Sisteme më të mira – Shërbime më të mira
12/03/2019
Mbështetje për reduktimin e ujit pa të ardhura në Shqipëri
12/03/2019

Nga Silvana Meko dhe Erald Lamja – 

Ngritje kapacitetesh teknike për punonjësit e rinj në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë

Reforma e taksës së pronës është një nga zhvillimet kryesore në financat e qeverisjes vendore pas miratimit të ligjit për Financat e Vetëqeverisjes Vendore. Kjo reformë ka si qëllim të forcojë bashkitë në Shqipëri duke rritur në mënyrë të konsiderueshme të ardhurat nga burimet e veta nëpërmjet taksës së pronës sipas vlerës së tregut.

Në janar 2018, MFE së bashku me Agjencinë Suedeze për Zhvillimin Ndërkombëtar (SIDA) nisën punën për krijimin e kadastrës kombëtare fiskale, që do të lehtësojë zbatimin e sistemit të taksës së pronës bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat.

MFE kërkoi asistencë teknike nga Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore për të mundësuar miratimin dhe zbatimin në praktikë të kadastrës kombëtare fiskale në nivel vendor dhe për rritjen e kapaciteteve teknike të stafit të bashkive, përfshirë këtu edhe stafin e sapoemëruar të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pronës (DPTP).

Gjatë javë të para të muajit shtator 2018, si pjesë e aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve në bazë të kërkesës së vetë DPTP, ekspertët e Projektit PLGP hartuan dhe organizuan një cikël të plotë trajnimi 3 mujor për stafin e ri të DPTP. Në këtë trajnim u trajtuan tema të çështjeve administrative dhe të politikave të taksave vendore, përfshirë konceptet e autonomisë fiskale dhe vendore dhe praktikave për mbledhjen e taksës së pronës.

Gjashtë punonjës të rinj, pjesa më e madhe pa përvojë pune por me rezultate të shkëlqyera universitare, ishin të etur dhe entuziastë për të marrë dije të reja për taksën e pronës dhe lidhjen e saj me çështjet e financave të qeverisjes vendore.

“Konsultohem shpesh gjithë ditën me materialet e trajnimit që ka përgatitur USAID,” thotë Kledia Nakuçi, që studioi për informatikë me fokus në degën ekonomiks në Universitetin e Tiranës dhe që ka filluar punë në DPTP kohët e fundit. “Ka shumë gjëra që ne si ekip po mësojmë nga këto materiale trajnimi dhe manualet për taksat dhe financat vendore të botuara nga USAID.”

Kalimi i vonuar nga tatimi sipas sipërfaqes së pronës në sistemin e ri të tatimit sipas vlerës së pronës për ndërtesat pritet të krijojë rreth 24 milionë dollarë të ardhura për bashkitë në 1-3 vitet e ardhshme.

Projekti PLGP do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike në mbështetje të kërkesave që vijnë nga të dy nivelet e qeverisjes. Kjo do të lehtësojë zbatimin e reformës së taksës së pronës dhe do të përmirësojë përdorimin e instrumenteve TIK që ndihmojnë NJQV-të të rrisin arkëtimin e të ardhurave dhe të përmirësojnë menaxhimin financiar. Nga ana tjetër, kështu bëhet e mundur rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve për komunitetin.

 

Foto nga Erald Lamja

 

Comments are closed.