Programi i Biznesit të Vogël për Gratë shtron rrugën për transformim
16/09/2020
PLGP Chief of Party
Aktiviteti “Gratë, Paqja dhe Siguria” – Mendime në mbyllje të projektit
16/09/2020

Edhe pse të rinjtë në Shqipëri njihen si agjentë të ndryshimit shoqëror, ata vazhdojnë përgjithësisht të përjashtohen nga qeverisja vendore dhe po përballen me një mungesë të frikshme të mundësive në komunitetet e tyre. Ky mjedis bën që shumë njerëz të kërkojnë arsimim dhe punësim jashtë vendit dhe bën që ata që mbeten në vend të jenë të pashpresë se mund të kontribuojnë për një “Shqipëri më të mirë”.

Përvoja e Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore me të rinjtë dhe të rejat tregon se ata kanë fuqinë dhe vizionin për të qenë forcë pozitive në komunitetet e tyre. Me synim fuqizimin i të rinjve për t’i kuptuar dhe evidentuar këto fuqi dhe për të vepruar me to, Projekti PLGP krijoi bordet rinore në gjashtë bashkitë partnere Bulqizë, Cërrik, Dibër, Kamzë, dhe Pogradec. Bordet rinore përbëhen nga vullnetarë energjikë dhe u sigurojnë anëtarëve të tyre bashkëveprim shoqëror si dhe mundësi për komunikim me qeverinë vendore dhe organizata të tjera komunitare. Rreth 450 të rinj u angazhuan aktivisht në dialog konstruktiv me zyrtarët vendorë për çështjet që u përkasin të rinjve. Këto seanca bëjnë që të dëgjohet zëri i këtyre avokatëve të rinj dhe janë ndihmë për NJQV-të në hartimin e politikave përfaqësuese konstruktive për t’i shërbyer më mirë qytetarëve të tyre.

“Asistenca e USAID-it në krijimin e Bordit Rinor të Cërrikut ishte një mbështetje e madhe në përpjekjet tona vendore për ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në udhëheqje, pjesëmarrje aktive në vendimmarrje dhe në zhvillimin e komunitetit,” tha Erjola Çalja, Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë Cërrik.

Programi i Akademisë Rinore i pajisi anëtarët e bordeve rinore me njohuritë dhe aftësitë bazë për jetën dhe aktivitete të shumta bashkëpunimi rritën angazhimin e tyre me autoritetet vendore dhe komunitetin në përgjithësi. Aktivitetet e organizuara pas mësimit, siç janë ditët në terren dhe festivalet e ndryshme, pasuruan jetën sociale të të rinjve. Pastrimi i mjedisit dhe fushatat e ndryshme për çështje të caktuara jo vetëm që rritën ndërgjegjësimin e të rinjve për problemet me të cilat përballen qytetarët, por u siguruan atyre një platformë për të diskutuar hapa konkretë që mund të ndërmarrin për të mundësuar ndryshimin.

“U bëra pjesë e bordit rinor, sepse e dija që do të ishte një mundësi shumë e mirë për të takuar njerëz që kanë interesa të njëjta me ato të miat, për t’u ballafaquar me autoritetet vendore dhe për të kontribuar sa më shumë në jetën e komunitetit ku bëj pjesë. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e një grupi të tillë dhe as nuk jam përfshirë në aktivitete rinore më parë. Përpiqem të ndihmoj sado pak me veprimet që bëj çdo ditë në të mirë të komunitetit, por më vjen mirë që bëj diçka drejtpërsëdrejti, si p.sh., duke u bërë anëtar i bordit rinor.”, tha Ersoni, një 18-vjeçar nga Bordi Rinor i Kamzës.

“Kemi përfituar aq shumë nga trajnimet e ndryshme që kemi marrë në lidhje me udhëheqjen, mbrojtjen e interesave, aktivizmin e të rinjve, komunikimin efektiv dhe zhvillimin personal. Morëm pjesë edhe në seanca të hapura për vullnetarizmin, hapësirat e sigurta, riciklimin dhe sjelljet antisociale,” tha Alda nga Bordi Rinor i Dibër.

Ndonëse të gjashtë bordet rinore u njohën zyrtarisht nga bashkitë e tyre, shumë prej këtyre bordeve nuk kishin mjedise për t’u takuar. Duke përforcuar vlerën e bordeve rinore si qendra për angazhim dhe aktivizimin shoqëror të të rinjve, PLGP ngriti gjashtë qendra rinore, një për secilin bord. Pas pajisjeve dhe mobilimit e deri te rinovimi i plotë i ndërtesave, secila prej këtyre qendrave tani funksionon si një vend takimi për të rinjtë dhe shumë prej tyre përdoren edhe për qëllime të tjera, si angazhimi i komunitetit si një i tërë në zgjidhjen e çështjeve vendore.

“Kur filluam punën me të rinjtë në bashkitë partnere, një nga sfidat më të mëdha ishte mungesa e vendeve për organizimin e aktiviteteve. Asnjë nga bashkitë nuk kishte një qendër rinore ose vend të ngjashëm për t’u mbledhur. Tani të rinjtë kanë një vend ku takohen dhe kalojnë kohën së bashku, dhe bashkitë kanë një vend ku mund të mbledhin të rinjtë dhe për të organizuar aktivitete me ta,” tha Laureta Memo, Eksperte e Angazhimit Qytetar pranë Projektit PLGP.

Bordet rinore të krijuara nga Projekti PLGP kanë fuqizuar të rinjtë dhe të rejat për të kuptuar vlerat e tyre, për të zhvilluar dhe përdorur instrumente transforimi social, dhe për të gëzuar mjediset fizike dhe sociale që synojnë të çojnë përpara ndryshimin pozitiv për vete dhe për të komunitetet e tyre.

Comments are closed.