Vullnet politik për më shumë barazi gjinore
28 Prill, 2020
Mbështetje për fuqizimin ekonomik të grave në zinxhirin e vlerës
28 Prill, 2020

Nëntëmbëdhjetë bashki në të gjithë Shqipërinë përfitojnë trajnimin bazë në trajtimin e shkaqeve kryesore për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Nga Robert Korkuti dhe Diamanta Vito

Bashkitë në ditët e sotme po përballen me sfida të reja që kanë të bëjnë jo vetëm me shëndetin publik, mirëqenien sociale, infrastrukturën dhe mjedisin, por edhe me sigurinë e njerëzve. Nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve për të përballuar situatat e paparashikuara bashkitë përfitojnë aftësinë për të mobilizuar qytetarët e tyre, bizneset në vend dhe institucionet për t’i dhënë përgjigjen e duhur problematikave natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu dhe që ndikojnë te komunitetet e tyre.

Një nga këto problematikat është edhe fenomeni i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ndërgjegjësimi dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për trajtimin e shkaqeve të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në nivel qendror e vendor janë bazat e punës së programit “Gratë, Paqja dhe Siguria” të Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.

Në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe në vijim të strukturës dhe përmbajtjes së Udhëzuesit “Për Bashki Efektive, Komunitete Aktive dhe Qytetarë më të Sigurt”, deri më sot janë organizuar njëzetë seanca trajnimi në bashkitë Bulqizë, Cërrik, Librazhd, Dibër, Pogradec, Kamzë, Tiranë (2), Durrës, Kavajë, Vorë, Shkodër, Fier, Lushnje, Patos, Berat, Kuçovë, dhe Bilisht. Për shkak të situatës të shkaktuar nga pandemia Covid-19, trajnimet në Elbasan dhe Vlorë janë organizuar nëpërmjet internetit në mënyrë virtuale. Në këto trajnime kanë marrë pjesë mbi 530 zyrtarë vendorë dhe aktorë të tjerë interesuar. Duke pasur parasysh se parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm angazhon si gratë ashtu edhe burrat, 54% e pjesëmarrësve në këto trajnime ishin gra dhe vajza të reja.

Objektivi kryesor i këtyre seancave të trajnimit ishte rritja e ndërgjegjësimit dhe përhapja e informacionit për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe prezantimi i faktorëve të përbashkët tërheqës dhe shtytës që bëjnë që qytetarët të radikalizohen. Me evidentimin e këtyre faktorëve, më pas vijohet me përcaktimin dhe prezantimin te stafi i njësive vendore i funksioneve dhe përgjegjësive të bashkive në këtë fushë dhe mekanizmat vendorë që shërbejnë për parandalimin dhe trajtimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Është shumë e rëndësishme për ne të parandalojmë radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm me qëllim që të kemi komunitete të sigurta. Bashkitë duhet të angazhohen në trajtimin e shkaqeve të këtij fenomeni duke ofruar shërbimet e duhura për qytetarët me fokus të veçantë te komunitetet e margjinalizuara,” tha Nënkryetarja e Bashkisë Berat.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore e kanë të pamundur ta parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm vetëm. Qasja më efikase për parandalimin është qasja e integruar, gjithëpërfshirëse, ndërsektoriale duke pasur parasysh se natyra shumëdimensionale e nxitësve të ekstremizmit të dhunshëm kërkon planifikimi dhe ndërhyrje të përgjegjshme.

Duke u mbështetur në këtë parim, në trajnimet e organizuara nga Projekti PLGP morën pjesë jo vetëm punonjës të nivelit të lartë të bashkive, por edhe përfaqësues nga prefektura, Policia e Shtetit, drejtoritë e arsimit dhe shëndetësisë, media, shoqëria civile, dhe disa komunitete fetare.

“Këtë fenomen nuk duhet ta lëmë pas dore. Distanca me qytetarët në zonat rurale është rritur shumë dhe këta qytetarë në zonat e largëta jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale,” tha Arben Gjuraj, Nënkryetar i Bashkisë Shkodër.

Seanca e trajnimit ishte ndërvepruese, duke nxitur pjesëmarrësit të marrin pjesë aktivisht në diskutime dhe punën në grupe sipas sfidave specifike të secilës bashkia. Sipas vlerësime që bënë pjesëmarrësit pas trajnimeve, rreth 58% e pjesëmarrësve morën pjesë në këto trajnime për herë të parë për këtë tematikë, gjë që tregon qartë vlerën e aktiviteteve të tilla për rritjen e ndërgjegjësimit.

Pjesëmarrësit në të gjitha trajnime ranë dakord se mënyra më e mirë për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe baza e komuniteteve të sigurta janë bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm mes aktorëve vendorë si dhe kryerja e ndërhyrjeve të integruara ndërinstitucionale përfshirë bashkëpunimin me shoqërinë civile.

Një tjetër çështje e trajtuar gjerësisht gjatë këtyre trajnimeve ishte edhe përmirësimi i shërbimeve që ofrohen nga njësitë vendore dhe që lidhen me sigurinë publike. Këtu përfshihen rritja e efikasitetit të policisë bashkiake, sigurimi i mirëqenies dhe lidhjeve të ngushta me komunitetin, ndërmjetësimi për zgjidhjen e konflikteve në komunitet dhe parandalimi i fyerjeve administrative. Pjesëmarrësit e këtyre trajnimeve përfituan njohuri teknike dhe ligjore për të përmirësuar më tej këto shërbime në komunitetet e tyre përkatëse.

Në këto trajnime u diskutua edhe për një çështje që ka të bëjë me identifikimin e faktorëve të riskut dhe mbështetjen për qytetarët që janë në rrezik përfshirjeje në ekstremizmin e dhunshëm. Duke u angazhuar me rastet studimore të prezantuara në trajnime, pjesëmarrësit (të organizuar në grupe pune) diskutuan për arsyet e radikalizimit të qytetarëve, treguesit e radikalizimit dhe mënyrat e ofrimit të mbështetjes për ta.

Vëmendje e veçantë iu kushtua prezantimeve dhe diskutimeve për rolin e bashkive në mekanizma të ndryshëm që veprojnë në nivel vendor, si Mekanizimi i Referimit të Dhunës në Familje, Mekanizmi Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Mekanizmi për Fëmijët në Rrezik, dhe Nismat “Shkolla si Qendër Komunitare”. Këshillat Vendorë të Sigurisë, të krijuar vitet e fundit në shumë bashki, janë një tjetër shembull i angazhimit të bashkive, duke rritur bashkëpunimin me Policinë e Shtetit pas zbatimit të filozofisë dhe praktikës së policimit në komunitet.

Së fundi, pjesëmarrësit diskutuan edhe për veprimet që duhet të ndërmerren nga bashkitë për të fuqizuar aktorët vendore, duke qenë se këta të fundit ndërtojnë kohezionin e komunitetit dhe rrisin vëmendjen që duhet të marrin të drejtat dhe nevojat e grave dhe vajzave. Nga ana tjetër, edhe vullneti politik vendor dhe veprimet konkrete drejt barazisë gjinore luajnë një rol tepër të madh në krijimin e shoqërive më të barabarta, në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe të luftës kundër strategjisë së ndarjes dhe diferencimit që përdoren nga shumë grupe radikale.

Nënkryetarja e Bashkisë Lushnje, Eriselda Stefa, evidentoi nevojën që kanë zyrtarët vendorë për rritjen e kapaciteteve dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional për të parandaluar edhe më mirë radikalizimin e qytetarëve. “E kuptojmë rëndësinë që ka policia bashkiake dhe inspektoratet e bashkisë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike,” duke shtuar se bashkia “po merr masa për të promovuar komunitete paqësore dhe të qëndrueshme.

Komunitetet e forta –ato me më pak raste margjinalizimi dhe përjashtimi si dhe me rritje mundësish për shërbime sociale dhe ekonomike– janë më shumë në gjendje të trajtojnë faktorët nxitës dhe shtytës që çojnë në radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm.

Comments are closed.