Dialogu dhe konsultimet ndërqeveritare sjellin politika më të mira
Tetor 9, 2019
Qeverisja transparente është një qeverisje e mirë
Tetor 9, 2019

Nga Elton Stafa

Reforma e financimit të arsimit parashkollor, krijimi i një shoqërie më gjithëpërfshirëse e më të qëndrueshme

Arsimimi që në fëmijërinë e hershme është veçanërisht i rëndësishëm për përmirësimin e mundësive për arsim dhe për cilësinë në përgjithësi të jetës së fëmijëve, veçanërisht të atyre që vijnë nga familje të varfra apo të margjinalizuara, dhe mundëson rrugën për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më paqësore dhe më të qëndrueshme. Projekti PLGP vazhdon të lobojë dhe të punojë në mbrojtje të avancimit të mëtejshëm të reformës në financat e arsimit parashkollor, që u nisën në vitin 2019.

Në muajin qershor të këtij vit, Projekti PLGP së bashku me MFE dhe Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASR) organizuan një diskutim në tryezë të rrumbullakët ku morën pjesë mbi 40 ekspertë të financave dhe arsimit nga njësi të vetëqeverisjes vendore, MFE, dhe MASR për të diskutuar në lidhje me hapat e mëtejshëm në procesin e përmirësimit të financave të arsimit parashkollor. Diskutimet u fokusuan në katër fusha kryesore:

  • Sigurimi që sistemi i financave të arsimit parashkollor të jetë më i barabartë, më transparent, imë i parashikueshëm dhe më i qëndrueshëm;
  • Ofrimi i financimit për të mbuluar kostot e njohura të shërbimeve mbështetëse dhe të materialeve;
  • Zbatimi i një programi për t’u siguruar të gjithë fëmijëve të arsimit parashkollor të paktën një vakt në ditë;
  • Reformimi i drejtorive të dekoncentruara rajonale dhe vendore të arsimit.

Të marrë së bashku, këto përpjekje do të përmirësonin dukshëm cilësinë e arsimit parashkollor dhe nivelin e frekuentimit si dhe do të punonin njëkohësisht për të zbutur varfërinë, për të përmirësuar barazinë gjinore dhe nxitjen e zhvillimit dhe kohezionit social në Shqipëri. MFE dhe MASR janë të angazhuara për të vazhduar diskutimet në këtë linjë.

Në janar 2019, pas më shumë se një vit diskutimesh, konsultimesh dhe bashkëpunimi të suksesshëm mes Projektit të USAID-it, MFE-së dhe MASR-së, qeveria shqiptare vendosi të rrisë nivelin e financimit për arsimin parashkollor me 10%, duke siguruar kështu fonde të tjera për ato njësi të qeverisjes vendore që kishin nevojë urgjente për edukatore të tjera, matur sipas raportit nxënës-mësues. Ajo që është më e rëndësishme, sistemi i financimit u përmirësua për sa i përket barazisë dhe parashikueshmërisë, duke u fokusuar kryesisht në numrin e nxënësve, siç kërkohet në legjislacionin shqiptar dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky ndryshim solli si rezultat një ulje në përgjithësi të numrit të nxënësve për klasë, nga 18 në 15 fëmijë të arsimit parashkollor për mësues. Efektet e kësaj reforme janë ndjerë më shumë në ato bashki, si Tirana, Durrësi, Kamza, Kruja dhe Kukësi, që kanë klasa të mbingarkuara në institucionet e arsimit parashkollor.

Në përgjithësi, si rezultat i punës së Projektit të USAID-it, nga rregullimi i numrit të nxënësve në klasë do të përfitojnë më shumë se 52,000 fëmijë (71%) të moshës së arsimit parashkollor – që është një parakusht kryesor për përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së kopshteve dhe çerdheve. Ky ndryshim bën të mundur që brezi më i ri i Shqipërisë të jetë në gjendje të socializohet që në fazë të hershme, duke krijuar kështu mundësi për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Nga ana tjetër, një gjë e tillë u jep më shumë kohë nënave dhe anëtarëve të tjerë të familjes që kujdesen për fëmijët e vegjël të kenë mundësitë për të punuar jashtë shtëpisë, rrjedhimisht të kenë më shumë hapësira për në tregun e punës për këtë kategori më parë të përjashtuar nga ky treg.

Comments are closed.