Rëndësia e këshillave vendorë të sigurisë dhe roli i të rinjve si katalizatorë të ndryshimeve
Mars 12, 2019
Transformimi i jetës së qytetarëve përmes shërbimeve më të mira
Mars 12, 2019

Nga Edison Balla –

Bulqiza është një qytet që ndodhet në pjesën verilindore të vendit. Ashtu si një pjesë e madhe e bashkive të vogla të vendit, edhe Bulqiza “vuan” nga mungesa e angazhimit qytetar dhe shoqërisë civile.

Aktivizmi rinor mbetet padyshim një nga sfidat ose për të mos thënë sfida ime personale më e madhe, që në momentin që jam kthyer të punoj në vendlindjen time, në Bashkinë e Bulqizës.

Si një i ri me dëshirë dhe vullnet për të ndryshuar vendin tim, më duhet të pranoj se në fillim ekzistonte një frymë pesimizmi nga shumë njerëz sa herë, ne si Bashki, zhvillonim aktivitete, trajnime, apo sesione informimi me të rinjtë. Në fillim të gjitha aktivitetet që realizonim nuk garantonin një vazhdimësi edhe për ditët që pasonin. Ishte nevoja e krijimit të një organizmi efektiv dhe të qëndrueshëm.

Pikërisht kështu lindi edhe ideja e krijimit të Bordit Rinor të Bulqizës. Krijimi i kësaj strukture të qëndrueshme që do t’i jepte jetë më pas mbarë komunitetit, erdhi si një iniciativë serioze dhe po ashtu mbështetjes së vazhdueshme nga Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP), një prej partnerëve tanë më të rëndësishëm. Ekspertët dhe stafi i PLGP, e kanë mbështetur vazhdimisht jo vetëm Bordin Rinor të Bulqizës, por në përgjithësi të rinjtë e gjithë Bulqizës.

Dëshira ime e madhe personale për të nxitur sa më shumë aktivizmin rinor, por edhe obligimi si përfaqësues i Bashkisë Bulqizë, nuk do të realizohej në këtë nivel që kemi arritur pa kontributin e donatorit dhe bashkëpunëtorit tonë USAID. Por siç edhe unë që përfaqësoj një institucion publik, dihet që edhe pas emrit serioz të USAID qëndrojnë njerëz me zemër të madhe dhe që punojnë pa u lodhur. Ndaj edhe unë sot e ndiej obligim moral, që në emrin tim dhe të institucionit të Bashkisë Bulqizë të falënderoj përzemërsisht drejtuesin dhe ekspertët e PLGP.

Deri sot që flasim, Bordi Rinor Bulqizë, ka realizuar me dhjetëra trajnime të asistuara nga ekspertët e USAID, Bashkisë Bulqizë, dhe Gjimnazit “Arbëria” Bulqizë. Ky organizëm sot njihet edhe zyrtarisht nga Bashkia, me anë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që ne kemi firmosur me Kryetarin e Bashkisë. Gjithashtu janë zhvilluar fushata e aktivitete të tjera, me qëllim nxitjen e të rinjve për të marrë pjesë sa më shumë në qeverisjen e qytetit dhe jetës komunitare.

Ne jemi të sigurtë që kjo praktikë tashmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në Bulqizë. Me mbështetjen e PLGP, ja kemi dalë të krijojmë një organizëm që do të rifreskohet herë pas herë me të rinj të tjerë, pasi interesi i tyre është mjaft i madh dhe sa vjen e shtohet.

Gjithmonë e kam thënë që investimi më i madh që mund të bëjë një vend, organizatë, apo institucion mbetet me patjetër investimi tek të rinjtë. Është investim i madh t’i japësh një të riu mundësinë për të treguar veten sesa vlen. Bulqiza nuk vuan nga mungesa e të rinjve të aftë, por thjeshtë kanë munguar mekanizmat për ti nxitur dhe aktivizuar të rinjtë. Ne jemi këtu për t’a bërë këtë, dhe jam i bindur që po bëjmë më të mirën. Kemi akoma shumë për të bërë!

Edison Balla punon në Bashkinë e Bulqizës si përgjegjës i “Njësisë për Integrimin Evropian dhe Ndihmën e Huaj”, si dhe pjesë e Zyrës së Medias pranë kësaj bashkie. Ai është një nga nismëtarët e Bordit Rinor të Bulqizës dhe prej kohësh pjesë aktive e shoqërisë civile.

 

Foto nga Erald Lamja

Comments are closed.