Reformat në Shqipëri bazohen në praktikat më të mira në rajon
28 Prill, 2020
Fuqizimi i të rinjve përmes programeve të vetëmbrojtjes
28 Prill, 2020

Bashkitë partnere miratojnë ulje të pakrahasueshme të tarifave vendore për bizneset e reja të grave dhe të të rinjve.

Nga Diamanta Vito dhe Dr. Erald Lamja

Rritja e aktivitetit ekonomik përmirëson aftësinë e grave dhe të rinjve për të kontribuuar në qëndresën e komunitetit dhe parandalimin e dhunës si në familje ashtu edhe atë që lidhet me ekstremizmin. Kur gratë, vajzat dhe djemtë janë më të aftë të mbrojnë të drejtat personale dhe sigurinë e tyre, ata mund ta zgjerojnë atë rreth mbrojtjeje edhe tek ata që janë më pranë tyre. Një aspekt i rëndësishëm i pavarësisë së qëndrueshme është pavarësia financiare. Prandaj, fuqizimi ekonomik i grave dhe të rinjve është një strukturë thelbësore e qëndresës së komunitetit.

Projekti PLGP po punon në nivel vendor për të mbështetur gratë dhe të rinjtë si sipërmarrës përmes një qasje të dyanshëm, duke përdorur trajnime për krijimin e kapaciteteve dhe asistencën me materiale për të fuqizuar individët dhe duke ndërhyrë tek bashkitë për të mundësuar stimuj ekonomikë.

Tarifat vendore përcaktohen dhe administrohen në përputhje me Ligjin Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, në të cilin thuhet, “e drejta e NJQV-ve për të vendosur taksa dhe tarifa vendore për shërbimet e kryera, si dhe nivelin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe interesat e bashkisë”. Përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj, Këshilli Bashkiak vendos për llojet dhe nivelet e tarifave, së bashku me rregullat bazë për administrimin dhe mbledhjen e tyre.

PLGP ka punuar ngushtë me bashkitë partnere për të këshilluar dhe trajnuar stafin e bashkive gjatë planifikimit të buxhetit për vitin 2020. Në përputhje me kuadrin ligjor, ekspertët udhëzuan stafin teknik drejt përdorimit të metodës së duhur për të përfshirë këta stimuj në paketat e propozuara fiskale vjetore.

“Po të mendosh për tarifat mendore, mund të thuash se është diçka modeste, por kështu fillohet, duke bërë gjëra të vogla për të arritur tek ato të mëdha e të mrekullueshme të së ardhmes,” tha Tanita Duro, Shefe e Kabinetit në Bashkinë Kamzë.

Së bashku me drejtoritë e taksave të bashkive partnere, ekspertët e PLGP këshilluan vendimmarrësit vendorë për përfshirjen e stimujve që mbështesin angazhimin e grave dhe të rinjve në veprimtari ekonomike.

“Ne i shohim gratë dhe të rinjtë si aktorë të mundshëm të paqes në komunitet,” tha Afërdita, Drejtore e Taksave Vendore në Bashkinë Librazhd. “Ne duam t’i fuqizojmë ata që të gjejnë zërin e tyre. Jemi të sigurt se fuqizimi i tyre do të ndryshojë dinamikën në komunitetet e tyre.” Në po të njëjtën linjë, edhe Kryetari i Bashkisë Cërrik, Andis Salla deklaroi: “Ideja është e thjeshtë dhe bën shumë sens, kur gratë dhe të rinjtë fuqizohen ekonomikisht dhe janë pjesë e vendimmarrjes në komunitetet e tyre, shoqëritë janë më kohezive dhe më paqësore.” Si rezultat i mbështetjes dhe këshillimit për stafin vendor, të gjashtë bashkitë partnere të Projektit PLGP vendosën të marrin një vendim për uljen e tarifave për bizneset e reja që hapen nga gratë dhe të rinjtë.

Kjo është hera e parë që bëhen ulje të tilla dhe ky është një shembull konkret i vullnetit politik për të ecur përpara me masa drejt barazisë gjinore edhe në sferën ekonomike. Rritja e mundësive për t’u bërë pronare të bizneseve pritet të ndikojë jo vetëm në përfshirjen e grave dhe të rinjve në aktivitete ekonomike, por të shkojë edhe më tej duke i bërë të mundur këtyre sipërmarrësve të veprojnë si krijues të ndryshimeve dhe mundësues të paqes si në familjet e tyre ashtu edhe në komunitetet në përgjithësi.

Bizneset e reja të administruara nga vajzat dhe gratë si dhe ato të nisura nga individë të moshës nën 25 vjeç (pavarësisht moshës) do të përfitojnë një ulje të tarifave vendore në rreth 20-50% (në varësi të bashkisë) për vitin e parë të biznesit të tyre. 

Comments are closed.