Planet vendore për nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor
15/08/2018
Edukimi i brezit të ri
15/08/2018

Nga Robert Korkuti dhe Lori Memo –

Roli kryesor i të rinjve në përmirësimin e komuniteteve vendore

Ajdi dhe Fatri janë nxënës të shkëlqyer dhe të rinj aktivë që përfaqësojnë bordet e sapokrijuara të të rinjve në Bulqizë dhe Cërrik. Edhe pse vijnë nga qytete, kultura dhe përvoja të ndryshme, ajo që i bashkon Ajdin dhe Fatrin është vizioni i tyre për të ardhmen dhe motivimi për të dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitete. Të zgjedhur nga bashkëmoshatarët e tyre, Ajdi dhe Fatri njihen tashmë edhe zyrtarisht nga bashkitë përkatëse si përfaqësues të të rinjve, falë marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara në maj 2018 mes Bordeve të të Rinjve dhe bashkive.

Projekti PLGP ka mbështetur krijimin e këtyre bordeve, si dhe ka realizuar raundin e parë të trajnimeve për vullnetarizmin dhe aktivizmin. Që në fillimet e punës me të rinjtë e zgjedhur nga shkollat e mesme të Cërrikut dhe Bulqizës, na ka bërë përshtypje të madhe përgjegjshmëria civile, vizioni  për të ardhmen dhe vullneti për të trajtuar dhe zgjidhur problemet me të cilat përballen komunitetet e tyre.

Që në trajnimin e parë të grupit me fokus rolin thelbësor të të rinjve në qytetarinë aktive dhe ndryshimet sociale, si dhe për qytetin e tyre të ëndrrave, Ajdi u dallua për dinamikën dhe vendosmërinë, duke fituar kështu votat e grupit për të qenë  përfaqësuese e tyre në Bashki. Ajdi është një vajzë plot energji pozitive dhe entuziazëm. Përkushtimi i saj ka nxitur dhe fuqizuar edhe vajza dhe djem të tjerë të bordit të të rinjve. Po ashtu, Ajdi është anëtare edhe e ekipit kampion kombëtar të hendbollit për femra në Cërrik.

Fatri është një djalë që merr përgjegjësi dhe ka natyrën e një drejtuesi të qetë. Ai është maturant në shkollën e mesme dhe është kryetar i këshillit të nxënësve të të vetmes shkollë të mesme të Bulqizës. Fatri dhe shokët e tij në bordin e të rinjve sjellin një vizion të mrekullueshëm të qytetit të tyre të ëndrrave. Në përfytyrimet e tyre Bulqiza ka standardet më të larta në planifikimin urban, arsim, punësim etj. Fatri dhe bordi i të rinjve ndajnë dhe adresojnë shqetësimet e tyre për çështje të sigurisë, duke përfshirë dhunën në shkolla, përdorimin e marihuanës, sigurinë rrugore, dhunën në familje, sigurinë e punëtorëve të minierave dhe probleme të tjera në komunitetin e tyre, probleme që mund të çojnë në radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm.

Bashkia e Cerrik ka qenë nxitëse e nismave vullnetare dhe gati 70 të rinj janë regjistruar për të shërbyer si vullnetarë. Kryetari i Bashkisë së Cërrikut kërkoi mbështetje nga Projekti i USAID-it për të zyrtarizuar këtë grup, i cili do të përkrahë bashkinë jo vetëm në organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e komunitetit, por edhe në procesin e konsultimit dhe vendimmarrjes. Bazuar në kërkesën e kryetarit, PLGP ka asistuar në krijimin e bordit të të rinjve me 16 vajza dhe 10 djem që përfaqësojnë katër shkolla të mesme në këtë bashki.

Pjesëmarrja e të rinjve në aktivitetet jashtëshkollore është një element i rëndësishëm në formimin e tyre shoqëror dhe qytetar. Pjesëmarrja dhe fuqizimi i grupeve rinore në aktivitetet komunitare zvogëlon gjithashtu mundësitë për përfshirje në krim dhe dhunë. Si Fatri ashtu edhe Ajdi kanë të njëjtin vizion në këtë drejtim. Në qytetet e tyre të ëndrrave, bibliotekat, mjediset sportive, klubet e artit dhe teatrot, kanë një vend të veçantë dhe janë pjesë përbërëse e komunitetit.

Forcimi i shoqërisë civile për të ndërtuar qëndrueshmërinë e komunitetit është një nga objektivat kryesore të Strategjisë Kombëtare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Në përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit dhe ngritjen e kapaciteteve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në nivel vendor, Projekti i USAID-it ka kryer trajnime me zyrtarë të qeverisjes vendore në Cërrik dhe Bulqizë, duke u fokusuar në rolin e bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile për trajtimin e këtij problemi.

Përtej punës me të rinjtë, Projekti i USAID-it do të bashkëpunojë me bashkitë pilot për ngritjen e strukturave të tjera të komunitetit, si Komisioni Këshillimor Qytetar dhe Këshillat Vendore të Sigurisë, të cilat kanë dëshmuar efektivitet dhe që janë përshtatur nga bashki të tjera si mekanizma që mundësojnë komunitete elastike.

Comments are closed.