Monitorimi i zbatimit të planeve të përgjithshme vendore në Shqipëri
08/10/2019
Nga shpresa në qëllime
09/10/2019

Të rinjtë në Shqipëri janë një forcë e madhe me ndikim në shoqërinë e sotme. Pavarësisht kësaj, ata nuk njihen si forcë e tillë nga njësitë e vetë-qeverisjes vendore, prandaj nuk janë në gjendje të arrijnë potencialin e tyre të plotë në ngritjen e komuniteteve efektive dhe të qëndrueshme. Duke pasur parasysh këtë sfidë, Projekti PLGP ka nisur procesin e rëndësishëm të ngritjes së bordeve të të rinjve që do të njihen zyrtarisht nga njësitë e vetë-qeverisjes vendore në 6 bashkitë partnere të Programit “Gratë, Paqja, Siguria” (GPS). Këto borde u ofrojnë të rinjve mundësitë për të zhvilluar potencialin e tyre dhe për të siguruar një pjesëmarrje e që t’u dëgjohet zëri në proceset qeverisëse, të cilat ndikojnë në të ardhmen dhe komunitetet e tyre. Që nga viti 2018, Projekti PLGP ka bërë të mundur dhe realizuar ngritjen dhe zyrtarizimin e 5 bordeve të të rinjve në bashkitë Belsh (me ftesë nga vetë kjo bashki), Bulqizë, Cërrik, Librazhd, dhe Peshkopi.

Bordi i të Rinjve i Cërrikut ishte ndër bordet e para që u krijua nga një grup të rinjsh e të rejash që duan të bëjnë një ndryshim në jetën e tyre dhe në atë të komunitetit. Që nga krijimi i tij, anëtarët e këtij bordi janë angazhuar aktivisht në veprimtari të ndryshme për ngritje kapacitetesh dhe zhvillimin e komunitetit, si ditët e mjedisit, trajnime të ndryshme për advokacinë dhe aftësitë udhëheqëse, etj.

Në muajin maj të këtij viti, nëpërmjet një ushtrimi planifikimi dhe vizionimi, ata na treguan konceptin e tyre për qytetin ideal. Në këtë koncept përfshiheshin projekte arkitekturore dhe mjedisore, shërbime, vende të sigurta dhe pjesëmarrja qytetare. Ata i prezantuan këto projekte tek Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, z. Altin Toska, dhe tek Asistent Administratori për Zyrën e Evropës dhe Euroazisë së USAID-it, z. Brock Bierman, të cilët vlerësuar pasionet e sinqerta dhe idetë e të rinjve. Z. Bierman tha “duke i sjellë të rinjtë më pranë komunitetit dhe duke iu ofruar atyre mundësitë për të ndikuar te ndryshimet ndihmon në parandalimin e përhapjes së ideologjive të ekstremizmit të dhunshëm, gjë që është e mirë për komunitetin tuaj, për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.”

Në vazhdën e përkujdesit të tyre për hapësirat publike, të rinjtë e Bordit Rinor të Cërrikut dhe studentë nga Akademia Botërore e Tiranës u takuan në 29 maj për të marrë pjesë në një veprimtari të përbashkët mjedisore. Të 40 të rinjtë u takuan me kryetarin e Bashkisë Cërrik për të diskutuar rreth rolit të bashkisë në mbrojtjen e mjedisit. Ata mbollën mbi 30 pemë dhe bimësi të tjera në qendër të qytetit dhe në zonat përreth dhe vizituan Liqenin e Banjës ku mblodhën qese me mbeturina para se të argëtoheshin në piknikun e organizuar me këtë rast dhe me lojëra për forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe punës në grup.

Bordi Rinor i Cërrikut është rritur si nga numri ashtu edhe nga forca teksa bëhen gati për të festuar përvjetorin e parë të krijimit. Përveç takimeve me bashkinë për të organizuar dhe marrë pjesë në veprimtari të ndryshme komunitare, ata realizojnë edhe aktivitete të tjera në mënyrë të pavarur. Madje edhe veprime të tilla të thjeshta, si grupet e përbashkëta të piknikut, ndihmojnë në forcimin e lidhjeve që kanë si anëtarë të bordit rinor por që kanë prejardhje të ndryshme dhe krijojnë mundësi për socializim.

Mundësitë kulturore për t’u mbledhur së bashku si komunitet ishin të kufizuara në Cërrik. Si pjesë e një përpjekje të përbashkët me bashkinë, Projekti PLGP mbështeti mobilimin e kinemasë së Cërrikut. Kjo qendër e re multifunksionale (që ka të përfshirë edhe një kinema) u krijua me fonde të Programit të Bashkëpunimit Italo-Shqiptar për Zhvillim dhe përbën një rast pozitiv të bashkëpunimit mes donatorëve për komunitetet e margjinalizuara. Bashkia e përuroi kinemanë e re në një ceremoni që u ndoq nga mbi 300 qytetarë, ku Kryetari i Bashkisë shprehu falënderimet e tij dhe të qytetarëve të Cërrikut për mbështetjen që USAID dha në këtë drejtim. Qendra e re multifunksionale ofron një hapësirë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë shoqërinë e Cërrikut me qëllim pjesëmarrjen në veprimtari sociale dhe takime të komunitetit. Kinemaja e re do të rigjallërojë jetën artistike, kulturore dhe sociale të qytetarëve dhe do të ketë një ndikim të qëndrueshëm social te komuniteti edhe për brezat që do të vijnë.

Përveç krijimit të hapësirës sociale në Cërrik, Projekti i USAID-it rinovoi dhe mobiloi bibliotekën në Pallatin e Kulturës në Bulqizë, duke e kthyer atë në një qendër funksionale për të rinjtë, qendër që mund të shërbejë tashmë si hapësirë për përdorime të ndryshme nga të rinjtë dhe komuniteti në përgjithësi. Qendra e re e të rinjve në Bulqizë u ofron të rinjve anëtarë të Bordit Rinor por edhe të rinjve të tjerë nga kjo bashki një hapësirë publike për t’u mbledhur, për të organizuar veprimtari dhe trajnime, për të përdorur burimet e bibliotekës dhe për të përdorur kompjuterët e lidhur me internet. Kjo qendër të rinjsh, nëpërmjet veprimtarive të ndryshime social-kulturore, do të forcojë kapacitetet e të rinjve dhe do të mbështesë përpjekjet e tyre për t’u bërë udhëheqësit e së ardhmes. Qendra rinore i shërben një qëllimi tejet të rëndësishëm për të rinjtë e Bulqizës, sepse kjo qendër është i vetmi institucion kulturor dhe artistik për ta në të gjithë bashkinë. Funksionimi i kësaj qendre i dha më shumë vlerë jo vetëm mundësive të të rinjve por për të gjithë bashkinë dhe i rrit më shumë besimin rolit e rinisë në ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme.

Comments are closed.