Politikat e Legjislacioni i Decentralizimit

 

Mbështetje për Qeverinë Shqiptare për Zbatimin e Politikave Efektive dhe të Legjislacionit të Decentralizimit

Projekti PLGP do të nxisë dialogun gjithëpërfshirës si dhe do të ndihmojë në arritjen e një mirëkuptimi dypalësh për çështje të rëndësisë strategjike për qeverisjen vendore. Ai do të ndihmojë Qeverinë Shqiptare, përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore (NJQV) si dhe OJQ-të apo shoqatat e bashkive, për të marrë vendime duke u mbështetur në informacione dhe në konsultime gjithëpërfshirëse e konsensus të gjerë, çka do të sjellë një shpërndarje më të barabartë të burimeve dhe përmirësim të shërbimeve të ofruara. Ai dhe do të nxisë hartimin e një legjislacioni që do t’i bëjë këto konsultime të detyrueshme ligjërisht.

Projekti PLGP mund të ofrojë mbështetje për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe strategjisë kombëtare të decentralizimit me anë të veprimtarive të mëposhtme:

  • Të aktivizojë një grup pune në nivel kombëtar për decentralizimin për të shqyrtuar strategjinë e decentralizimit dhe për miratimin e strategjisë nga pushteti qendror dhe ai vendor
  • Të ngrejë një grup pune në nivel teknik ku të marrin pjesë përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe vendore me ekspertizë në ligjin për qeverisjen vendore me qëllim shqyrtimin dhe evidentimin e fushave specifike të kuadrit aktual ligjor që kanë nevojë për amendime; dhe
  • Në kuadrin e grupeve të ngritura të punës të ndërtohet një mekanizëm dialogu dhe konsultimi qendror-vendor nëpërmjet tryezave të rrumbullakëta të mbështetura nga Projekti PLGP.

Projekti PLGP mund të mbështesë përmirësimin e strukturave administrative territoriale dhe ndarjen e shpenzimeve nëpërmjet veprimtarive të mëposhtme:

  • Të mundësojë dialogun për ristrukturimin administrativ territorial dhe përputhjen e të dhënave të popullsisë;
  • Të mbështesë ndarjen e shpenzimeve të zhvillimit në bazë të të dhënave të popullsisë dhe ndarjen asimetrike të funksioneve të NJQV-ve sipas sigurimit të mbështetjes për kapacitetet në ofrimin e shërbimeve brenda 15 NJQV-ve që marrin pjesë në projektin PLGP;
  • Të ndihmojë në qartësimin e roleve të niveleve të ndryshme të qeverisjes në lidhje me funksionet e përbashkëta; dhe,
  • Të mbështesë hartimin dhe miratimin e standardeve kombëtare për nivelin e shërbimeve për NJQV-të

PLGP mund të mbështesë përpjekjet për përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe transfertave ndërqeveritare me anë të një sërë veprimtarish sipas komponentëve të projektit. Në komponentin e Hartimit të Politikave të Decentralizimit Fiskal, PLGP mund:

  • Të ndihmojë në përcaktimin e nivelit të transfertave si përqindje e totalit të të ardhurave publike
  • Të ofrojë mbështetje teknike për miratimin e Ligjit për Financat e Qeverisjes Vendore me mbështetje për përditësimin e projekt ligjit aktual
  • Të zhvillojë analizën e ndikimit të ndarjes së TAP/tatim fitimit në barazinë e transfertave ndërqeveritare dhe hartimin e formulave alternative për të siguruar ruajtjen e këtij barazimi
  • Të zhvillojë analizën e efikasitetit të metodave të mbledhjes së taksës së biznesit të vogël dhe taksës së pasurisë
  • Të ndihmojë në qartësimin e përdorimit të Fondit të Zhvillimit Rajonal me mbështetje teknike për kriteret e ndarjes dhe transparencën e procedurave të përzgjedhjes së projekteve
  • Të mbështesë zhvillimin e një formule të re transferimi për transferuat e pakushtëzuara duke u mbështetur në kritere më transparente, më të thjeshta e më objektive
  • Të mbështesë zhvillimin e burimeve të të ardhurave të qeverisjes vendore që lidhen me përmirësimin e planifikimit dhe zhvillimit të përdorimit të tokës
  • Të mbështesë ngritjen e Komisionit të Financave Ndërqeveritare për të siguruar politika në nivelin kombëtar për zhvillimin e të ardhurave, shpenzimeve dhe transfertave të NJQV-ve

Brenda kuadrit të komponentëve të tjera të Projektit PLGP, mbështetje mund të ofrohet edhe për zhvillimin e mjeteve për përmirësimin e mbledhjes së taksës së pronës, ndihma për kalimin drejt një sistemi të vlerësimit të pronës sipas vlerës së tregut dhe mbështetja për të përdorur taksat dhe tarifat vendore si mjet për përmirësimin e vendimeve mbi zhvillimin e përdorimit të tokës në nivel vendor.

Projekti PLGP mund të nxisë edhe dialogun mes aktorëve kryesorë nga qeveria qendrore, njësitë vendore dhe institucionet financiare për të shqyrtuar kuadrin aktual ligjor dhe për të evidentuar përqasje të reja për huamarrjen. Po ashtu, PLGP ofron mbështetje edhe për punën teknike në aplikimin e metodave që mbështesin zhvillimin e investimeve kapitale dhe planifikimin e përdorimit të tokës brenda kapaciteteve të përgjithshme të huamarrjes vendore.

PLGP mund të shërbejë vazhdimisht për zhvillimin e mëtejshëm të dialogut dhe konsensusit që është i nevojshëm për të trajtuar këto fusha prioritare. Një nga qëllimet kryesore të Projektit PLGP është të nxitë këtë dialog dhe ky Dokument Studimor për Decentralizmin Fiskal është hapi i parë i këtyre përpjekjeve. Do të bëhen përpjekje të tjera për të promovuar këtë dialog dhe diskutime të tjera me anë të një konference për decentralizimin fiskal dhe për zhvillimin e diskutimeve në tryeza të rrumbullakëta dhe ngritjen e grupeve të punës për të mbështetur edhe më tej këtë dialog mes aktorëve kryesorë.

 

Thursday the 20th. USAID/PLGP