Për bashki efektive, komunitete aktive, qytetarë më të sigurt
Tetor 9, 2019

Krijimi i një qasjeje me bazë nga poshtë me mbështetjen e bashkive

Në vitin 2019, Projekti i USAID-it nisi të fokusohej në një nga bazat e Programit “Gratë, Paqja dhe Siguria” – fuqizimi ekonomik (mundësimi i agjencisë financiare) të grave. Ashtu si edhe me komponentë të tjerë, ky komponent po zbatohet me një qëllim të dyfishtë: 1) mundësimi i lidhjeve personale në nivel vendor mes aktorëve kryesorë; dhe, 2) ngritja e mbështetjes strukturore për ndryshim. Në lidhje me fuqizimin ekonomik të grave, Projekti i USAID-it ka organizuar seminare në Cërrik, Librazhd dhe Pogradec për të analizuar mendimet e këtyre komuniteteve në lidhje me këtë çështje.

Arbeni, një i papunë 58 vjeç nga komuniteti egjiptian i cili ka përjetuar si sistemin komunist ashtu edhe atë të mëvonshëm, mori pjesë në një nga seminaret e organizuara nga Projekti i USAID-it. Duke bërë krahasim me të kaluarën ai theksoi se “hendeku gjinor është ngushtuar. Roli i mashkullit tashmë është më shumë i orientuar drejt punëve të shtëpisë, por pavarësia ekonomike në rolin e femrës ende nuk është arritur, gjë që sjell pabarazi dhe dhunë me bazë gjinore, veçanërisht në komunitetet e margjinalizuara.” Këto takime ku marrin pjesë mbi 100 gra dhe burra nga zona të ndryshme, mosha dhe përvoja nga më të larmishmet na japin një panoramë të gjerë të problemeve ekonomike që hasin gratë në bashkitë tona, gjë që evidentohet edhe në diskutimet që bëhen në këto aktivitete. Disa nga këto probleme janë martesat e detyruara në moshë të hershme, dhuna me bazë gjinore, dhe fenomeni i kujdesit nga të afërm (kur gjyshërit bëhen kujdestarët kryesorë për nipërit e mbesat e tyre në komunitetet në fjalë për shkak të emigrimit për punë jashtë vendit).

Një rezultat pozitiv i papritur nga këto takime ku ndërtohen lidhje ishte punësimi i disa grave nga një biznes në pronësi të një gruaje në Pogradec. “Ky ishte një fillim i mirë për sa i përket mbështetjes që mund të ofrojë sektori i biznesit për gratë e papuna,” tha Mukadesi, një grua sipërmarrëse në fushën e përpunimit të ushqimeve. Ajo shtoi se “Do të jem në kontakt me këto gra dhe besoj se mund të ofroj punë për disa prej tyre. Nëse kërkon, gjen; nëse pret që të ndodhë ndonjë mrekulli, atëherë situata mbetet e njëjtë.” Ky qëndrim ndaj fuqizimit ishte në të njëjtën rezonancë në Cërrik, ku 30-vjeçarja Shqiponja tha se “Nuk mund të kërkojmë dhe të presim të drejtat tona, barazinë dhe mirëqenien tonë nga burrat. Mund t’i sigurojmë vetë ato”.

Për të institucionalizuar këto lloj lidhjesh, Projekti i USAID-it ka filluar punën në Librazhd për të ngritur procesin e bashkëpunimit ku zyrat e punësimit që ndodhen në bashki të komunikojnë nevojat e komunitetit të biznesit te punëkërkuesit që jetojnë në bashkitë përkatëse. Objektivi parësor ishte t’u sigurohej grave mundësi për pjesëmarrje aktive në qeverisjen vendore, përfshirja e shqetësimeve dhe perspektivave të tyre në programet e sektorit privat dhe ndërgjegjësimi për nevojat e tregut për krahë pune. Pjesëmarrësit diskutuan për sfidat me të cilat përballen gratë, veçanërisht ato në grupet më të margjinalizuara të popullsisë (si komuniteti rom dhe ai egjiptian) dhe evidentuan e analizuan zgjidhje të mundshme në grupe të vogla diskutimi. U hartuan rekomandime dhe u vendos që ato të përktheheshin në një plan veprimi për t’u diskutuar në takime të tjera.

Nga ana e bashkisë, këshilltari i zyrës së punës tha se bazuar në këtë dialog të ndërsjellë mes bashkisë dhe bizneseve që ishin të pranishëm në këto takime u deklarua se bizneset kishin 30 vende të lira pune për gratë. Pesë nga këto gra që ishin të pranishme në këto aktivitete do të vijojnë me procedurat e mëtejshme për të nisur punë në këto biznese si rezultat e këtij komunikimi të hapur të mundësuar në aktivitetet e organizuara nga Projekti i USAID-it. Një tjetër rezultat pozitiv i këtyre takimeve ishte plani për të përfshirë çështjet tematike të grave në takimet e Këshillit Bashkiak dhe për të hapur mundësinë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në këto takime.

Të ndërthurura me punën tonë në Analizën e Zinxhirit të Vlerave me Përkatësi Gjinore, këto takime, forume dhe këshilla bashkëpunimi hedhin bazat për veprime specifike që synojnë fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës në të gjitha bashkitë tona partnere në ardhmen dhe që do të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme edhe pas mbarimit të projektit.

Comments are closed.