Programi për të rinjtë mundëson qëndresën dhe kultivon drejtuesit e së ardhmes
16/09/2020
Formalizimi, baza materiale dhe rritja e aksesit fuqizojnë gratë prodhuese
16/09/2020

Qeveria duhet t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve të saj si gjatë krizave ashtu edhe në veprimtarinë e saj të përditshme. Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri për të ofruar ngritje kapacitetesh dhe trajnime për stafin, duke forcuar aftësinë e tyre për ta kaluar këtë mbështetje tek komunitetet e tyre. Në vitin 2020, Eksperti i Financave Vendore iu përgjigj kërkesës për të ofruar asistencë dhe për të hedhur bazat e një rritje afatgjate ekonomike nëpërmjet të njëjtit instrument: ristrukturimi fiskal.

Pas ndryshimeve të detyruara për shkak të pandemisë COVID-19, shumë familje në të gjithë Shqipërinë po kërkojnë dëshpërimisht ndihmën bazë. Në përgjigje të rasteve të konfirmuara të koronavirusit brenda kufijve të vendit, qeveria shqiptare ndërmori hapa të shpejtë: mbylli shkollat dhe disa lloje biznesesh që nuk janë shumë të nevojshme në kohë krize si dhe pastroi rrugët brenda një jave. Me shumë familje që ende po rimarrin veten nga tërmeti 6.4 ballësh në nëntor të vitit të kaluar dhe ku burimet e të ardhurave papritmas u ndërprenë ose u ulën në mënyrë drastike, shumë bashki u përballën me një mori kërkesash për ndihmë. Edhe marrja e disa shërbimeve (përfshirë këtu dyqanet ushqimore dhe farmacitë) u ndikua jashtëzakonisht shumë, ku një numër i konsiderueshëm familjesh nuk ishin më në gjendje të udhëtonin pas ndërprerjes së transportit publik dhe pas mbylljes së kufijve duke u hequr kështu këtyre familjeve mbështetjen nga anëtarë që kanë emigruar. Pas miratimit të paketave fiskale dhe buxheteve përkatëse për vitin 2020, kryetarët e bashkive u angazhuan për t’iu përgjigjur nevojave në rritje dhe kërkesës për ndihmë nga qytetarët e tyre dhe në këtë kohë vështirësish, bashkitë iu drejtuan Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore për ndihmë për mijëra familje që po hasnin vështirësi në sigurimin e ushqimeve bazë.

Në këto familje bënin pjesë grupe popullatash të margjinalizuara, si të moshuar, njerëz me aftësi të kufizuara, gra kryefamiljare, dhe viktima të dhunës në familje. Si përgjigje, Eksperti i Financat Vendore i Projektit PLGP i ofroi punonjësve të financave të bashkive këshilla dhe sugjerime për forma alternative për organizimin e takimeve të këshillave bashkiakë në bashkitë tona partnere: Bulqizë, Cërrik, Dibër, Kamzë, Librazhd, dhe Pogradec.

Pas rivlerësimit të buxheteve vendore, kryetarët e bashkive janë në gjendje të rishpërndajnë fondet me miratim nga këshilli bashkiak, duke rritur përqindjen e totalit të buxhetit vjetor të përcaktuar për fondet e emergjencës dhe duke u mundësuar kështu këtyre njësive vendore të shpërndajnë ushqime dhe paketa ndihmash për familje në nevojë. Kalimi i fondeve në këtë mënyrë u bën të mundur bashkive t’u ofrojnë qytetarëve mbështetje në mënyrë transparente në kohë reale.

Në Bulqizë, Koordinatori për Asistencën e Huaj shprehu mirënjohjen e bashkisë së tij duke thënë: “Dua të falënderoj Projektin e USAID-it për punën dhe angazhimin e tij në ndihmë të Bashkisë Bulqizë me informacione dhe rekomandime mjaft të vlefshme për mënyrën e përballimit të kësaj situate të fatkeqësisë natyrore.

Disa nga hapat që ndërmori Bashkia Bulqizë janë kalimi i një fondi prej 3 milionë lekë në mbështetje të familjeve në nevojë, mbështetje me ushqime për mbi 200 familje në dy muajt e fundit dhe organizimi i vullnetarëve dhe bizneseve për të ndihmuar dhe kontribuuar në këtë mbështetje.

“Nuk na kishte mbetur asnjë ushqim në shtëpi. Këto pako ushqimore më sigurojnë ushqim për familjen dhe na ndihmojnë të mbijetojmë në këto kohë të vështira,” tha një nënë kryefamiljare me tre fëmijë në Cërrik.

Edhe Bashkia Cërrik kaloi fonde në buxhetin e saj të vitit 2020 për të mundësuar më shumë fonde në fondin e emergjencave për ndihmë ushqimore për grupet e margjinalizuara në këtë bashki, përfshirë të moshuar që jetojnë vetëm, njerëz me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë.

Një reagim i shpejtë i tillë është një shembull i përsosur i qeverisë së përgjegjshme. Gjithsesi, mbështetja e Projektit PLGP shkoi përtej rikuperimit drejt e në planifikim për rritjen e ardhshme ekonomike të bizneseve të reja pas kësaj kohe krizash.

Fuqizimi i të rinjve dhe të rejave nëpërmjet stimujve vendorë

Rritja e aktivitetit ekonomik përmirëson aftësinë e grave dhe të rinjve për të kontribuuar në qëndresën e komunitetit, përfshirë këtu probleme të mëdha për Shqipërinë si dhuna në familje dhe ekstremizmi i dhunshëm. Projekti PLGP punoi në nivel vendor për të mbështetur gratë dhe të rinjtë si sipërmarrës përmes një qasje të dyanshëm, duke përdorur trajnime për krijimin e kapaciteteve dhe asistencën me materiale për të fuqizuar individët dhe rrethin e tyre duke ndërhyrë tek bashkitë për të mundësuar stimuj ekonomikë.

Për të identifikuar zinxhirët e vlerës, gratë pjesëmarrëse, si dhe aktivitetet që do të kishin ndikimet më transformuese, PLGP zhvilloi një analizë të zinxhirit të vlerës me ndjeshmëri gjinore – e para në Shqipërisë për të evidentuar kontributet ekonomike dhe potencialin e grave. Ekspertët e çështjeve gjinore dhe ekonomike të Projektit PLGP evidentuan se mbështetja e tyre për aktivitetin ekonomik dhe sipërmarrjen e grave mund të amplifikohet duke shfrytëzuar marrëdhëniet e krijuara të projektit me bashkitë.

Tarifat vendore përcaktohen dhe administrohen në përputhje me Ligjin Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, në të cilin thuhet, “e drejta e NJQV-ve për të vendosur taksa dhe tarifa vendore për shërbimet e kryera, si dhe nivelin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe interesat e bashkisë”.

Si rezultat i mbështetjes dhe këshillimit për stafin vendor, të gjashtë bashkitë partnere të Projektit PLGP morën një vendim në këshillat e tyre bashkiakë për uljen e tarifave për bizneset e reja që hapen nga gratë dhe të rinjtë në bashkitë Bulqizë, Cërrik, Dibër, Kamzë, Librazhd, dhe Pogradec.

Për bizneset e reja të administruara nga vajzat dhe gratë, tarifat vendore ulen me 20-505 për vitin e parë të punës.

Bizneset e reja të hapura nga individë të moshës nën 25 vjeç përfitojnë një ulje të tarifave vendore në rreth 20-50% (në varësi të bashkisë) për vitin e parë të biznesit të tyre.

Gjatë prezantimit të buxhetit vjetor në Këshillin Bashkiak Kryetari i Bashkisë Cërrik, Andis Salla deklaroi: “Ideja është e thjeshtë dhe bën shumë sens, kur gratë dhe të rinjtë fuqizohen ekonomikisht dhe janë pjesë e vendimmarrjes në komunitetet e tyre, shoqëritë janë më kohezive dhe më paqësore.”

Që në fillim të vitit 2020, në bashkitë partnere të Projektit PLGP kanë përfituar 11 gra dhe vajza nga stimujt ekonomikë dhe janë hapur e regjistruar biznese të reja që ofrojnë mallra dhe shërbime si veshmbathje, parukeri, dhe rrobaqepësi.

“Mësova për këtë program nga një shoqja ime dhe vendosa të aplikoj për të parë se ç’do të ndodhte. Nuk ishte e lehtë të kaloje gjithë ato procedura, por stafi i bashkisë më ndihmoi shumë. Nuk bëhet fjalë për shumë lekë, por që gjithsesi ia vlen. Pagova 25% më pak në taksa dhe tarifa vendore. që nga janari i këtij viti jam pronarja e një biznesi të vogël veshjesh. Pandemia ma bëri të vështirë por jam e lumtur që edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë po ndihmoj familjen dhe po ofroj më shumë për rritjen e fëmijëve,” tha Shkurta, një pronare e re biznesi nga Cërriku.

Ulja e taksave dhe tarifave vendore për gratë pritet të ndikojë jo vetëm në përfshirjen dhe fuqizimin e tyre në aktivitetet ekonomike, por do të ndryshojë edhe dinamikën në familje dhe rolin e grave në komunitet. PLGP siguroi mbështetje plotësuese – asistencë teknike dhe bazë materiale – për gratë që morën stimuj fiskalë vendorë për të rritur mundësitë e tyre për një sipërmarrje të suksesshme dhe për të rritur ndikimin ekonomik të punës së tyre për ta, familjet e tyre dhe komunitetin në përgjithësi.

Planifikimi strategjik fiskal, nëpërmjet rialokimit të buxhetit dhe uljes së tarifave, i kanë bërë të mundur partnerëve të Projektit PLGP të ofrojmë mbështetje për qytetarët gjatë gjithë periudhës së pandemisë Covid-19 dhe krijoi mundësi për rritje dhe qëndresë për të ardhmen.

Comments are closed.