Arsimi parashkollor ndërthurur me financat dhe qeverisjen vendore
28 Prill, 2020
Fuqizimi i grave me stimuj vendorë
28 Prill, 2020

Nga Elton Stafa

Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri përballen me shumë sfida teksa punojnë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në arsim, mbrojtje sociale dhe kujdes shëndetësor. Pengesat kryesore përfshijnë rregullimin e paqëndrueshëm të roleve dhe përgjegjësive mes niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe mungesës së sistemeve të përshtatshme të financimit, të cilat shpesh çojnë në mangësi dhe dobësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët

Për të ofruar këshilla dobishme për politikëbërësit shqiptarë që po përballen me problematika të reja se si duhet të rregullohen dhe financohen përgjegjësitë e decentralizuara të arsimit, mbrojtjes sociale dhe kujdesit shëndetësor, Projekti PLGP do të ndajë praktikat më të mira bazuar në përvojat e vendeve të tjera të rajonit që janë përballur me sfida të ngjashme në të kaluarën. Projekti po përgatit një Sondazh Krahasues Rajonal “Praktikat më të mira në financimin e përgjegjësive të qeverisjes vendore në sektorin e mirëqenies sociale në Evropën Juglindore”.

Ky studim do të ndërthurë informacionin për rregullimin dhe financimin e përgjegjësive të qeverisjes vendore në sektorët e arsimit, mbrojtjes sociale dhe kujdesit shëndetësor nga vendet fqinje me Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. Qeveritë vendore në këto vende kanë përvojë më të pasur në ofrimin e këtyre shërbimeve dhe për këtë arsye kanë përvoja që mund t’i ndajnë me të tjerë dhe që mund të jenë të dobishme për politikëbërësit në Shqipëri.

Nga rezultatet e sondazhit do të identifikohen praktikat më të mira, standardet dhe mekanizmat aktualë të financimit si dhe sistemet e monitorimit dhe raportimit nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania. Janë përzgjedhur këto vende, pasi ato kanë hasur të njëjtat çështje me të cilat përballen tani politikëbërësit shqiptarë në përpjekjet e tyre për të përmirësuar rregullimin dhe financimin e përgjegjësive në arsimin parashkollor, mbrojtjen sociale dhe kujdesin shëndetësor.

Përvojat, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra do të luajnë një rol kryesor në ‘ndriçimin’ e rrugës ku po ecën Shqipëria. Ky studim krahasues rajonal do të përgatitet në partneritet me Rrjetin e Shoqatave të Autoriteteve Vendore të Evropës Juglindore (NALAS). Sondazhi krahasues do të pasohet nga një konferencë rajonale për shkëmbimin e njohurive “Praktikat më të mira në financimin e përgjegjësive të qeverisjes vendore në sektorin e shërbimeve sociale: Përvoja e Evropës Juglindore dhe Sfidat që has Shqipëria”, ku do të mblidhen të zgjedhur vendorë, politikëbërës, dhe përfaqësues të shoqatave të qeverisjes vendore me kolegët e tyre nga vendet e rajonit.

Në këtë sondazh krahasues dhe në konferencën rajonale do të jepet një panoramë e përgjegjësive të bashkive në sektorin e shërbimeve sociale dhe do të bëhet e mundur që politikëbërësit dhe aktorët vendorë të kuptojnë më mirë problemet madhore të organizimit dhe financimit aktual të këtyre përgjegjësive në Shqipëri.

Këto hapa do të ndihmojnë më pas në evidentimin e praktikave më të mira për mënyrën se si mund të bëhet më i qëndrueshëm, transparent, i drejtë dhe i parashikueshëm sistemi i financimit dhe qeverisjes vendore për përgjegjësitë e decentralizuara në shërbimet sociale.

Comments are closed.