#TiNukJeVetëm – Hapja e derës për viktimat e dhunës në familje
16/09/2020
Planifikimi fiskal fuqizon njësitë vendore për rritjen e mbështetjes për qytetarët
16/09/2020

Të rinjtë në Shqipëri shpesh përballen me agresion dhe dhunë dhe janë të ekspozuar ndaj faktorëve të tjerë të rrezikut që çojnë në lloje të ndryshme abuzimi. Gjithsesi, rritja e ndërgjegjësimit për këta faktorë dhe përgatitja për reagimin e duhur mund të zbusin këto rreziqe dhe të ndërtojnë shoqëri më të sigurta. Në përpjekje për të përgatitur dhe fuqizuar të rinjtë për të identifikuar rreziqet dhe për të trajtuar situatat e konfliktit, Projekti PLGP ndërmori një sërë aktivitetesh për ngritjen e kapaciteteve, dy prej të cilave ishin edhe Nisma “Fuqizim përmes Vetëmbrojtjes” me vajza dhe djem të rinj nga gjashtë këshillat rinorë dhe trupat e vajzave skautiste.

Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet vetëmbrojtjes

Për t’u bërë të mundur të rinjve të identifikojnë dhe trajtojnë situatat e konfliktit, Projekti PLGP ka ndërmarrë Nismën “Fuqizim përmes Vetëmbrojtjes” me vajza dhe djem të rinj nga gjashtë këshillat rinorë në bashkitë partnere Bulqizë, Cërrik, Dibër, Kamzë, Librazhd, dhe Pogradec.

Nisma “Fuqizim përmes Vetëmbrojtjes” i përshtatur për gratë, fëmijët dhe të rinjtë përfshin aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me format e ndryshme të dhunës me fuqizimin nëpërmjet mësimit të teknikave të thjeshta të vetëmbrojtjes. Programi kombinon aktivitete ndërgjegjësimi për format e ndryshme të dhunës me fuqizimin përmes zhvillimit të teknikave të thjeshta e të lehta për t’u përdorur për vetëmbrojtje. Në sajë të kësaj nisme u fuqizuan plot 213 vajza dhe djem nga këto këshilla rinorë dhe përmes tyre edhe familjet dhe komunitetet e tyre, në mënyrë që të parandalojë situatat e abuzimit, dhunës, ngacmimit, krimit dhe viktimizimit, dhe hedhë poshtë mitet për dhunën ndaj vajzave dhe djemve. Këto trajnime i pajisën të rinjtë me aftësinë për të parandaluar, rezistuar, shpëtuar dhe mbijetuar situatave të abuzimit fizik dhe emocional dhe shkuan përtej aftësimit fizik me qëllim që të mundësohet ndërgjegjësimi psikologjik si dhe aftësia verbale për trajtimin e situatave abuzive.

 “Jam shumë i lumtur që mora pjesë në këtë trajnim. Tani ndjehem më i fortë dhe më i përgatitur për të përballuar situata të vështira. Mësuar për fuqinë e fjalës, rëndësinë e caktimit të kufijve dhe kontrollit të ndjenjave dhe mendjes,” u shpreh 16-vjeçari Kleart nga Këshilli Rinor i Pogradecit.

Trajnimi bëri të mundur që të rinjve nga bordet rinore t’u rritet vetëvlerësimi dhe vetëbesimi teksa mësuan strategji dhe mjete praktike për t’iu përgjigjur situatave duke përdorur etikën e shkaktimit të sa më pak dëmi në zgjidhjen e konflikteve.

 “Ky program ishte një përvojë e shkëlqyer. Nuk e dija që kisha gjithë këtë fuqi. Trajnimi më bëri të largoja frikën për sigurinë fizike dhe më bëri që të fitoj vetëbesim dhe vetëkontroll,” u shpreh Hera, një 17-vjeçare nga Bordi Rinor i Dibrës.

Përfitimet nga programi janë të shumta si për të rinjtë ashtu edhe për komunitetet e tyre. Të rinjtë dhe të rejat që morën pjesë në këtë program kanë treguar më shumë besim te vetja dhe te njëri-tjetrit dhe vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënie që përmirësohen vazhdimisht mes bordeve rinore dhe mes vetë të rinjve. Në sajë të trajnimeve nga ky program u pakësua frika që vjen nga sulmet e mundshme të papritura dhe të rinjtë u pajisën ata me teknika për vetëmbrojtje efektive, duke zgjatur rrethin e sigurisë që është thelbësore për të krijuar qëndrueshmëri tek të rinjtë dhe komunitetet në të gjithë vendin.

 “Unë do ta përshkruaja këtë program si një kombinim i shkëlqyeshëm i emocioneve, energjisë, adrenalinës dhe fuqizimit. Ishte një përvojë shumë e dobishme të cilën do ta kujtoj gjithmonë, sepse më mësoi të isha e fortë dhe të dija si të mbroja veten ose një shoqe apo shok në nevojë,” – tha Arjola një 18-vjeçare nga Bordi Rinor i Dibrës.

Hedha e bazave të forta për udhëheqësit e së ardhmes

Skautistet e Shqipërisë u krijua në shtator të vitit 2016 me mbështetjen e Shoqatës Botërore të Vajzave Skautiste dhe Guide dhe Korpusit të Paqes Shqipëri. Skautizimi bazohet në arsimin joformal dhe të mësuarit me pjesëmarrje. Kjo metodë ndërthur lojëra dhe aktivitete për të krijuar sfida që vajzat nxiten t’i zgjidhin vetë, një mënyrë praktike që skautistët mësojnë dhe krijojnë vetëbesim.

I frymëzuar nga programet e skautizmit të krijuara nga Korpusi i Paqes, PLGP ngriti gjashtë grupe vajzash skautiste (dy në Kamzë dhe katër në Pogradec) në vitin 2020. Për të filluar këtë proces, PLGP punoi me përfaqësues të Shoqatës “Skautistet e Shqipërisë” që punojnë në Bathore (Kamzë) dhe te Shoqata “Unë Gruaja” në Pogradec. Drejtuesit dhe bashkë-drejtuesit e këtyre trupave u identifikuan në të dy komunitetet dhe u trajnuan për krijimin dhe menaxhimin e trupave të skautisteve, duke përfshirë këtu detyra të tilla si zgjedhja e skautisteve, hartimi i planeve të veprimit dhe kryerja e takimeve dhe aktiviteteve të rregullta.

“Unë jam një mësues në pension që kam rritur breza të tërë të rinjsh në Pogradec. Nga përvoja ime, besoj se fuqizimi i vajzave fillon në faza shumë të hershme dhe është thelbësor për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Kisha mësuar për vajzat skautiste nga filmat amerikanë dhe nuk mund ta besoja se ato do të ishin një realitet edhe në komunitetin tonë! Isha aq e entuziazmuar që u bashkova me këtë nismë të mbështetur nga Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore dhe për të krijuar grupin e parë vajzave skautiste në Pogradec, të quajtur “Fuqia e Vajzave”. Vajzat nga ky grup kanë vendosmërinë dhe pasionin për t’u bërë gra të forta e të suksesshme. Kemi organizuar aktivitete të ndryshme dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, jo vetëm sepse vajzat janë të gëzuara që janë pjesë e këtyre grupeve, por edhe prindërit e tyre janë shumë të lumtur që po merren me aktivitete që mbështesin zhvillimin e tyre. Kjo është përvoja më e mirë e udhëheqjes për vajzat në këtë moshë. Jam e sigurt që skautistet do ta bëjnë komunitetin tonë një vend më të mirë për të jetuar,” tha Shpresa Nikolla, Drejtuese e Vajzave Skautiste.

Si pjesë e këtyre grupeve, mbi 60 vajza (të moshës 6 – 14 vjeç) u përfshinë në aktivitete të rëndësishme të komunitetit, duke udhëhequr programe për mjedisin dhe riciklimin, duke mbledhur fonde për aktivitete ndërgjegjësimi, dhe duke mësuar aftësi për jetën, si gatimi dhe thurja. Programi u ofron këtyre skautisteve mjetet që do të mbështesin zhvillimin e tyre personal dhe do t’i përgatisin për sukses gjatë gjithë jetës. Përmes aktiviteteve reflektuese dhe punës në grup, ato mund të fitojnë aftësitë e nevojshme për të rritur vetëbesimin, për të identifikuar dhe zgjidhur problemet në komunitetet e tyre, për të shfaqur vlera pozitive dhe për të formuar dhe ruajtur marrëdhënie të shëndetshme.

 “Të jesh pjesë e skautisteve është e paparë. Argëtohem kaq shumë. Kam zënë shoqe të reja dhe kalojmë shumë kohë së bashku dhe bëjmë plane për aktivitete të reja,” u shpreh Naomi Mato, një skautiste 10-vjeçare. “Flasim edhe për profesionin e së ardhmes dhe se si do të bëhemi gra të forta në të ardhmen.”

Grupet skautiste ofrojnë përvojat bazë që janë me përfitim për vajzat duke i shoqëruar ato gjatë gjithë jetës dhe që bëjnë jehonë edhe në komunitetet e tyre.

Duke përvetësuar aftësi të të menduarit kritik dhe rritur gatishmërinë fizike për t’iu përgjigjur në kohë rrezikut, të rinjtë dhe të rejat janë në gjendje të zgjerojnë rrethin e tyre të sigurisë. Krijimi i marrëdhënieve të shëndetshme shpërbën ciklin e dhunës dhe hedh bazat për një ndërveprim pozitiv teksa të rinjtë e të sotmes rriten dhe bëhen drejtuesit e komunitetit në të nesërmen. Projekti PLGP është krenar që i ka dhënë mbështetje bashkive partnere për rritjen e potencialit dhe shpreson që në të ardhmen këta të rinj e të reja të mrekullueshëm të vazhdojnë të rriten për t’u bërë udhëheqës.

Comments are closed.