Plani i detajuar vendor: Nga projekti në mundësi zhvillimi
Mars 12, 2019
Bordi Rinor i Bulqizës, mekanizëm për gjallërimin e jetës komunitare në Bulqizë
Mars 12, 2019

Nga Robert Korkuti – 

Përballë nevojës për një koordinim më të mirë mes aktorëve shtetërorë, jo shtetërorë dhe shoqërisë civile, disa bashki kanë krijuar dhe formalizuar Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike. Kjo nismë u nxit nga një direktivë e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore në kuadër të reformës territoriale dhe në zbatim të Ligjit për Vetëqeverisje Vendore. Por përtej dispozitave strategjike dhe ligjore, ka edhe një përfitim për komunitetet nga forcimi i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit për trajtimin çështjeve të sigurisë, përfshirë këtu edhe ato të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Dobia e këshillit vendor të sigurisë për trajtimin dhe përmirësimin e parametrave të sigurisë bëri që Bashkia Bulqizë t’i drejtohej USAID-it për mbështetje në ngritjen e këtij këshilli dhe për asistencë në funksionimin e tij.

Çfarë është Këshilli Vendor i Sigurisë?

Kryesuar nga kryetari i bashkisë, këshilli vendor i sigurisë përbëhet nga aktorë vendorë që përfaqësojnë policinë e shtetit dhe atë bashkiake, shërbimet sociale, arsimin, shërbimet shëndetësore, shërbimin pyjor dhe mjedisin, prefekturën, shoqërinë civile, bashkësitë fetare, komunitetin e biznesit, mediat lokale, grupet vullnetare, dhe organizata të tjera vendore. Këshilli vepron sipas një rregulloreje të miratuar nga anëtarët e saj, ku përcaktohet qëllimi dhe struktura si dhe modalitetet e funksionimit, sekretariati, bashkëpunimi dhe raportimi. Rregullorja përcakton edhe krijimin e grupeve të përkohshme (ad hoc) sipas problematikave të veçanta në nivel vendor.

Vendimet e marra në këshill ofrohen në formën e rekomandimeve për institucionet vendore përgjegjëse, të cilat nga ana e tyre raportojnë për veprimtaritë e realizuara për trajtimin e çështjeve të sigurisë publike vendore. Ndryshe nga mekanizmat e tjerë ekzistues të referimit në nivel vendor që janë të kufizuara vetëm në aspektin e organizimit dhe funksionimit të sistemit, fushëveprimi i këshillit vendor të sigurisë është i pakufizuar për sa i përket tematikave që mbulon dhe çështjeve që trajton.

Në mungesë të një mekanizmi të krijuar posaçërisht për radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm, këshilli i sigurisë është forumi i duhur për të trajtuar shumë çështje vendore që nuk mund të trajtohen me mekanizmat vendore. Ai trajton faktorët shtytës drejt radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të tilla si përjashtimi, pabarazia, diskriminimi, mohimi i të drejtave dhe lirive civile si dhe faktorët tërheqës, përfshirë këtu ekzistencën e grupeve ekstremiste vendore dhe propagandën dhe predikimin e shtrembëruar të drejtuesve fetarë. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është fakti se këshilli vendor i sigurisë lehtëson komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy aktorëve kryesorë të sigurisë vendore: kryetarin e bashkisë dhe kreun e komisariatit të policisë.

Takimi i parë i këshillit të Bulqizës

Hapja dhe takimi i parë zyrtar i Këshillit Vendor për Sigurinë Publike në Bashkinë Bulqizë u bë më 12 shtator. Nën drejtimin nga kryetari i bashkisë, në takim morën pjesë 11 përfaqësues vendorë, përfshirë këtu prefekturën, policinë e shtetit dhe atë bashkiake, zyrën arsimore, spitalin, shërbimet sociale, shërbimin pyjor dhe mjedisin, koordinatorin e bordeve rinore dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) mbështeti hartimin e rregullores së brendshme që u miratua nga Këshilli. Gjatë takimit, Shefi i Policisë së Bulqizës dhe Drejtori i Zyrës së Arsimit dhanë një përditësim mbi sigurinë në Bulqizë dhe masat që po merren për shkolla më të sigurta. Pjesëmarrësit në takim ofruan komentet dhe takimi u karakterizua nga diskutime të larmishme.

Roli i të rinjve si katalizatorë të ndryshimeve

Roli aktiv i të rinjve, dhe më konkretisht i Koordinatorit të Bordit Rinor të Bulqizës, Fatri Puca, ishte mbresëlënës në takimin e parë të këshillit vendor të sigurisë. Si përfaqësues i grupit të përzgjedhur të nxënësve të shkollave të mesme, Fatriu ngriti disa shqetësime lidhur me sigurinë rrugore dhe konsumimin e drogës nga të rinjtë. Kërkesat dhe shqetësimet e këtij të riu ishin të drejtpërdrejta dhe të artikuluara mirë, pasi fjalët i dilnin nga zemra. Mes zërave të ndryshëm në këshill, zëri i Fatriut mbizotëronte dhe bëri që zyrtarët të ta dëgjonin me vëmendje. Madje, vetë Drejtori i Policisë e ftoi atë dhe shokët e tij për një vizitë në rajonin e policisë dhe e siguroi se Policia do të bëjë më shumë përpjekje për të trajtuar shqetësimet e të rinjve.

“Është e papranueshme që Policia nuk merr masa për të parandaluar disa individë që ngasin makinat si të çmendur në qytetin tonë duke rrezikuar jetën e njerëzve. Patrullat e policisë duhet të jenë të pranishme në çdo kohë dhe kudo ku janë nevojat e komunitetit, përfshirë këtu edhe shkollat ku shpërndarësit e drogës veprojnë pa asnjë pengesë“ – ishte apeli i Fatriut ndaj përfaqësuesve vendorë në këtë mbledhje të Këshillit Vendor të Sigurisë të Bulqizës.

Fuqizimi i të rinjve dhe trajnimi i tyre për tema të ndryshme janë një nga qëllimet kryesore të Projektit PLGP. Në korrik, anëtarët e Bordit Rinor të Bulqizës u trajnuan për advokim dhe lobim si mjete për të ngritur kapacitetet e të rinjve në prezantimin me forma pozitive të pjesëmarrjes përmes advokimit. Gjatë këtij trajnimi specifik, të rejat e të rinjtë përvetësuan aftësi të reja dhe diskutuan për disa nga përvojat e tyre të suksesshme në këtë drejtim në komunitetin e tyre. Këto aftësi të reja i fuqizojnë të rinjtë të flasin dhe të shprehin problemet dhe shqetësimet e tyre. Për ta është më e rëndësishme të dëgjohen, jo thjesht në një mbledhje të këshillit të sigurisë, por edhe në të gjitha forumet ku ata mund të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.

 

Foto nga Erald Lamja

Comments are closed.