Bashkia mban premtimet
Mars 12, 2019
Përmirësimi i ofertës turistike në Berat
Mars 12, 2019

Nga Ledio Allkja dhe Rudina Toto – 

Përgatitja e projekteve të suksesshme të financueshme për mbështetje nga institucionet financiare apo donatore mbetet ende sfidë për bashkitë në Shqipëri. Projektet efektive duhet të shoqërohen me analiza të mirëfillta, ku merren parasysh të gjitha pengesat dhe mundësitë në procesin e zbatimit. Këto projekte duhet të jenë në gjendje të bindin institucionin financues për kapacitetin e bashkisë në trajtimin e problemeve të projektit dhe thithjen e financimit të tij. Projekti PLGP ka mbështetur bashkitë Fier dhe Berat për nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor nëpërmjet përgatitjes së projekteve të financueshme për t’u zbatuar me ndihmë financiare nga Trans Adriatic Pipeline (TAP). Bujqësia është sektor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik vendor për Fierin dhe Beratin, kështu që të dy projektet e reflektojnë këtë rëndësi.

Në rastin e Fierit, bashkia hartoi një projekt për një treg të ri të gjësë së gjallë, projekt që përfshinte studimin e fizibilitetit dhe planet e ndërtimit. Tregu i ri do të zëvendësojë atë aktual që funksionon në brendësi të qytetit pranë shinave të hekurudhës dhe që është në gjendje të mjerueshme fizike dhe higjieno-sanitare. Bashkia ka në plan ta ndërtojë tregun e ri të gjësë së gjallë në një tokë bujqësore jashtë qytetit, nga ku do të përfitojë e gjithë qarku dhe duke bërë të mundur përdorimin më të shpeshtë të tij si tre, së bashku me përdorimet për aktivitete të tjera, si panaire, pazare, ditët e bashkisë, etj. Projekti PLGP mbështeti bashkinë për hartimin e këtij projekti duke kryer studime fizibiliteti që trajtojnë si ndërtimin ashtu edhe funksionimin dhe administrimin e tregut në të ardhmen. Kostoja e ndërtimit të këtij tregu arrin në rreth 700,000 euro dhe do të bashkëfinancohet nga bashkia dhe TAP. Ky projekt do të përmbushë të gjitha standardet teknike dhe sanitare, përfshirë këtu edhe vende të veçanta për lloje të ndryshme bagëtish, zyra për veterinerët, dhomë urgjence, zonë karantine, tualete, dhe një sipërfaqe të madhe për parkim.

Në Berat, kanali kryesor i ujitjes në Mbreshtan do të rindërtohet nëpërmjet bashkëfinancimit të bashkisë dhe TAP, ku ky i fundit do të financojë rreth 360,000 euro për rindërtimin e kanalit kryesor dhe bashkia do të mbulojë investimet në degët e këtij sistemi ujitës. Sistemi i propozuar i ujitjes ka një gjatësi prej 7.1 km dhe mbulon fushat e Mbreshtanit, Palikeshtit, dhe Starovës. Ai do të ujisë rreth 550 ha tokë bujqësore dhe do të jetë ndihmë për 5,000 banorë ekonomia e të cilëve varet nga bujqësia. Në 30 vitet e fundit kanali është pothuajse i papërdorshëm për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe dëmtimeve.

Projekti PLGP ofroi mbështetje teknike për hartimin e të dy projekteve, që janë nisma të mirëfillta për zhvillimin ekonomik vendor. Nëpërmjet punës së projektit, u siguruan mbi 1,000,000 euro nga burime të jashtme (TAP) dhe rreth 700,000 euro që do të investohen nga vetë bashkitë përkatëse. Të dy projektet pritet të zbatohen brenda vitit 2019.

Comments are closed.