Apelimi Tatimor në Nivel Vendor
Maj 15, 2018
20-Vjetori i Komisionit Qytetar të Kuçovës
Qershor 22, 2018

Projekti PLGP në bashkëpunim me AKPT organizoi në 11-12 maj dhe 16-16 maj dy trajnime të fokusuara në zbatimin e planeve të përgjithshme vendore (PPV) të territorit. Këto trajnime synonin të ofronin mbështetje për bashkitë që janë të përfshira në procesin e hartimit të planeve të detajuara vendore (PDV) dhe në përdorimin e instrumenteve financiare për zhvillimin e tokës duke u dhënë atyre njohuri për kërkesat ligjore, praktike dhe metodologjike për përgatitjen e PDV dhe studimeve të fizibilitetit në mbështetje të këtyre planeve. Janë plot 26 bashki që kanë finalizuar planet e tyre të territorit dhe që morën pjesë në këto trajnime të ndara në dy grupe.

Fokusi i trajnimit të parë, i mbajtur në 10-11 maj, ishte kuadri ligjor për PDV. Në këtë seancë u prezantuan raste studimore të PDV nga Bashkia Tiranë dhe Co-PLAN, instrumentet financiare për zhvillimin e tokës si dhe metodologjia për kryerjen e studimeve të fizibilitetit. Në trajnimin e dytë, të organizuar në 15-16 maj, u ofruan njohuri praktike dhe u trajtuan aspekte më teknike që lidhen me procesin e PDV-ve, të tilla si metodat për mbledhjen e të dhënave dhe përdorimin e sistemit GIS për hartimin e këtyre planeve vendore.

Altin Pali, Urbanist pranë Bashkisë Ura Vajgurore: “Ky trajnim ishte shumë i vlefshëm, sepse tani i kuptoj shumë mirë praktikat dhe metodat për hartimin e planeve të detajuara vendore.”

Albert Çollaku, Urbanist pranë Bashkisë Klos: “Këtë trajnim e shoh me shumë vlerë dhe dobi për ne urbanistët. Në bashkinë time jemi në hapin e parë të zbatimit të PPV. Ndaj ky trajnim na vlejti sepse mësuam se ku dhe si të nisim punën për zbatimin e këtij plani.”

Comments are closed.