Mbështetje për fuqizimin ekonomik të grave në zinxhirin e vlerës
28 Prill, 2020
Mbështetje për Përfshirjen e Grave dhe Përmirësimi i Zinxhirit të Vlerës në Shqipëri
28 Prill, 2020

Nga Erald Lamja

Në 5 mars 2020 Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural organizoi Konferencën Kombëtare “Shpalosja e Potencialit: Analiza e Ndjeshmërisë Gjinore në Zinxhirin e Vlerës për të Zhvilluar Politika dhe Programe Ekonomike dhe Zhvillimore më të Mira”. Kjo konferencë promovoi Analizën e Ndjeshmërisë Gjinore në Zinxhirin e Vlerës (GSVCA) si një mjet kryesor, tashmë i testuar në Shqipëri, për përmbushjen e potencialit të plotë të ekonomisë duke shqyrtuar aktorët e dukshëm, ata të padukshëm, si edhe kontributin e tyre në zinxhirë të ndryshëm vlere brenda sektorëve të larmishëm të Shqipërisë. E mbajtur në kuadër të aktiviteteve të fuqizimit ekonomik të Projektit PLGP (Gratë, Paqja dhe Siguria), ky forum i hapur shërbeu si një platformë për zyrtarë të qeverisjes të të dy niveleve, për ekspertë të fushës dhe bashkësinë e donatorëve për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në këtë fushë.

Në konferencë morën pjesë edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Bledi Çuçi, Drejtoresha e USAID/Shqipëri, Zj. Mikaela Meredith, dhe Kryetarja e Aleancës së Deputeteve Gra, Zj. Eglantina Gjermeni.

Zj. Grania Mackie, eksperte ndërkombëtare e Projekti PLGP për Analizën e Ndjeshmërisë Gjinore në Zinxhirin e Vlerës prezantoi mundësitë për identifikimin e zhvillimit ekonomike dhe ndikimin e këtij procesi në fuqizimin ekonomik të grave. “Evidentimi i rolit (shpesh të padukshëm) të grave në zinxhirët e vlerës rurale është me rëndësi tepër të madhe për njohjen e kontributit të tyre dhe sigurimin e mjeteve për arritjen e rritjes ekonomike,” tha Zj Mackie. 

Z. Erald Lamja, Ekspert i Zhvillimit Ekonomik Vendor i Projektit PLGP, prezantoi një rast studimor të analizës së zinxhirit të vlerës dhe shembuj të efekteve që mundësohen për fuqizimin ekonomik të grave në bashkitë partnere dhe potencialin për zhvillim të mëtejshëm në të ardhmen. 

Gjatë konferencës u prezantuan dy dokumente kryesore: Udhëzues për Praktikuesit dhe Grupet e Interesit – Përfshirja e Grave dhe Përmirësimi i Zinxhirit të Vlerës në Shqipëri; dhe Qasjet sipas Ndjeshmërisë Gjinore në Zhvillimin e Zinxhirit të Vlerës: Dokument Politikash. Këto dokumente, të shoqëruar me rastet studimore të prezantuara, u sigurojnë aktorëve përkatës instrumentet e nevojshme për të zbatuar analizën e zinixhirit të vlerës me ndjeshmëri gjinore në të gjithë vendin.

Në përshëndetjen e rastit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Bledi Çuçi, njohu rolin e rëndësishëm që luajnë gratë në zhvillimin ekonomik vendor dhe të bujqësisë si dhe mbështetjen e vazhdueshme që ofron USAID në trajtimin e problemeve të pabarazisë gjinore dhe për fuqizimin e grave në zinxhirët e vlerës. “Fuqizimi i grave në sektorin rural është një domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm në bujqësi. Sot gratë përbëjnë rreth 55% të fuqisë punëtore në bujqësi dhe luajnë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë ekonomike të këtij sektori. Të mos harrojmë se shumë prej produkteve tradicionale shqiptare, ato që ne i quajmë “Produkte të Origjinës”, prodhohen kryesisht nga gratë. Edhe pse ka një rritje të numrit të grave që aplikojnë për grante nga viti në vit, sigurisht që jemi akoma larg nga ku duam të shkojmë. USAID po jep një kontribut të çmuar në përfshirjen dhe fuqizimin e grave në aktivitetet ekonomike bujqësore, duke u përqendruar në veçanti në zinxhirin e vlerës për prodhimin e mjaltit, ushqimit tradicional, artizanatin, dhe veçanërisht në kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Ndërkohë, si ministri, përveç sistemit të pikëve që favorizon gratë në aplikimet për grante, ne kemi bërë një angazhim të plotë për të përmirësuar standardet e kërkuara nga sektori, si dhe nevojat e formimit profesional të grave në disa sektorë bujqësorë. E rëndësishme në këtë proces është përfshirja e pushtetit vendor. MBZHR, si një partner i rëndësishëm i USAID-it ndër vite, i mbështet këto ndërhyrje, që janë vlerë e shtuar në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të krijuar vende pune dhe forcimin e zinxhirëve të vlerës përmes kontributit të grave në sipërmarrjet bujqësore,” tha Z. Bledi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Comments are closed.