Përmbledhje e projektit

 

Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në Shqipëri (PLGP) punon si në nivelin qendror të politikave ashtu edhe në nivelin vendor për të promovuar pranimin e parimeve të qeverisjes së decentralizuar dhe për të përhapur dhe institucionalizuar metodat dhe teknikat praktike dhe efektive për administrimin e njësive të qeverisjes vendore. NJQV ‘partnere’ të Projektit PLGP janë: Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja, Berati, Kuçova, Patosi, Vlora, Saranda, Elbasani, Korça, Vora, Kamza, dhe komunat Kashar e Paskuqan. Projekti do të punojë në katër fusha kryesore:

 

Mbështetje për Qeverinë Shqiptare për Zbatimin e Politikave Efektive dhe të Legjislacionit të Decentralizimit

Projekti do të nxisë dialogun gjithëpërfshirës si dhe do të ndihmojë në arritjen e një mirëkuptimi dypalësh për çështje të rëndësisë strategjike për qeverisjen vendore. Ai do të ndihmojë Qeverinë Shqiptare, përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore (NJQV) si dhe OJQ-të apo shoqatat e bashkive, për të marrë vendime duke u mbështetur në informacione dhe në konsultime gjithëpërfshirëse e konsensus të gjerë, çka do të sjellë një shpërndarje më të barabartë të burimeve dhe përmirësim të shërbimeve të ofruara. Ai dhe do të nxisë hartimin e një legjislacioni që do t’i bëjë këto konsultime të detyrueshme ligjërisht.

 

Përmirësimi i Qeverisjes Vendore

Projekti PLGP do të ofrojë asistencë teknike dhe trajnim në vendin e punës për personelin e 15 njësive vendore të përzgjedhura, për një sërë çështjesh të menaxhimit dhe qeverisjes. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), që do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të qeverisjes elektronike (e-qeverisja). Projekti do t’i ndihmojë këto NJQV të përmirësojnë mbledhjen e taksave; të evidentojnë metoda alternative për rritjen e të ardhurave nga burimet e veta; të administrojnë më mirë pronat nën juridiksionin e pushtetit vendor; si dhe të sigurojnë parashikueshmërinë, saktësinë dhe transparencën e procesit buxhetor të pushtetit vendor. Ai do të ndihmojë NJQVpër të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për funksionet e qeverisjes vendore, për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve si dhe për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen e pushtetit vendor.

 

Përmirësimi i Menaxhimit të Shërbimeve Vendore

Projekti PLGP do të ndihmojë qeverinë shqiptare dhe bashkitë për të siguruar se ligjet, politikat, procedurat dhe shërbimet të tilla si uji i pijshëm, ujërat e zeza, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe, veçanërisht, me standardet mjedisore. Ai do të ndihmojë NJQV-të e përzgjedhura dhe bordet e mbikëqyrjes për zhvillimin e aftësive, përcaktimin e roleve, dhe përvetësimin e njohurive të nevojshme për të administruar dhe mbikëqyrur me efektivitet kompanitë që ofrojnë këto shërbime.

 

Asistencë për Qeverinë Shqiptare dhe pushtetin vendor për planifikimin dhe administrimin e zhvillimit urban dhe rajonal

Projekti PLGP do t’i ofrojë asistencë teknike Qeverisë Shqiptare dhe NJQV-ve të përzgjedhura në zhvillimin e aftësive dhe përvetësimin e njohurive për hartimin e planeve territoriale në përputhje me Ligjin për Planifikimin e Territorit. Ai do t’i ofrojë asistencë teknike Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për hartimin e një kuadri konceptual për Planin Kombëtar të Territorit në përputhje me Ligjin për Planifikimin e Territorit dhe rregulloret në zbatim të tij. Qytetarëve, grupeve të shoqërisë civile, bizneseve dhe OJQ-ve do t’u ofrohen mundësi për të rritur pjesëmarrjen dhe monitorimin e tyre në planifikimin e territorit.

 

Thursday the 20th. USAID/PLGP