Gazeta Nr. 10 e Projektit të USAID-it
02/08/2018
Ujësjellës-Kanalizime Elbasan – i pari në Shqipëri që ka përfunduar bazën e të dhënave të inventarit të aseteve
14/08/2018

Gjatë shtatë viteve të veprimtarisë së tij, Projekti i USAID-it ka mbështetur stafin dhe drejtoritë e financës dhe taksave vendore të bashkive partnere duke u dhënë asistencë teknike, duke organizuar trajnime për ngritje kapacitetesh, trajnime në vendin e punës dhe këshillime e orientime sipas kërkesës. Nëpërmjet kësaj asistence është synuar të rriten kapacitetet teknike me qëllim përmirësimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor, zgjerimin e bazës së taksueshme për rritjen dhe mobilizimin e të ardhurave nga burimet e veta si dhe zhvillimin e metodave alternative për rritjen e të ardhurave nga burimet e veta.

Projekti i USAID-it ka vijuar me mbështetjen për bashkitë partnere për ngritjen e kapaciteteve vendore pas reformës administrative-territoriale, e cila bënte të nevojshme transferimin e përgjegjësive të shoqëruar me burime të mjaftueshme dhe fuqizimin e mëtejshëm të njësive vendore për gjenerimin e të ardhurave nga burimet e veta. Po ashtu, këto përgjegjësi u kërkojnë NJQV-ve të përmirësojnë shërbimet dhe qeverisjen e mirë së bashku me efikasitetin dhe të fuqizojnë qeverisjen vendore dhe qytetarët e tyre.

Në nivel kombëtar, nga fundi i vitit 2017, qeveria shqiptare vijoi me punën për reformimin e politikës së taksës së pasurisë – duke kaluar tashmë në një sistem sipas vlerës së tregut për taksimin e ndërtesave. Ajo që është më e rëndësishme është se po bëhen përpjekje për të krijuar një regjistër fiskal kombëtar për të lidhur pronën me taksapaguesin. Në 7 mars 2018 MFE finalizoi metodologjinë e taksës së ndërtesës.

Prezantimi i bazës kombëtare të të dhënave për qëllime taksimi të ndërtesës së bashku me aplikimin e metodologjisë së re do të ndihmojnë në unifikimin e përdorimit të metodologjisë dhe në forcimin e sistemit tek të gjitha bashkitë. Duke pasur parasysh përgjegjësitë e mëdha të NJQV-ve në këtë proces, afatin e shkurtër të zbatimit të kësaj politike dhe nevojave të ngutshme të zyrtarëve vendorë për tu njohur me aplikimin e kësaj metode, Projekti i USAID-it ka nisur tashmë punën duke ofruar mbështetje teknike dhe këshilla praktike për zyrtarët vendorë të bashkive partnere për të kuptuar dhe zbatuar sa më mirë metodologjinë e taksës së ndërtesës.

Në përgjigje të kërkesës së MFE-së dhe nevojës së bashkive për sqarime për sa i përket metodologjisë së re, Projekti i USAID-it bashkëpunoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë për organizimin e tre trajnimeve me drejtues e përfaqësues të drejtorive të taksave nga të gjitha bashkitë e vendit për të prezantuar metodologjinë e re, për marrjen e sugjerimeve për këtë metodologji, për të mësuar në lidhje me shqetësimet e tyre për aplikimin e saj dhe për të mësuar nga përvojat dhe praktikat më të mira në zbatimin e saktë të metodologjisë së re për taksën e ndërtesës dhe maksimizimin e vlerësimit të saj.

Në të tre trajnimet që u organizuan në Elbasan, Fier dhe Lezhë gjatë muajit prill pati një interes shumë të madh për të mësuar për këtë metodologji të re por me mjaft sfida. Nga këto trajnime pjesëmarrësit përfituan shumë duke u njohur nga afër e duke kuptuar më mirë ndryshimet e fundit ligjore për taksën e pasurisë mbi ndërtesat dhe kadastrën fiskale, duke evidentuar nevojat e NJQV-ve për trajnime dhe asistencë teknike në të ardhmen dhe rritjen e dialogut dhe konsultimit mes NJQV-ve dhe MFE për implikimet e reformës së taksës së pasurisë.

Duke u fokusuar veçanërisht në rritjen e aftësive teknike dhe përmirësimin e sistemit për administrimin e të ardhurave vendore, ekspertët e Projektit të USAID-it përgatitën një udhëzues/rregullore model në ndihmë të NJQV-ve për procedurat që duhet të ndiqen për procesin e apelimit administrativ të taksave vendore, përfshirë këtu edhe taksën e ndërtesës. Ky udhëzues do të shërbejë si model për të gjitha bashkitë e vendit teksa ato hartojnë rregulloret e brendshme për procedurat e apelimit tatimor në nivel vendor.

Comments are closed.