Ujësjellës-Kanalizime Elbasan – i pari në Shqipëri që ka përfunduar bazën e të dhënave të inventarit të aseteve
14/08/2018
Nga niveli vendor në rang kombëtar
14/08/2018

Me zbatimin e reformave të decentralizimit, bashkitë kanë mundësi të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre. Decentralizimi u bën të mundur bashkive të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve, të rrisin demokracinë vendore dhe të nxisin zhvillimin ekonomik vendor. Janë vendosur gurët e themelit për forcimin e njësive të qeverisjes vendore, dhe për t’i bërë ato më efektive dhe më të përgjegjshme. Koha për të ndërtuar mbi këto themele është TANI.

Ligji i ri “Për Vetëqeverisjen Vendore” (Ligji Organik), i miratuar në dhjetor 2015, i beson bashkive të reja të konsoliduara kompetencat dhe përgjegjësinë për t’u shërbyer më mirë qytetarëve të tyre. Ligji në mënyrë eksplicite thotë se bashkitë kanë të drejtën dhe përgjegjësinë për realizimin e aktiviteteve ekonomike. Po ashtu, ligji thekson se funksionet ekskluzive të bashkive në zhvillimin ekonomik vendor janë: hartimi i programeve për zhvillim ekonomik vendor, mbështetje për zhvillimin e biznesit të vogël, sigurimin e grantit financiar për të mbështetur aktivitetet e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe ofrimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor.

Projekti i USAID-it po ndihmon tre bashki partnere, Fier, Berat, dhe Elbasan, në ngritjen e këshillave të zhvillimit ekonomik për të forcuar dhe institucionalizuar angazhimin e sektorit privat duke ofruar mundësi të vazhdueshme që aktorët e sektorit privat të japin mendimet dhe rekomandimet e tyre për politikat dhe prioritetet vendore që lidhen me zhvillimin ekonomik vendor, përfshirë këtu përmirësimin e mjedisit mundësues për biznesin, mbështetjen për hapjen e bizneseve të reja dhe mbajtjen/zgjerimin e bizneseve ekzistuese. Për të përmbushur këto përgjegjësi, bashkitë duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për angazhimin e sektorit privat.

Zyrtarët vendorë punuan bashkërisht me Projektin e USAID-it për përgatitjen e punës paraprake në lidhje me krijimin e këshillave të zhvillimit ekonomik vendor duke synuar angazhimin e sektorit privat në nivel vendor. Si rezultat, në shkurt të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi krijimin e Këshillit të Zhvillimit Ekonomik Vendor të Elbasanit.

Këshilli i Elbasanit ka në përbërje 11 anëtarë vullnetarë, me ndërthurje të përfaqësuesve të sektorit privat dhe qeverisjes vendore dhe kryesohet nga Kryetari i Bashkisë.

Takimi i parë i Këshillit Zhvillimit Ekonomik Vendor të Elbasanit u bë në 13 prill në sallën e Këshillit Bashkiak. Kryetari i Bashkisë vlerësoi mbështetjen e Projektit të USAID-it në krijimin e strukturës së parë publike-private për Bashkinë Elbasan. Ai u uroi mirëseardhjen përfaqësuesve të biznesit dhe evidentoi rolin e rëndësishëm që mund të luajë ky këshill duke ofruar këshilla për çështje të zhvillimit ekonomik vendor, ndihmën në prioritizimin e investimeve, dhe mbështetjen në zbatimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Territorit. Eksperti i Decentralizimit/Qeverisjes Vendore pranë Projektit PLGP, Peter Clavelle, bëri një prezantim të këtij këshilli dhe këshillat që mund të ofrojë ai për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak si dhe mbështetjen që mund t’i japë bashkisë për përmirësimin e rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Nisja e punës së këtij këshilli është një hap i vlefshëm në drejtim të përmirësimit të komunikimit dhe bashkëpunimit mes Bashkisë dhe këshillit të saj të zhvillimit ekonomik dhe përfaqësuesve të sektorit privat.

Krijimi i këtyre këshillave në Fier dhe Berat u bë në datat 23 dhe 24 prill. U zhvilluan edhe takime të tjera në Fier ku nga ekspertët e Projektit të USAID-it u bënë prezantime për studimin e fizibilitetit dhe projektin e tregut të gjësë së gjallë dhe pallatit të sportit për qytetin e Fierit. Prezantimi nga Ekspertja e Taksave e Projektit të USAID-it për taksën e pasurisë dhe ndryshimet e reja fiskale vendore u pritën me interes nga anëtarët e Këshillit të Zhvillimit Ekonomik Vendor të Fierit, të cilët shfaqën dëshirë dhe interes për rritjen e angazhimit të sektorit privat në projektet e zhvillimit ekonomik vendor dhe në forcimin e klimës së biznesit në nivel vendor.

Në takimin e dytë të Këshillit të Zhvillimit Ekonomik Vendor të Beratit u bënë prezantime nga zona e zhvillimit të biznesit, prezantime që u pasuan me pyetje dhe diskutime të anëtarëve të këshillit, sekretariatit të tij dhe vullnetarit të Korpusit të Paqes në lidhje me aksesin në informacione për zhvillimin e ri ekonomik të lagjes historike të qytetit dhe për harmonizimin e aktiviteteve publike dhe private në zonën e pedonales. Përfaqësuesit e biznesit vendas falënderuan Kryetarin e Bashkisë për organizimin e këtij takimi me kërkesë të tyre dhe treguan interes të madh për të pasur takime të tjera me fokus në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Comments are closed.