve dhe komunikimit mes sektorit privat dhe bashkisë. Roli i kryetarit të bashkisë ka rëndësi parësore për forcimin dhe mbështetjen e angazhimit të bashkisë me sektorin privat. Modeli ynë është krijimi i një këshilli për zhvillimin ekonomik vendor. Ky këshill forcon dhe institucionalizon angazhimin e sektorit privat me bashkinë. Ai ofron një mundësi të vazhdueshme ku aktorët e sektorit privat të japin mendimin dhe rekomandimet e tyre për politikat dhe prioritetet vendore që lidhen me zhvillimin ekonomik vendor, si: përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe mbështetja për hapjen e bizneseve dhe ruajtjen apo zgjerimin e atyre ekzistuese në bashki. Këto këshilla, me mbështetjen e Projektit USAID/PLGP, janë ngritur në disa bashki në vend dhe premtojnë të rrisin angazhimin e sektorit privat.
  • Mbështetje nevojave të komunitetit të biznesit vendor – Bizneset vendore, veçanërisht ato të vogla, janë thelbi i një ekonomie të qëndrueshme dhe të larmishme vendore. Bashkitë në shumë vende të botës po e zhvendosin fokusin nga tërheqja e bizneseve të mëdha tek rritja e bizneseve të vogla brenda territorit të tyre. Kryetarët e bashkive luajnë rolin kryesor në thithjen e bizneseve të reja në bashki dhe në krijimin e një mjedisi që mundëson rritjen dhe zgjerimin e bizneseve vendore. Në mjaft raste, bizneset nuk janë në dijeni për asistencën dhe burimet që mund të ofrojnë bashkitë. Po ashtu, ato duan të dinë që kuadri rregullator i bashkisë të jetë i parashikueshëm. Këtu kryetarët mund të përmirësojnë mjedisin mundësues dhe rregullator për bizneset duke i bërë të njohur atyre asistencën që ofron bashkia dhe të sigurojnë që procesi i kontrollit të zhvillimit të jetë i hapur dhe transparent. Një praktikë e mirë për bashkitë do të ishte hartimi i një “Guide i të bërit biznes” (Shih Guidën e hartuar nga Bashkia Berat). Kjo guidë bëhet burim informacioni për hapjen dhe rritjen e një biznesi në bashki. Ajo mund të ofrohen jo vetëm në format shtypi por mund të publikohet edhe në internet.
  • Fuqizimi i grupeve të margjinalizuara – Udhëheqja e kryetarit të bashkisë është e nevojshme për eliminimin e pengesave që kanë përjashtuar grupe të caktuara të popullsisë (gratë, të rinjtë, romët, egjiptianët, etj.) nga jeta ekonomike, politike, e shoqërore. Gratë dhe vajzat margjinalizohen, anashkalohen dhe diskriminohen apo përjashtohen. P.sh., papunësia e grave dhe vajzave është më e lartë se ajo tek meshkujt. Në rolin e tij, kryetari i bashkisë duhet të kuptojë shqetësimet social-ekonomike të grave dhe vajzave (edhe të të rinjve). Ka rëndësi të madhe që kryetari të mbështesë nisma publike e private që krijojnë mundësi punësimi, nxisin sipërmarrjen sociale dhe fuqizojnë gratë ekonomikisht.
  • Lidhja e ZHEV me politikat e tjera vendore e rajonale – Aktivitetet ZHEV duhet të zhvillohen e zbatohen në lidhje me procesi tërësor të planifikimit të bashkisë. Udhëheqja e kryetarit të bashkisë ka rëndësi tejet të madhe për të përcaktuar se si mbështeten apo dekurajohen objektivat e zhvillimit ekonomik nga politikat vendore. P.sh. a mbështesin turizmin dhe biznesin vendor nismat e transportit në bashki? A plotësojnë nevojat e tregut vendas të punës programet e kualifikimit të fuqisë punëtore? A mjafton strehimi për të plotësuar nevojat e punëtorëve në bashkinë tuaj? A janë të përballueshme taksat ndaj biznesit? A ka toka dhe ndërtesa publike që mund të përdoren për ZHEV? Ka po aq rëndësi të dimë se si përputhet ekonomia vendore në atë rajonale. Bizneset vendore mbështeten në burimet e disponueshme në rajon, përfshirë këtu fuqinë punëtore, transportin, strehimin dhe shërbimet e tjera publike. Këshilli i Zhvillimit Ekonomik Vendor mund të kthehet në një platformë e dobishme për trajtimin e këtyre çështjeve.
  • Përçimi i një mesazhi të qartë për zhvillimin ekonomik – Kryetari i bashkisë duhet të jetë “folësi kryesor” në emër të bashkisë. Me rëndësi të madhe për zhvillimin me sukses të ekonomisë vendore janë komunikimi dhe mesazhi i qartë. Kryetari mund të përdorë daljet publike, intervista, faqen e bashkisë dhe mediat sociale për të bashkuar komunitetin rreth çështjeve të zhvillimit ekonomik. Mesazhi i qartë i siguron zhvilluesit dhe pronarët se investimi i tyre ka mbështetje të gjerë tek drejtuesit vendorë dhe qytetarët. Fushatat politike u ofrojnë një mundësi të rrallë kryetarëve dhe kandidatëve për të përçuar mesazhin e tyre për zhvillimin ekonomik, mesazh që duhet të shkojë përtej retorikës politike të ditës.
  • I hapur dhe transparent – Një element kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i një bashkie të suksesshme është besimi. Nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent dhe komunikimit të mirë kryetari i bashkisë mund të fitojë besimin e qytetarëve, të shoqërisë civile dhe sektorit privat. Nuk ka vetëm një rrugë për të siguruar transparencën dhe hapjen ndaj publikut. Megjithatë, disa mekanizma që janë provuar dhe ka dalë të suksesshme nga programi ynë në Shqipëri janë: komisionet këshillimore qytetare, këshillat e zhvillimit ekonomik vendor, vlerësimi i komunitetit për qeverisjen vendore, këshillat vendore të sigurisë, këshillat e të rinjve dhe buxhetimi me pjesëmarrje. Projekti USAID/PLGP ka krijuar modele të të gjithave sa më sipër.

Kryetarët e bashkive kanë pushtetin, autoritetin, përgjegjësinë dhe aftësinë për të përmirësuar mirëqenien ekonomike të banorëve të tyre. Shpresoj që në këtë dokument të gjeni sugjerime specifike dhe praktike për veprime që duhet të ndërmerren nga kryetarët e bashkive. Ju uroj fat!

Peter Clavelle ka qenë kryetar i Bashkisë Burlington në Shtetin e Vermontit në ShBA për shtatë mandate (1989-1993 & 1995-2006). Para se të zgjidhej kryetar bashkie, Clavelle ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe të Komunitetit dhe punonte me Kryetarin e atëhershëm Bernie Sanders. Që nga viti 2006, ai punon për Tetra Tech, një kompani konsulence për zhvillimin ndërkombëtar. Gjatë viteve 2012-2016 ka qenë Drejtori i Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.

Comments are closed.