Menaxhimi i aseteve – Arti i ekuilibrimit të performancës, riskut dhe kostos
Tetor 9, 2019
Fuqizimi Ekonomik i Grave
Tetor 9, 2019

Aktorët e vijës së parë përdorin guidën për të trajtuar shkaqet e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Në të njëjtën mënyrë që qeveria qendrore harton politika kombëtare dhe bashkërendon programe në nivel qendror, qeverisja vendore është burimi për ofrimin e shërbimeve kryesore për Nëse qeveria qendrore është përgjegjëse për hartimin e politikave kombëtare dhe bashkërendimin e veprimeve dhe programeve në nivel kombëtar, është vetëqeverisja vendore ajo që qëndron në themel të demokracisë dhe njihet si institucioni kryesor për dhënien e shërbimeve bazë për qytetarët. Në morinë e shërbimeve që qytetarët kërkojnë nga të zgjedhurit vendorë, çështjet e sigurisë zënë një vend të rëndësishëm. Mbrojta civile, garantimi i mbarëvajtjes së marrëdhënieve në komunitet, parandalimi i kundërvajtjeve administrative dhe zgjidhja e konflikteve janë pjesë e funksioneve të bashkive.

Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm përbëjnë një tjetër sfidë themelore, sa globale, aq dhe kombëtare, jo vetëm për shkak të rrezikut të menjëhershëm fizik që paraqesin, por për faktin se dëmtojnë demokracinë dhe vlerat e saj në komunitete. Sot, kërcënimet nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë më komplekse se kurrë më parë dhe, si të tilla, kërkojnë ndërhyrje po aq komplekse, largpamëse dhe të bashkërenduara mirë. Për t’ju ardhur në ndihmë bashkive, Projekti për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ka përgatitur udhëzuesin “Për bashki më efektive, komunitete më aktive e qytetarë më të sigurt”. Synimi është të sillen në vëmendjen e punonjësve bashkiake, qytetareve, komuniteteve dhe shoqërisë civile problematika e fushës, si dhe të ofrohen udhëzime dhe vizione për të adresuar më mirë gamën e gjerë të faktorëve që çojnë në radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm.

Udhëzuesi është konceptuar për të qenë sa më praktik dhe i dobishëm për lexuesin dhe është i organizuar në katër kapituj tematikë: bashki më të forta, komunitete më aktive, qytetarë më të sigurt, si dhe monitorimi dhe vlerësimi. Në të 22 nënkapitujt e udhëzuesit jepet një tablo e përgjithshme e gjendjes aktuale të bashkive pare krahasimisht me kërkesat ligjore, si dhe reflektohet në lidhje me mundësitë e përmirësimit të gjendjes duke pasur si vizion përvojat e mira kombëtare dhe ndërkombëtare. Një pjesë interesante dhe e dobishme e çdo nënkapitulli është tabela ndihmëse ku pasqyrohen referencat dhe mekanizmat ligjorë për trajtimin e çështjes në fjalë së bashku me informacione dhe të dhëna të tjera për aktoret vendore që kanë përgjegjësitë zbatuese.

Një nënkapitull i veçantë i dedikohet fuqizimit të bashkive nëpërmjet partneriteteve dhe me konkretisht te 6 mekanizmave që qeveria qendrore ka gjeneruar dhe zyrtarizuar në nivel vendor; mekanizmi i referimit të dhunës në familje, struktura e policimit në komunitet, këshilli vendor i sigurisë, mekanizmi kundër trafikut të qenieve njerëzore, mekanizmi për fëmijët në rrezik, dhe shkolla si qendër komunitare. Këto mekanizma i shërbejnë bashkive për t’ju përgjigjur më mirë nevojave për siguri që kanë qytetarët, dhe në këtë aspekt edhe për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Fokusi i këtij udhëzuesi nuk janë vetëm masat e sigurisë. Projekti i USAID-it vlerëson se angazhimi i më shumë qytetarëve ndihmon në qëndresën e komunitetit në përgjithësi. Kështu, Kapitulli “komunitete më aktive” ka në fokus shoqërinë civile, komisionet këshillimore qytetare, bordet rinore që mund të punojnë së bashku për të siguruar platforma për angazhimin e të rinjve dhe mbrojtjen e interesave të tyre. dhe përfshin gjithë organizmat që ndërveprojnë me bashkinë, direkt ose indirekt. Të dy nënkapitujt; qytetarët e organizuar në proceset vetëqeverisëse dhe fuqizimi i ndërveprimit me qytetarët e organizuar, japin një tablo të plotë të gjendjes faktike dhe nevojave për forcimin e bashkëpunimit me qytetarët dhe organizatat e ndryshme lokale. Komunitetet që janë aktive, të mbështetura nga bashkitë dhe të ndërlidhura e në harmoni me njëra tjetrën, ndihmojnë në krijimin e qyteti me identitet dhe kulturë të fortë. Fuqizimi i identitetit dhe kulturës lokale kontribuon në raportet pozitive ndërmjet qytetarëve, ndërsa forcimi i ndjenjës kolektive ndihmon në përmirësimin e mjedisit ku qytetarët punojnë dhe jetojnë. Të gjithë këto elementë ndihmojnë në nxitjen e pjesëmarrjes qytetare dhe inkurajojnë angazhimin civil në proceset planifikuese dhe vendimmarrëse të bashkisë, ndërsa e kundërta favorizon izolimin social dhe stimulon sjelljet radikale.

Për parandalimin e EDH duhet të marrin pjesë të gjithë aktorët e shoqërisë. Gratë dhe vajzat janë një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi, siç përcaktohet edhe në Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Projekti i USAID-it vlerëson rolin kyç që mund të luajnë gratë dhe vajzat si ndërtues të paqes dhe mprehtësinë e veçantë që kanë ato në dallimin e shenjave të para të radikalizimit në komunitetet e tyre. Në të njëjtën linjë, edhe drejtuesit dhe predikuesit fetarë si dhe përfaqësuesit e grupeve të margjinalizuara, si komuniteti rom dhe ai egjiptian, duhet të angazhohen gjatë procesit të planifikimit të ndërhyrjeve me bazë komuniteti.

Duke ndjekur strukturën dhe përmbajtjen e Udhëzuesit “Për bashki më efektive, komunitete më aktive e qytetarë më të sigurt”, PLGP zhvilloi në periudhën prill-maj, katër seanca trajnimesh me bashkitë partnere të Librazhdit, Dibrës, Pogradecit dhe Kamzës. Rreth 100 zyrtarë lokalë, përfshi përfaqësues nga bashkia, prefektura, policia lokale dhe shoqëria civile ndoqën trajnimet. Sesionet e trajnimit u organizuan në mënyrë interaktive duke stimuluar pjesëmarrësit të marrin pjesë aktivisht në diskutime bazuar në shqetësimet specifike lokale. Pjesëmarrësit në të gjitha trajnimet ishin të një mendje se mënyra më e mirë për të parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm është bashkëpunimi konstant dhe intensiv ndërmjet gjithë aktorëve vendorë, si dhe kryerja e ndërhyrjeve të integruara ndërinstitucionale dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile, si çelësi i përpjekjeve për të pasur komunitete të mëkëmbura dhe të sigurta.

Comments are closed.