Konferenca Kombëtare “Shpalosja e Potencialit: Analiza e Ndjeshmërisë Gjinore në Zinxhirin e Vlerës për të Zhvilluar Politika dhe Programe Ekonomike dhe Zhvillimore më të Mira”
28 Prill, 2020
Rishpërndarja e fondeve mundëson ndihma ushqimore në kohë krizash
29 Prill, 2020

Udhëzues për Praktikuesit dhe Grupet e Interesit

Nga Erald Lamja

Si rezultat i ligjeve, politikave dhe programeve, Shqipëria ka bërë përmirësime në lidhje me barazinë gjinore. Kjo dëshmohet nga përmirësimi i Shqipërisë në indeksin e “Hendekut Global Gjinor” (GAP) të Forumit Ekonomik Botëror që nga viti 2006 (World Economic Forum, 2018). Sidoqoftë, ky përmirësim vjen kryesisht si rezultat i rritjes së përfaqësimit zyrtar të grave në politikë, dhe lidhet shumë pak me rezultatet e barazisë në dimensione të tjera, përfshirë “Pjesëmarrjen dhe Mundësitë Ekonomike”.

Zbatimi i kornizave ligjore dhe politike për barazinë gjinore mbetet ende një sfidë. Edhe pse gjatë periudhës 2016 – 2017, përqindja e ndërmarrjeve në pronësi apo që drejtohen nga gratë, shënoi rritje në të gjithë rajonet e Shqipërisë (INSTAT, 2018), ritmi i përfshirjes ekonomike të grave përmes zhvillimit të sektorit privat ka qenë i ngadaltë, veçanërisht për gratë në zonat rurale.

Normat gjinore, rolet, përgjegjësitë dhe paragjykimi gjinor ndaj aksesit të grave në burimet prodhuese (të tilla si toka, financat, rrjetet, teknologjia, pajisjet dhe shërbimet e zhvillimit të biznesit) janë të pranishme dhe paraqesin sfida për gratë shqiptare në sferat ekonomike dhe sociale.

Statistikat shqiptare për diferencimin midis burrave dhe grave në zhvillimin ekonomik ilustrojnë se sistemet e tregut nuk paraqesin barazi gjinore. Normat gjinore që rezultojnë në diskriminim janë të pranishme në të gjitha nivelet e sistemeve ekonomike dhe sociale.

Në Shqipëri, gratë menaxhojnë 25.7% të ndërmarrjeve të regjistruara (INSTAT, 2019).

Në vitin 2017, gratë shqiptare paguheshin 10.5% më pak se burrat në pozicione të ngjashme dhe me përvojë të krahasueshme (INSTAT, 2019). Të ardhurat bruto kombëtare për frymë të vlerësuara për gratë janë në nivelin 9,702 dollarë, krahasuar me burrat me 14,028 dollarë (UNDP, 2018)

Gratë janë shumë të përfshira në ekonominë informale të Shqipërisë dhe në kategorinë e punonjësve të papaguar në bizneset dhe fermat familjare. Mbi 40% e grave shqiptare punojnë në bujqësi (LFS, 2018) – ku shumica dërrmuese janë në punë familjare të papaguara, informale (FAO, 2018)

Më shumë se 80% e pronësisë së tokave janë në emër të ‘kryefamiljarit’ ose të ish-kryefamiljarit (burri, vjehrri, vëllai, babai, gjyshi), duke kufizuar të drejtat e grave për burime prodhuese dhe shërbime që vijnë direkt nga pronësia e tokës (si regjistrimi si biznes bujqësor, kredi dhe shërbime shtesë) [(Zhllima, et al. 2016); (UN Women 2016); (UN Women & UNDP 2016)].

Gratë në zonat rurale kanë akses të kufizuar në informacionin mbi bujqësinë dhe tregun, dhe hasin pabarazi të niveleve të larta në proceset vendimmarrëse familjare (Zhllima, et al. 2016). Rrallëherë ato janë anëtare ose të përfaqësuara në shoqata apo komitete zyrtare.

Sipas Anketës së Përdorimit të Kohës në Shqipëri, gratë kryejnë 86% të punës së papaguar dhe 96% të punëve shtëpiake (INSTAT, 2011). Kjo çon në mungesë kohe, duke ndikuar negativisht në angazhimin e grave në tregun e punës apo në trajnime të përhershme, duke kufizuar mundësitë e tyre prodhuese të cilat do t’u përmirësonin kushtet e jetesës.

Përmirësimi i zinxhirit të vlerës (ZV) është një strategji e rëndësishme për mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor dhe krijimin e vendeve të punës. Kjo arrihet përmes forcimit të ndërmarrjeve dhe marrëdhënieve të biznesit, si dhe përmirësimit të strukturave të tregut dhe mjedisit të biznesit. Një kufizim që haset shpesh në zhvillimin e zinxhirit të vlerës është paragjykimi gjinor dhe marrëdhëniet e pabarabarta në shoqëritë e përfshira në sistemin e tregut.

Projekti PLGP ka kënaqësinë të njoftojë se ka botuar kohët e fundit guidën “Mbështetje për Përfshirjen e Grave dhe Përmirësimi i Zinxhirit të Vlerës në Shqipëri – Udhëzues për Praktikuesit dhe Grupet e Interesit”, që synon të mbështesë qasjet gjinore për zhvillimin e analizës së zinxhirit të vlerave dhe rrjedhimisht për rritjen ekonomike në Shqipëri. Udhëzuesi shërben si një mjet i nevojshëm i cili ndihmon në zbatimin e praktikave të zhvillimit të zinxhirit të vlerës, bazuar në ndjeshmërinë gjinore. Ai shpjegon konceptet kryesore dhe hapat që udhëheqin procesin e analizës dhe ndërhyrjeve efektive ndaj ndjeshmërisë gjinore duke dhënë shembuj të praktikave të mira bazuar në përvojën vendase.

Udhëzuesi do të mbështesë veçanërisht praktikuesit në:

  • Integrimin sistematik të ndërhyrjeve me fokus barazinë gjinore në përpjekjet e zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të analizës së ndjeshmërisë gjinore në zinxhirët e vlerave;
  • Krijimin e ndërhyrjeve ‘fitim-fitim’ (me fitim të dyanshëm), duke synuar uljen e varfërisë dhe barazinë gjinore në lidhje me rritjen ekonomike;
  • Mbështetjen e aktorëve të zinxhirit të vlerës duke bërë që ata të kuptojnë më mirë zinxhirët e vlerave në të cilët bëjnë pjesë.

Zhvillimi i analizës së ndjeshmërisë gjinore në zinxhirët e vlerave është një qasje që ndihmon në arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri dhe në zhvillimin e synimeve më të gjera duke identifikuar zgjidhje që përmirësojnë produktivitetin e përgjithshëm dhe në të njëjtën kohë promovojnë barazinë midis grave dhe burrave në ZV.

Comments are closed.