Përmirësimi i ofertës turistike në Berat
Mars 12, 2019
Rëndësia e këshillave vendorë të sigurisë dhe roli i të rinjve si katalizatorë të ndryshimeve
Mars 12, 2019

Nga Ledio Allkja dhe Rudina Toto – 

Planifikimi i territorit ka evoluar shumë në Shqipëri në vitet e fundit duke bërë një hap përpara cilësor drejt zhvillimit të integruar hapësinor. Planifikimi konsiderohet tashmë si mjet dhe proces i vlefshëm që mundëson zhvillimin e qëndrueshëm.

Një ndryshim i rëndësishëm në legjislacion shqiptar ishte kalimi nga planifikimi dhe zhvillimi i bazuar në parcelë tek ai i bazuar në zonë, gjë që trajton përfshirjen e interesave të ndryshme publike dhe private në zhvillimin efikas dhe të drejtë të tokës. Planifikimi dhe zhvillimi sipas zonave garanton respektimin gjatë gjithë procesit të parimeve të barazisë, proporcionalitetit dhe përfshirjes. Së bashku me përpjekjet dhe nismat për hartimin e planeve gjithëpërfshirëse të territorit, qasja e zhvillimit sipas zonës është një hap drejt institucionalizimit të një kulture të re të planifikimit dhe zhvillimit në Shqipëri. Projekti PLGP ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në këtë drejtim, duke ndihmuar 5 bashki partnere në përgatitjen e Planeve të Përgjithshme Vendore të Territorit (PPV), duke përgatitur instrumente për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, dhe përmes trajnimeve dhe asistencës së drejtpërdrejtë të ofruar në nivel vendor. Në bashkëpunim me qeverinë qendrore, Projekti i ka shtrirë njohuritë dhe modelin e tij të punës në nisma të tjera planifikimi dhe zhvillimi në Shqipëri.

Sidoqoftë, sfida për planifikimin në Shqipëri qëndron në zbatimin e tij, ku planet të detajuara vendore (PDV) shihen si një nga instrumentet kyçe për të zbatuar qasjen e zhvillimit sipas zonës. PDV-të aplikohen në sipërfaqe më të vogël territori, për rizhvillimin urban (të lagjeve) dhe/ose për planifikimin në nivel komuniteti. Aktualisht po bëhen përpjekje për t’i sjellë PDV-të nga perspektiva mjaft e ngushtë e përdorimit dhe shpërndarjes së aktiviteteve social-ekonomike në hapësirë drejt instrumenteve që ofrojnë një potencial të madh në nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor dhe që bëjnë të mundur thithjen e financimeve për infrastrukturën dhe interesat publike.

Për thithjen e financimeve, PDV-të duhet të shoqërohen me studime financiare dhe vlerësime të fizibilitetit, të cilat të jenë të hapura dhe transparente për publikun e gjerë. Duke qenë se zhvilluesit privatë dhe/ose pronarët e tokave kryejnë vlerësime të tilla, bashkitë, si përfaqësues të interesave publike dhe garantues të përfitimeve të komunitetit, duhet të përfshihen edhe ato në vlerësimin e mundësive financiare. Ato duhet të bëjnë të mundur që komunitetet të marrin përfitime që tejkalojnë kostot e zhvillimit të tokës si dhe të garantojnë që edhe zhvillimi ekonomik të përhapet në mënyrë proporcionale në të gjithë territorin.

Në mungesë të përvojave të mëparshme në Shqipëri, ekspertët e Projektit PLGP ndërtuan një model për studimet e fizibilitetit për PDV-të, të cilat u zbatuan në bashkëpunim me bashkitë partnere të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Në rastin e Fierit, u shqyrtuan dhe u vlerësuan financiarisht një sërë opsionesh për të mundësuar ndërtimin e një pallati sporti si pjesë e një plani më të gjerë rigjenerimi të bregut të lumit. Bashkia e Elbasanit synon të ndërtojë një terminal multimodal. Studimi i fizibilitetit ofronte zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata, duke lehtësuar kështu vendimmarrjen dhe komunikimin e bashkisë me qytetarët lidhur me këtë investim të ardhshëm publik. Bashkia e Tiranës planifikon të përfundojë një nga rrugët e unazës së qytetit, duke reduktuar (të paktën) kostot e shpronësimit dhe (në skenarin më të mirë) kapjen e një pjese të vlerës së rritur të tokës. Në studimin e fizibilitetit të PDV-së propozohen opsione të ndryshme për të arritur në rezultatin më optimal të mundshëm për të gjithë palët e interesuara, duke përfshirë komunitetin në përgjithësi.

Këto janë tre studime komplekse që lidhin projekte publike strategjike me rizhvillimin urban dhe investimet private. Këto studime ofrojnë zgjidhje të plota për bashkitë si dhe transparencë më të madhe në komunikim me komunitetin, pronarët e tokave dhe zhvilluesit privatë. Megjithatë, ka edhe raste më të thjeshta të PDV-ve, ku studime të tilla nuk janë gjithmonë të nevojshme. Pavarësisht nëse nevojiten studimet financiare apo jo, duhet të merren parasysh gjithmonë dy aspekte kyçe për të lehtësuar procesin e zhvillimit: pronësia e tokës dhe kapacitetet vendore. Kjo e fundit na kujton nevojën për të trajtuar zhvillimin e tokës dhe zhvillimin ekonomik vendor si dy procese të ndërlidhura ngushtë ku krijohen mundësi për vende të reja pune dhe një klimë më e mirë biznesi. Tryezat e organizuara nga Projekti PLGP për qasjet dhe praktikat e PDV-ve vazhdimisht kanë theksuar se si zhvillimi i tokës çon në zhvillimin ekonomik së bashku me sigurimin e njohurive praktike për ngritjen e kapaciteteve të funksioneve të bashkisë në trajtimin e këtij zhvillimi ekonomik. Si rezultat i bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, nga këto tryeza të rrumbullakëta kanë përfituar jo vetëm bashkitë partnere të Projektit PLGP, por të gjitha 61 bashkitë në vend.

 

Foto nga Erald Lamja

Comments are closed.