Planifikimi fiskal fuqizon njësitë vendore për rritjen e mbështetjes për qytetarët
16/09/2020
Programi i Biznesit të Vogël për Gratë shtron rrugën për transformim
16/09/2020

Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore realizoi për herë të parë në Shqipëri Analizën e Zinxhirit të Vlerës me Ndjeshmëri Gjinore në vitin 2019. Gjatë gjithë këtij procesi u evidentuan pengesat për përfshirjen e grave. Për disa zinxhirë vlerash, mungesa e standardeve ishte pengesë për aksesin në treg. Disa të tjera kishin të bënin me përpunimin e produkteve.

Projekti PLGP bëri ndërhyrje specifike për të mundësuar ndryshime pozitive për një kooperativë prodhuesesh të jufkave dhe për gratë që merren me kultivimin e bimëve aromatike-mjekësore (BAM). Duke nxjerrë në pah ekspertizën e tyre, Eksperti i Zhvillimit Ekonomik Vendor i Projektit PLGP krijoi një mjedis mundësues për secilën prej tyre për t’i shndërruar dhe rritur këto biznese në operacione të qëndrueshme dhe të suksesshme dhe u hapi dyert drejt niveleve të reja të rritjes së bizneseve dhe shpresës për to, familjet dhe komunitetin e tyre.

Krijimi i një mjedisi për sukses: Transformimi i Kooperativës së Grave në Dibër

Teksa jeta në Dibër, një bashki malore në pjesën lindore të vendit, mund të jetë luftë, gratë atje janë rezistente. Për vite me radhë, një grup prej 20 grash në Maqellarë janë të njohura për prodhimin e jufkës së tyre me cilësi të lartë. Pavarësisht nga kjo famë, mungesa njohurive për biznesin e shoqëruar me kohën e shkurtër të prodhimit (jufka nuk mund të thahet në kohë të ftohtë) ka bërë që grupi vetëm të mbijetojë dhe asgjë më shumë.

Projekti PLGP mbështeti bashkëpunimin me shërbime të larmishme duke mbuluar të gjitha fazat e prodhimit dhe marketingut të tyre. Përmes seancave trajnuese për ofrimin e njohurive për administrimin e biznesit, kërkesat për regjistrimin e biznesit dhe standardet e sigurisë ushqimore, gratë u fuqizuan për të ushtruar aktivitetin e tyre ekzistues në mënyrë më efikase. Po ashtu, këto gra ishin në gjendje të aksesonin tregje të reja me produkte artizanale dhe të paketuara me çmime të përballueshme. Duke e regjistruar sërish biznesin e tyre, gratë prodhuese arritën standardin shqiptar të produkteve, duke i dhënë besueshmëri cilësisë së prodhimeve të tyre. Cikli i prodhimit u zgjat edhe me blerjen dhe instalimin e një sistemi më të fundit të tharjes me anë të ajrimit. Me këto investime, kooperativa mund të prodhojë jufka gjatë gjithë vitit në mjediset e saj, duke sjellë si rezultat një rritje të përgjithshme të prodhimit me 40-60% dhe krijimin e pesëmbëdhjetë vendeve të reja të punës për gratë në komunitet (pesë brenda punishtes së prodhimit dhe dhjetë prodhuese që punojnë nga shtëpia)

Më parë jufka shitej në kuti të mëdha pa etiketë me çmimin 200 lekë për kg. Si rezultat i përpjekjeve të Projektit PLGP për certifikimin dhe etiketimin, çmimi i jufkave u rrit me 35-55%. Grupi po negocion me supermarketet dhe dyqanet e shumicës në tiranë për një çmim prej 400-500 lekë për kg. Kombinuar edhe me rritjen e prodhimit, ky grup pritet të arrijë të ardhura që shkojnë 35-40 milionë lekë në vit.

 “Tani mund të punojmë gjithë vitin dhe të futemi në treg, falë ndihmës nga USAID,” tha Melita, një nga anëtaret e grupit.

“është e pabesueshme sa shumë jemi zhvilluar për një periudhë kaq të shkurtër. Kemi prodhuar jufka për shumë vite por ishte prodhim informal. Madje as një faturë nuk ishim në gjendje t’ju jepnim klientëve tanë dhe nuk mund të futeshim dot në treg. Gjatë 6 muajve të fundit regjistruam biznesin ligjërisht dhe arritëm standardin AG. Përmirësuam edhe kushtet e punës, siguruam prodhim gjatë gjithë vitit dhe përmirësuam paketimin dhe etiketimin e produktit. Tani futemi në treg me markën tonë të regjistruar. Madje e gjitha kjo gjatë pandemisë. I jam shumë mirënjohëse USAID-it për mbështetjen, popullit amerikan për bujarinë e tyre dhe ekipit të Projektit PLGP për angazhimin e tyre,” shprehetLirie Rexha, drejtuese e kësaj kooperative prodhimi.

Hedhja e rrënjëve për të ardhura të qëndrueshme

Nënsektori i Bimëve Aromatike-Mjekësore (MAP) gjeneron të ardhura për rreth 100,000 familje në të gjithë Shqipërinë. Prodhimi industrial përqendrohet në kultivimin konvencional të mekanizuar në zona të mëdha fushore; megjithatë, shumë familje të varfra në zonat rurale malore angazhohen në mbledhjen e BAM në zonat malore. Kjo punë paraqet rreziqe për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga kafshët e egra, terreni i rrezikshëm dhe mungesa e sigurisë fizike gjatë mbledhjes dhe transportimit të produkteve në rrugë të ngushta e të dëmtuara. Nga kjo punë e izoluar nga shoqëria sigurohen pak të ardhura për familjet që merren me këtë punë dhe shpesh shkaktohen dëme në mjedis për shkak të teknikave të papërshtatshme të mbledhjes së BAM.

Duke njohur potencialin e rritjes në këtë sektor, Projekti i Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore zbatoi programe zonale për të promovuar kultivimin e BAM, për të përmirësuar teknikat e korrjes dhe marketingun e këtyre produkteve në Bulqizë, Cërrik dhe Dibër. Me fokus në angazhimin e grave, këto përpjekje trajtuan një fuqi punëtore kryesisht informale që u bë më e madhe pasi më shumë gra u përfshinë në fazat e prodhimit, përpunimit dhe marketingut të këtij zinxhiri vlerash.

Nëpërmjet asistencës teknike që PLGP u dha prodhuesve të BAM, dyzet e pesë gra dhe familjet e tyre përmirësuan kushtet e tyre të punës dhe të jetesës falë rritjes së të ardhurave. Asistenca teknike, këshillimi dhe mbështetja teknike e PLGP për inputet e produkteve (p.sh., fidanë) mbuluan të gjitha fazat e prodhimit, përfshirë hyrjen në tregun e ndërmjetësimit për shitjen e produkteve.

Nëpërmjet protokolleve dhe manualëve teknikë u bë i mundur transferimi i njohurive të praktikave të qëndrueshme të bujqësisë, duke i larguar gratë nga korrjet në zona të rrezikshme dhe ndonjëherë me metoda joefikase. Ekspertët u takuan me grupe dhe individë për t’u mësuar atyre praktikat më të mira për mbjelljen, kultivimin dhe korrjen. Panelet diellore të tharjes bënë që të ulej koha e tharjes dhe thasët e certifikuar të transportit të ushqimit siguruan që cilësia e produkteve të ruhej gjatë rrugës nga fusha drejt e në treg. Projekti PLGP vendosi lidhjet mes fermerëve dhe kompanive e eksportit për të siguruar arritjen e marrëveshjeve të drejta dhe të barabarta. Të gjitha këto përpjekje u evidentuan brenda komuniteteve, duke promovuar fuqizimin ekonomik të grave dhe përfshirjen e zinxhirit të vlerës si një praktikë më e mirë për të gjeneruar të ardhura dhe për të mundësuar qëndresën e komunitetit.

Lidhur me sigurinë e korrjeve në terren të egër, Projekti PLGP mbrojti idenë e ripunimit të fushave të cilat kishin mbetur djerrë për më shumë se 20 vjet. Tani, katër hektarë tokë (Bulqizë 1.5 hektarë, Dibër 1.7 hektarë, Cërrik 0.8 hektarë) janë kultivuar me lule mëllage, që do të sigurojë të ardhura të konsiderueshme prej $ rreth 80,000 – $ 100,000 në total. Secila nga gratë përfituese të projektit tonë do të marrë afërsisht $ 30-35 në ditë gjatë sezonit të korrjes (deri në katër muaj) dhe fitim mesatar prej $ 2,000-3,000 për secilën fermer si rezultat i partneritetit të tyre me PLGP. Përmes këtij procesi transformues, fermerët do të jenë në gjendje të riinvestojnë në fidanë (ose të shumojnë të tyret) për të korrat e vitit të ardhshëm dhe të bazohen në marrëdhënien e vendosur me eksportuesit për të promovuar bujqësinë e qëndrueshme dhe stabilitetin për të ardhmen.

 “Kam mbledhur bimë për vite me radhë pa arritur të siguroj të ardhura të mira. Falë mbështetjes së USAID-it, shpresoj që këtë vit jo vetëm të marrim fitime të mira por të hedhim bazat për të ardhura të qëndrueshme edhe për vitet që do të vijnë,” shprehet Lutfie Xheta, prodhuese e BAM në Bulqizë.

Familja ime nuk e kishte menduar kurrë se do të ishim në gjendje të punonim tokën tonë, sepse na mungonin si paratë ashtu edhe njohuritë e nevojshme për këtë lloj biznesi. Falë mbështetjes së USAID, familja ime u bë bashkë me fqinjët dhe vendosëm të kultivonin një pjesë të tokës që nuk ishte përdorur për më shumë se 20 vjet. Nga toka e kultivuar me kultura të bollshme dhe fitimet që vijnë prej saj sigurojmë të ardhura të mjaftueshme për familjet tona, kështu që ne nuk kemi pse të shkojmë në male për mbledhur bimë duke rrezikuar jetën. Në fakt, kemi inkurajuar edhe bashkëfshatarët tanë të angazhohen në këtë aktivitet të suksesshëm,” thotë Hana Tifekcia, nënë e tre fëmijëve në Dibër. Për të ardhmen, këto ndërhyrje në prodhimin artizanal të ushqimit dhe kultivimin e BAM do të vazhdojnë të krijojnë të ardhura për përfituesit e asistencës duke përmirësuar pozitën e grave në familjet e tyre, në komunitet dhe shoqëri si një e tërë dhe duke siguruar ndryshim të qëndrueshëm dhe për brezat që do të vijnë.

Comments are closed.