NJQV-të Partnere të Programit PLGP në Panairin NEXPO

A e dini se njësitë qeverisjes vendore në Shqipëri janë pjesë e një rrjeti që përbëhet nga 16 shoqata të qeverisjes vendore, të cilat së bashku përfaqësojnë rreth 9,000 autoritete vendore në Evropën Jug-Lindore? 

Po, NJQV-të e Shqipërisë janë pjesë e NALAS-it, rrjeti i shoqatave të autoriteteve vendore të Evropës Jug-Lindore. Një delegacion i madh me përfaqësues të lartë të njësive vendore morën pjesë aktivisht në Panairin Ndërkombëtar të Bashkive NALAS të organizuar në Rjekë dhe Opatija, Kroaci, në datat 25-27 shtator 2013. Nga bashkitë dhe komunat shqiptare morën pjesë në këtë veprimtari plot 88 kryetarë dhe nënkryetarë të njësive vendore, ndër të cilët bënin pjesë edhe drejtues të NJQV-ve partnere të Programit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP).

Pjesëmarrësit nga Projekti PLGP në Panairin NEXPO

Pjesëmarrësit që përfaqësonin mbi 500 bashki e komuna nga e gjithë Evropa Jug-Lindore dhe më gjerë kishin mundësi të shkëmbenin përvojat e tyre dhe të mësonin nga praktikat më të mira në qeverisjen vendore, në administrimin e bashkive dhe në ofrimin e shërbimeve. Në ditën e parë të panairit, të gjithë kryetarët e bashkive ndoqën seancën “Rruga drejt Integrimit në BE – Eliminimi i pengesave dhe shpalosja e potencialit tonë”, një temë bashkëkohore duke pasur parasysh shpresën e Shqipërisë për të siguruar së shpejti statusin e vendit kandidat për në BE.

Në veprimtaritë e tjera në dy ditët në vazhdim u trajtuan tematika që synonin në mënyrë të veçantë përfaqësuesit vendorë të Shqipërisë. Një seminar u fokusua në decentralizimin fiskal dhe mbledhjen e të ardhurave të veta të NJQV-ve. Ky seminar u organizua falë bashkëpunimit mes Programit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) dhe Programit të Decentralizimit dhe Zhvillimit Vendor të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Në seminarin e dytë, të organizuar nga Këshilli i Evropës, u diskutuan përpjekjet për të ndërtuar një platformë pluraliste e të unifikuar për dialog për të zgjedhurit vendorë në Shqipëri. Në të dy këto veprimtari pati diskutime e debate, të cilat kontribuuan në përpjekjet për arritjen e një konsensusi të paanshëm për çështje me rëndësi për qeverisjen vendore.

Me kthimin në atdhe të kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të njësive vendore, duket se po ndërtohet konsensusi për një sërë çështjesh me rëndësi për qeverisjen vendore. U ra dakord përgjithësisht se ka një hendek të madh mes kërkesës për shërbime vendore dhe burimeve të disponueshme për ofrimin e këtyre shërbimeve. Madje, ky hendek sa vjen e rritet. Të gjithë ranë dakord me nevojën për një proces konsultativ që do të punonte për arritjen e konsensusit mes qeverisë qendrore dhe NJQV-ve për çështje të decentralizimit. Po ashtu, u ra dakord se kishte nevojë të përditësohej Strategjia Kombëtare e Decentralizimit. Nga ana tjetër, pati mjaft diskutime për planet në lidhje me reformën territoriale dhe një dëshirë e pritshme që zyrtarët vendorë të përfshihen aktivisht në dialogun për këtë reformë të rëndësishme.

 

Në këtë panair u hartua një Raport për Treguesit e Decentralizimit Fiskal. Kliko këtu për ta shkarkuar. (PDF, 1.2 MB)

 

Friday the 24th. USAID/PLGP