Bordet Rinore: Fuqizimi i të rinjve për një të ardhme më të mirë
16/09/2020
PLGP Chief of Party

Kam kënaqësinë të ndaj me ju numrin e fundit të gazetës së Projektit PLGP, ku evidentohet përfundimi me sukses e veprimtarisë 105 muaj të projektit tonë në Shqipëri, përfshirë këtu edhe komponentin “Gratë, Paqja dhe Siguria” për një periudhë 23 mujore. Kush mund ta mendonte se që nga muaji janar i vitit 2012 kur u hap Projekti PLGP do të vazhdonim ende të punonin në 2020? Që nga ajo kohë, kemi zgjeruar punën tonë duke inkuadruar jo vetëm komponentët bazë, si thellimi i decentralizimit, forcimi i vetëqeverisjes vendore dhe përmirësimi i shërbimeve vendore, por edhe krijimin e qëndresës së komuniteteve dhe qëndrueshmërisë në Shqipëri nëpërmjet veprimtarive që trajtojnë përjashtimin social dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm si dhe fuqizimin e grave dhe vajzave si forcë ndryshimi në komunitetet tona.

Duke qenë se ky muaj shënon edhe përfundimin e veprimtarive të komponentit “Gratë, Paqja dhe Siguria”, në këtë numër të fundit të gazetës së projektit evidentohen disa nga arritjet dhe rezultatet më kryesore të tij. Shpresoj se do të shfletoni artikujt e shumtë që përshkruajnë arritjet në fuqizimin ekonomik të grave, pajisjen e të rinjve me dije për një të ardhme më të mirë, mbështetjen për viktimat e dhunës në familje, fuqizimin e të rinjve nëpërmjet vetëmbrojtjes, forcimin e kapaciteteve të Qendrës Kombëtare të Koordinimit për Ekstremizmin e Dhunshëm, hedhjen e bazave të forta për udhëheqësit e së nesërmes, dhe krijimin e mundësive për njësitë e vetëqeverisjes vendore për rritjen e mbështetjes për qytetarët me anë të planifikimit fiskal.

Shpresoj të kemi sjellë ndryshimin në jetën e grave dhe burrave, të rinjve dhe të rejave në Shqipëri, për njerëz si Trëndafilja, Greta dhe gratë e tjera nga Kamza që kanë më shumë besim tashmë në aftësitë e tyre si pronare të bizneseve të vogla; për 433 vajza dhe djem që kanë marrë pjesë në bordet rinore dhe të 133 bashkëmoshatarëve të tyre që kanë përfunduar trajnimet për vetëmbrojtjen; për 662 zyrtarë vendorë që kanë më shumë informacion dhe janë më të ndërgjegjësuar për trajtimin e radikalizimit në komunitetet e tyre; dhe për 150 gra dhe familjet e tyre nga zonat rurale që kanë rritur fitimet dhe kanë më shumë stabilitet në jetën e tyre falë veprimtarive të zhvillimit ekonomik të mundësuar nga projekti ynë.

Teksa festojmë progresin e bërë realitet deri më sot, duhet të kemi parasysh edhe sfidat e shumta që kemi përpara. Duhet të promovojmë integrimin e vazhdueshëm të çështjeve të barazisë gjinore në politikat dhe vendimmarrjen vendore. Duhet të operacionalizojmë integrimin gjinor në nivel vendor duke bërë të mundur që në secilën bashki të emërohen Nëpunësit e Barazisë Gjinore dhe që në hartimin dhe miratimin e politikave dhe në vendimmarrjen vendore të merret edhe mendimi i tyre. Dhe së fundmi, është me shumë rëndësi që të vazhdojmë punën edhe në nivel kombëtar për të siguruar financimin e duhur për shërbimet e qeverisjes vendore.

Përmes Projektit PLGP, USAID ofron shembujt e parë të suksesshëm se si të integrohen çështjet e komponentit “Gratë, Paqja dhe Siguria” dhe parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm më konkretisht në qeverisjen vendore dhe diskutimet për reformën në administratën publike. Kjo është me shumë rëndësi, teksa bëjmë plane për rimëkëmbjen pas pandemisë COVID. Nëse kjo pandemi globale na ka mësuar ndonjë gjë, është vlera dhe nevoja për bashki të forta, të përgjegjshme dhe ndikimin që kanë këto periudha krize tek gratë në veçanti. Ajo që rekomandojmë dhe nxisim të realizohet tani është zbatimi, zgjerimi dhe përshkallëzimi i këtyre modeleve, metodave dhe metodologjive të testuara nga qeveria shqiptare dhe komuniteti i donatorëve në Shqipëri. Ju lutemi përdorni burimin e pasur me instrumente, manuale dhe udhëzues të hartuar nga Projekti PLGP, të gjitha të publikuara në adresën në www.plgp.al.

Teksa mbyllim zyrën, stafi i Projektit PLGP dhe unë personalisht duam t’u shprehim falënderimet tona partnerëve tanë, stafit në qeverisjen qendrore, në Qendrën CVE, ekspertëve të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Arsimit, deputetëve dhe komisioneve parlamentare, kryetarëve dhe kryetareve të bashkive dhe ekspertëve vendorë që punuan pa u lodhur për të përmirësuar shërbimet dhe jetën e qytetarëve.

Së fundi, dua të falënderoj stafin e mrekullueshëm të Projektit PLGP. Sukseset që keni parë në këto tetë e më shumë vite nuk do të ishin të mundura pa punën e tyre të lavdërueshme dhe angazhimin e tyre serioz.

Shpresoj se pasi të keni lexuar këtë artikull të numrit të fundit të gazetës së projektit të frymëzoheni dhe të besoni se ndryshimi është i mundur në Shqipëri.

Shumë faleminderit!

Comments are closed.