Mbështetje bashkive për sigurim fondesh për projekte strategjike
Mars 12, 2019
Plani i detajuar vendor: Nga projekti në mundësi zhvillimi
Mars 12, 2019

Nga Erald Lamja dhe Nevila Popa – 

Këshilli i Beratit për Zhvillim Ekonomik Vendor i kushton vëmendje kërkesës së veçantë të tregut aziatik të turizmit

Berati është një destinacion ndërkombëtar kulturor për turistët. Duke ruajtur vlerat si pjesë e trashëgimisë botërore nga UNESCO, Berati ofron përvojë të paharrueshme për vizitorët e apasionuar pas kulturës, historisë, artit dhe natyrës.

Trashëgimia e pasur kulturore e arkitekturës së saj plotësohet nga natyra dhe peizazhet e bukura që rrethojnë qytetin. Përbërësit organikë të zonës janë baza e gatimeve të shijshme tradicionale që shërbehen me ngrohtësinë e mikpritjes për të cilët Shqipëria është kaq e njohur në botë. Krijimi kohët e fundit i katër njësive të reja administrative në Berat mund t’u ofrojë turistëve më shumë nga trashëgimia kulturore dhe natyrore, duke rritur aksesin dhe mundësitë që të rritet numri i vizitorëve që duan të përjetojnë qytetin dhe fshatrat e tij.

Në 2018, Berati u vizitua nga rreth 110,000 turistë, 60% e të cilëve ishin vizitorë të huaj. Në krahasim me vitin 2017, rritja shkon në 34%, gjë që tregon një tendencë të fortë të rritjes së këtij sektori për vitet e ardhshme.

Si rezultat i prioritetit të sektorit të turizmit në Bashkinë e Beratit dhe me kërkesën e sektorit privat, Këshilli i Beratit për Zhvillim Ekonomik Vendor u mblodh në takimin e fundit të vitit 2018 për të trajtuar kërkesën specifike të tregut aziatik të turizmit. Operatori më i madh shqiptar turistik në Japoni dhe në tregun aziatik, “Albania Experience”, paraqiti nevojat dhe kërkesat e këtij segmenti të tregut kur vizitojnë Beratin. Temat e prezantimit ishin: kërkesat nga tregu aziatik i turizmit, veçanërisht Japonia, lidhur me akomodimin; praktikat më të mira të ofruara në vende të ngjashme të trashëgimisë kulturore, në lidhje me aktivitete promovuese dhe festivale; dhe pikat e dobëta dhe sfidat nga sezoni i fundit i turizmit në Shqipëri.

Takimi përfundoi me një premtim për të shtuar më shumë struktura akomodimi në 2019 dhe pritet që në Berat të jenë në dispozicion 200 dhoma të tjera për tregun e huaj dhe vendas gjatë këtij viti. Standardet e guidave turistike rregullohen tashmë me një kuadër ligjor dhe përfaqësuesit e sektorit të artizanatit po përpiqen të plotësojnë rritjen e kërkesave të vizitorëve si në cilësi ashtu edhe në sasi.

“Bizneset e turizmit po zhvillohen me shpejtësi në Bashkinë e Beratit dhe jemi të interesuar të krijojmë kontakte me operatorët dhe agjencitë turistikë që mbulojnë tregun e Azisë. Ky treg përfaqëson një numër të madh turistësh dhe me kohë të gjatë qëndrimi në Evropë, ndaj po punojmë për të përmirësuar ofertën tonë turistike brenda standardeve të larta sipas kërkesave nga tregu aziatik”, tha Monika Xheblati, pronare e një bujtine, Hani i Xheblatit. “Takimi ishte shumë informativ dhe rastet që u prezantuan na shpjeguan jo vetëm për të kuptuar më mirë, por na mësoi edhe se si t’i përgjigjemi kërkesës së tregut.”

“Ky takim na shërbeu për të nxitur bashkëpunimin mes bizneseve vendore dhe operatorëve turistikë kombëtarë, duke shkëmbyer përvojat për plotësimin sa më mirë kërkesave të tregut aziatik të turizmit. Po ashtu, na shërbeu për të koordinuar edhe më mirë punën me bizneset e turizmit në bashkinë tonë, duke nxitur idetë për të përmirësuar paketën turistike dhe për të organizuar aktivitete të përbashkëta marketingu dhe promovimi në bashkinë tonë,” tha Klejda Kusta, Drejtor i Drejtorisë së Turizmit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë e Beratit.

 

Foto nga Erald Lamja

 

Comments are closed.