Krijimi i aftësive për nevojat e tregut të punës
12 Mars, 2019
USAID udhëheq përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit parashkollor
12 Mars, 2019

Nga Erald Lamja dhe Silvana Meko – 

Si rezultat i rritjes së vazhdueshme të të ardhurave të veta, Bashkia Vorë ka bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e infrastrukturës së saj rrugore urbane dhe rurale sipas standardeve moderne. Po ashtu, bashkia ka investuar në shumë projekte infrastrukturore vendore, si mjedise çlodhëse, kënde lojërash, furnizimi me ujë të pijshëm, trotuare, ndriçim publik, etj., me qëllimin parësor përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Vora është një bashki relativisht e vogël (80 km2) me 25,000 banorë sipas Censusit të Popullsisë të vitit 2011. E pozicionuar mes dy qyteteve më të mëdha të vendit, Tiranës dhe Durrësit, Vora është bashki e re që po bën përpjekje të vazhdueshme për të plotësuar nevojat e popullsisë së saj në rritje.

Që 2012, USAID ka punuar së bashku me NJQV-të partnere për të trajtuar dobësitë në sistemin e të ardhurave vendore dhe për të vendosur gurët e themelit për administrimin efikas e këtyre të ardhurave. Përpjekjet janë përqendruar në krijimin e infrastrukturës së nevojshme kapitale, në ngritjen e kapaciteteve të administratave tatimore dhe në realizimin e fushatave të ndërgjegjësimit të taksapaguesve. Bazuar në këtë kuadër konceptual, USAID-i ka mbështetur bashkitë partnere për zbatimin e planeve të veprimit për mbledhjen e taksës së pasurisë duke përpiluar informacionin për pronat dhe faturimin e të gjithë pronarëve, për krijimin e regjistrave tatimorë të bazuar në Sistemin Informative Gjeografike (GIS), për zbatimin dhe përdorimin e Sistemit të Administrimit të Informacionit të Taksave (TAIS) nga administrata vendore dhe realizimin e fushatave dhe programeve të ndërgjegjësimit për bizneset dhe familjet.

Si partner i Projektit të USAID-it, Bashkia Vorë ka marrë pjesë në shumë aktivitete të projektit në këto 7 vitet e fundit për ngritjen e kapaciteteve të stafit për sa i përket mbledhjes së të ardhurave të veta nga taksat dhe tarifat vendore. Në Vorë është instaluar dhe po zbatohet Sistemi TAIS është përmirësuar cilësia e këtij shërbimi.

Për të dytin vit radhazi, 12 bashkitë partnere të Projekti i USAID-it kanë pasur rritje të të ardhurave me 30%.

Bashkia Vorë renditet ndër tre bashkitë e para me performancën më të mirë në rritjen e të ardhurave të veta nga taksat dhe tarifat vendore. Në fakt, qëndrueshmëria e tyre në këto vitet e fundit përkthehet në rritje të vjeljes së të ardhurave nga 2.4 milionë USD në 2015, në 2.9 milionë USD në 2016 dhe 3.2 milionë USD në 2017. Pse po punon kaq mirë Bashkia e Vorës? Ku qëndron sekreti i suksesit të saj?

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore ka një staf prej 20 vetësh, përfshirë këtu edhe inspektorët në terren. “Mendoj se jemi në vendin e duhur duke bërë gjënë e duhur për njerëzit e duhur,” thotë Mira, Shefe e Sektorit të Biznesit në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore.

“Jemi të angazhuar për të bërë punën dhe bëjmë shumë përpjekje për t’ia dalë mbanë. Nuk mbledhim taksa për të përmirësuar shifrat dhe për t’u mburrur me grafikët. Përkundrazi, informojmë bizneset dhe qytetarët rregullisht se taksat e tyre përdoren për të përmirësuar jetën e banorëve dhe fëmijëve tanë. Këto të ardhura përdoren për investime dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Kjo është ajo që na motivon në punën tonë të përditshme,” thotë Klaudia, Shefe e Sektorit të Familjeve në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore.

Nuk është thjesht vetëm profesionalizmi dhe angazhimi që e bën punën e tyre një histori suksesi. Këto vajza të reja dhe kolegët e tyre janë banorë të Vorës që jetojnë me familjet e tyre në këtë bashki. Ato rrisin fëmijët e tyre në këtë qytet. Kjo është arsyeja e angazhimit të tyre për të vënë në zbatim sa më mirë sistemin e kompjuterizuar të taksave të projektuar nga PLGP, e pjesëmarrjes në trajnime të ndryshme të Projektit PLGP dhe e vënies në praktikë në punën e tyre të përditshme të aftësive të reja.

 

Foto nga Erald Lamja

 

Comments are closed.