Financimi i mbrojtjes sociale – çelësi për përmirësimin e cilësisë së jetës për grupet më të margjinalizuara
28/04/2020
Reformat në Shqipëri bazohen në praktikat më të mira në rajon
28/04/2020

Nga Elton Stafa

Dokumenti i politikave i Projektit PLGP i botuar kohët e fundit “Arsimi parashkollor ndërthurur me financat dhe qeverisjen vendore” synontë bëjë të mundur që politikëbërësit shqiptarë të kuptojnë më mirë sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e arsimit parashkollor. Ky i fundit është funksioni më i kushtueshëm dhe mund të debatohet se është edhe më i rëndësishmi mes funksioneve që u decentralizuan në vitin 2016.

Ky dokument politikash analizon se si decentralizimi i këtij funksioni tek qeverisja vendore ka ngritur pyetje edhe për aksesin dhe cilësinë e arsimit parashkollor të fëmijëve, të pandashëm nga pyetjet për financat dhe qeverisjen vendore. Nga ky këndvështrim, dokumenti shqyrton mangësitë që evidentohen mes strategjive/ligjeve dhe praktikave aktuale për financimin dhe menaxhimin e arsimit parashkollor.

Më e rëndësishmja, dokumenti ofron një udhërrëfyes me rekomandime konkrete për përmirësimin e financimit dhe qeverisjes e arsimit parashkollor për një periudhë afatmesme.

Këto rekomandime bazohen në bashkëpunimin e suksesshëm mes Projektit PLGP dhe Ministrisë së Financave në hedhjen e hapave të parë për përmirësimin e financimit të arsimit parashkollor në Shqipëri. Në këto hapa përfshihen edhe alokimi i fondeve shtesë për ato bashki që kanë raport tepër të lartë nxënës-mësues në arsimin parashkollor si dhe kuadri paraprak për ndarjen e fondeve sipas numrit të nxënësve për bashkitë (siç kërkohet nga ligji dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare).

Në shifra konkrete, në vitin 2019 qeveria shqiptare ndau 320 milion lekë për të punësuar 440 edukatore të arsimit parashkollorë (me një rritje prej 10%) për ato bashki që kishin nevojë urgjente. Si rezultat i kësaj reforme, madhësia mesatare e klasës në shkallë vendi ra nga 18 në 16 nxënës për mësues dhe nga 26 në 18 nxënës për mësues në ato zona urbane që kanë rritje të madhe të popullsisë.

Në thelb, Projekti PLGP mendon se duhet të bëhen përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar arsimin parashkollor në Shqipëri dhe që qeveria shqiptare të mbajë premtimin për rritjen e shpenzimeve në këtë drejtim dhe se qasja më e mirë është forcimi i të drejtave dhe burimeve të bashkive.

Projekti mendon se qeveria shqiptare duhet të marrë parasysh (ndofta me mbështetje nga jashtë) krijimin e një programi universal të ushqimit për kopshtet dhe çerdhet, pa kosto për qytetarët. Ky program do të nxisë rritjen e numrit të regjistrimeve në kopshte, gjë që do të rrisë nga ana tjetër mundësitë e grave për të marrë pjesë në tregun e punës, duke ndihmuar kështu në zbutjen e varfërisë dhe nxitjen e përfshirjes sociale në bashkitë në të gjithë vendin.

Comments are closed.