Fuqizimi i grave me stimuj vendorë
28 Prill, 2020
Vullnet politik për më shumë barazi gjinore
28 Prill, 2020

Nga Laureta Memo

Të rinjtë në Shqipëri shpesh përballen me agresion dhe dhunë dhe janë të ekspozuar ndaj faktorëve të tjerë të rrezikut që çojnë në lloje të ndryshme abuzimi. Gjithsesi, rritja e ndërgjegjësimit për këta faktorë dhe përgatitja për reagimin e duhur mund të zbusin këto rreziqe dhe të ndërtojnë shoqëri më të sigurta. Në përpjekje për të përgatitur dhe fuqizuar të rinjtë për të identifikuar rreziqet dhe për të trajtuar situatat e konfliktit, Projekti PLGP ka ndërmarrë Nismën “Fuqizim përmes Vetëmbrojtjes” me vajza dhe djem të rinj nga gjashtë këshillat rinorë në bashkitë partnere në të gjithë Shqipërinë.

Nisma do të fuqizojë afro 200 vajza dhe djem nga këto këshilla rinorë dhe përmes tyre edhe familjet dhe komunitetet e tyre, në mënyrë që të parandalojë situatat e abuzimit, dhunës, ngacmimit, krimit dhe viktimizimit, dhe hedhë poshtë mitet për dhunën ndaj vajzave dhe djemve. Programi kombinon aktivitete ndërgjegjësimi për format e ndryshme të dhunës me fuqizimin përmes zhvillimit të teknikave të thjeshta e të lehta për t’u përdorur për vetëmbrojtje.

Pesëdhjetë vajza dhe djem nga këshillat rinorë të Pogradecit dhe Kamzës përfunduan programin me tre kurse në fillim të këtij viti. Këto kurse praktike kombinojnë ndërgjegjësimin, këmbënguljen dhe aftësitë të konfrontimit verbal me strategjitë e sigurisë dhe teknikat fizike. Këto trajnime i pajisën të rinjtë me aftësinë për të parandaluar, rezistuar, shpëtuar dhe mbijetuar situatave të abuzimit fizik dhe emocional dhe shkuan përtej aftësimit fizik me qëllim që të mundësohet ndërgjegjësimi psikologjik si dhe aftësia verbale për trajtimin e situatve abuzive.

E ndërtuar mbi tre komponentë të modelit “Paqja mbi Dhunën”: ndërgjegjësimi, këmbëngulja dhe teknikat fizike, aktiviteti “Fuqizim përmes Vetëmbrojtjes” i ndihmoi anëtarët e këshillave rinorë të rrisin vetëvlerësimin dhe besimin u duke mësuar dhe praktikuar mjete për t’iu përgjigjur situatave të tilla duke përdorur etikën që sjell më pak dëm.

“Kjo ka qenë një përvojë e mrekullueshme. Ndjehem më e sigur tani. Ky program më ka ndihmuar të mësoj strategji që mund t’i zbatoj në një sërë situatash të parehatshme apo dhune,” tha Megi, një vajzë 15 vjeç nga Këshilli Rinor i Kamzës.

“Jam shumë i lumtur që mora pjesë në këtë trajnim. Tani ndjehem më i fortë dhe më i përgatitur për të përballuar situata të vështira. Mësuar për fuqinë e fjalës, rëndësinë e caktimit të kufijve dhe kontrollit të ndjenjave dhe mendjes,” u shpreh 16-vjeçari Kleart nga Këshilli Rinor i Pogradecit.

Projekti PLGP do të vazhdojë me zbatimin e Programit Fuqizim përmes Vetëmbrojtjes me këshillat rinorë në Librazhd, Cërrik, Bulqizë dhe Dibër në muajt në vazhdim pas kapërcimit të krizës aktuale botërore të shkaktuar nga koronavirusi. Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet sportit dhe formave të tjera alternative mbështet zhvillimin e tyre dhe i përgatit ata për jetën si drejtues të komuniteteve dhe të Shqipërisë si një e tërë.

Comments are closed.