Udhërrëfyes i ri për forcimin e qeverisjes vendore në Shqipëri
Tetor 9, 2019
Për bashki efektive, komunitete aktive, qytetarë më të sigurt
Tetor 9, 2019

Shoqëritë ujësjellës-kanalizime janë përherë e më shumë në presion për të përmirësuar performancën dhe efektivitetin e kostove. Vjetërsia e sistemit ujësjellës-kanalizime e bën gjithnjë e më të vështirë që këto shoqëri të ofrojnë shërbime me cilësinë që kërkohen nga klientët e tyre. Vjetërsia e aseteve të ngurta (fikse) çon në rritje të kostove operative dhe të mirëmbajtjes duke sjellë si rezultat kosto operative që janë tejet të larta dhe që duhet të administrohen me kapacitete të dobësuara të shërbimit. Mënyra më e mirë për t’u përballur me këtë sfidë është të prezantohen praktikat më të mira nëpërmjet një Platforme të Menaxhimit të Integruar të Aseteve. Qëllimi parësor i kësaj platforme është t’u japë shoqërive ujësjellës-kanalizime mundësi për përmirësim të menaxhimit, shërbime më të mira, rritje të përfitimeve financiare, besueshmëri më të mirë kreditimi dhe përmirësim të veprimtarisë dhe transparencës së këtyre shoqërive.

Në bazë të rekomandimeve të Projektit PLGP dhe diskutimeve të mëpasshme me Kryetarin e Bashkisë, Bashkia Elbasan ra dakord për të marrë pjesë në Programin e Menaxhimit të Integruar të Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime në Evropën Juglindore, program që po zbatohet në bashkëpunim dhe në aleancë strategjike me bashkëfinancim nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik dhe partneri privat HydroComp (HCE). Për Shqipërinë, këto përpjekje po bashkërendohen nëpërmjet Shoqatës Ujësjellës-Kanalizime të Shqipërisë (SHUKALB).

Megjithatë, duke qenë se Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Elbasan është ndërmarrje mjaft e madhe për procedurat standarde operative të këtij programi, u ra dakord që Projekti PLGP do të ofronte mbështetje të mëtejshme dhe asistencë për ngritje kapacitetesh për të përgatitur të dhënat për konvertimin dhe vlerësimin e tyre. Projekti do të ofronte edhe trajnime për pjesën tjetër të personelit të Shoqërisë UK Elbasan për përdorimin e programit dhe metodologjisë IAM, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e metodologjisë edhe pas përfundimit të mbështetjes nga ky projekt.

Në pesë muajt e fundit, ekspertët e menaxhimit të aseteve nga Projekti PLGP kanë punuar së bashku me stafin teknik të Shoqërisë UK Elbasan për të hartuar qasjen e menaxhimit të aseteve të shoqërisë, ku përfshihet përgatitja e të dhënave për asetet me tiparet përkatëse të tyre dhe kalimi me efektivitet i të gjitha të dhënave dhe informacioneve në softuerin e Platformës së Menaxhimit të Aseteve. Ky proces është monitoruar çdo ditë nga ekipi EDAMS duke përdorur platformën me bazë cloud në internet.

Të lësh mënyrën e vjetër të realizimit të punëve është mjaft e vështirë, por kur ndryshimi që na prezantohet rrit përfitimet e shoqërisë UK dhe rrjedhimisht shërbim më të mirë për klientët tanë, atëherë ia vlen. Të jeni të sigurt se do ta shfrytëzojmë dhe do ta përdorim këtë platformë në të gjitha aspektet teknike, financiare, dhe të shërbimit për shoqërinë tonë,” tha Julian Doçi, Drejtor Teknik i Shoqërisë UK Elbasan.

Si rezultat i këtij partneriteti intensiv, rrjeti kryesor i furnizimit të zonës urbane së bashku me rreth 50% të rrjetit të furnizimit me ujë që shërbehen nga Shoqëria Ujësjellës Elbasan janë hedhur në platformën online EDAMS. Paralelisht, stafi i Elbasanit po regjistron të gjitha sistemet rurale dhe po konvertohen dhe po ngarkohen në Platformën EDAMS të dhënat GIS të sistemit të ujësjellësit në fshatra. Kjo ka qenë një punë shumë e lodhshme, po të kemi parasysh se shoqëritë ujësjellës-kanalizime kanë mangësi në harta të sistemit të furnizimit me ujë, gjë që e bën të vështirë evidentimin e aseteve të nëntokës në të gjithë territorin e Bashkisë Elbasan.

Janë hedhur në Platformën EDAMS më shumë se 170 km linja të furnizimit me ujë, 3 rezervuare kryesore dhe tre puse kryesore uji. Ekspertët e Projektit PLGP po i japin mbështetje stafit teknik të shoqërisë për të vleftësuar këto të dhëna dhe do të vazhdojnë t’i ndihmojnë ata në trajtimin e problematikave të mëpasshme që mund të dalin gjatë funksionimit të Platformës EDAMS. Stafi teknik i Shoqërisë UK Elbasan ka treguar nivel të lartë motivimi dhe angazhimi dhe po punojnë të gjithë së bashku me pasion për të përmbushur këtë qëllim, duke siguruar që progresi i arritur deri në këtë fazë të vazhdojë edhe më tej në fazat e mëvonshme.

Menaxhimi i aseteve është lënë pas dore për dekada me radhë. Rinovimi dhe zëvendësimi i infrastrukturës publike të ujësjellës-kanalizimeve është një detyrë e që kërkon vëmendje të vazhdueshme. Administrimi i saktë i aseteve u vjen në ndihmë shoqërive UK në lidhje me rritjen sa më shumë të vlerës së kapitaleve të tyre dhe për kontrollin e kostove operative dhe të mirëmbajtjes së tyre. Menaxhimi strategjik i aseteve nuk bazohet domosdoshmërisht në sasinë e burimeve që kanë këto shoqëri, por më shumë në hartimin e planeve të duhura dhe zbatimin e proceseve dhe procedurave sipas radhës për të maksimizuar investimet në këto burime.” – Hantin Bonati, Zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Comments are closed.